Pranvera Kola
Pasi kanë vlerësuar dosjet e paraqitura nga mijëra kandidatët që kanë aplikuar për pranimet e reja në ciklin e dytë të studimeve, Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Tiranës ka zbardhur edhe listat e kandidatëve që plotësojnë kushtet për të vijuar studimet në programet “Master profesional”, si dhe “Master shkencor” për vitin e ri akademik 2019-2020. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar listën e plotë të 710 fituesve të rinj që duhet të paraqiten për të bërë regjistrimin për vijimin e studimeve të nivelit të dytë si degë e parë. Autoritetet zyrtare të këtij institucioni të arsimit të lartë bëjnë me dije se kandidatët që nuk janë pjesë e këtyre listave nuk janë shpallur fitues.
Por këta të fundit kanë afat deri në mbyllje të ditës së sotme për të bërë ankimimin përkatës nëse kanë pakënaqësi për listat e shpallura. Pas vlerësimit të ankesave të paraqitura do të nisë edhe procesi final i regjistrimit të fituesve në datat e përcaktuara. “Aplikantët që nuk gjejnë të dhënat e tyre në listat e publikuara rezultojnë jo fitues. Kandidatët kanë të drejtën e ankimit deri më datën 18 nëntor, të cilën duhet ta paraqesin pranë zyrës së protokollit të këtij fakulteti”, sqarojnë burimet zyrtare të Fakultetit të Drejtësisë.
Të gjithë fituesit e tre programeve të studimit “Master i shkencave”, si dhe katër programeve “Master profesional” duhet të paraqiten pranë sekretarisë për të kryer regjistrimin përfundimtar si fitues. Regjistrimi mund të kryhet nga vetë studenti me një dokument identifikimi dhe mandatin e pagesës së regjistrimit që mund të merret në Zyrën e Informacionit. Konkretisht sipas afateve të përcaktuara, regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit ku janë shpallur fitues do të zhvillohet në periudhën 21-25 nëntor.
Lidhur me kriteret e shpalljes së fituesve bëhet e ditur se, kuotat fillestare janë plotësuar duke u dhënë prioritet aplikantëve që kanë përfunduar studimet e nivelit të parë “Bachelor” në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, si dhe aplikantëve që kanë përfunduar studimet e nivelit të parë në institucionet e ngjashme të arsimit të lartë jashtë vendit. Për kuotat që kanë mbetur të paplotësuara pas aplikimit të këtij kriteri, përzgjedhja ka vijuar me kandidatët e tjerë që kanë kryer studimet e nivelit të parë në institucionet e tjera publike të arsimit të lartë në vend, përkatësisht në fushën e drejtësisë dhe asaj të ekonomisë.
Ndërsa më tej, përzgjedhja ka vijuar me studentët që kanë kryer ciklin e parë në fushën e drejtësisë në fakultetet private që ushtrojnë aktivitetet në vendin tonë. Gjithashtu janë shpallur edhe fituesit që do të ndjekin këtë cikël studimesh si program i dytë, apo në kuotat e miratuara për trojet, si dhe kategoritë e studentëve nga shtresat më aftësi të kufizuar, etj. Fituesit e këtyre kategorive gjenden online në faqen zyrtare të Fakultetit të Drejtësisë. Procesi i regjistrimit edhe për këtë kategori do të ndjekë të njëjtat afate, si ato të përmendura më lart.
