Studimet në “Bachelor” dhe “Master”, afatet e shlyerjes së tarifës vjetore

Pranvera Kola

Pranvera Kola-DITA

Ndryshe nga sa ka ndodhur gjatë viteve të shkuara, disa prej fakulteteve kanë vendosur që të mos i “ndëshkojnë” studentët me përjashtim nga sezoni i provimeve në rast se nuk arrijnë që të shlyejnë në afatet e përcaktuara taksën vjetore të shkollimit të miratuar për vitin akademik 2017-2018.

Në prag të nisjes së sezonit të provimeve, fakultetet kanë përcaktuar kushtet dhe tarifat që duhet të shlyejnë studentët e ciklit të parë “Bachelor”, si dhe ata të nivelit të dytë “Master profesional”, si dhe
“Master shkencor”.

Kushtet dhe tarifat e studimit në degët e Shkencave të Natyrës
Për studentët e Shkencave të Natyrës është vendosur që shlyerja e tarifës vjetore të studimit të vijojë deri në mbyllje të muajit mars për të dyja ciklet e studimit. Çka do të thotë se studentët nuk do të penalizohen me përjashtim nga sezoni i provimeve të shkurtit, dhe se kanë afat, që deri në këtë datë të shlyejnë pranë bankave të nivelit të dytë tarifën vjetore të studimit.

“Studentët e ciklit të parë duhet të kryejnë pagesën e tarifës së shkollimit deri në datën 30 mars 2018. Ndërsa studentët e nivelit të dytë do të kryejnë pagesën e tarifës së shkollimit të ndarë në këste. Konkretisht, kjo kategori duhet që të shlyejë tarifën e këstit të parë deri në datën 30 mars, ndërsa kësti i dytë duhet të kryhet nga data 16 prill-01 qershor 2018. Pavarësisht afateve se kur do të shlyejnë tarifën, studentët nuk do të pengohen për t’u regjistruar në sezonin e provimeve të semestrit të parë”, bëjnë me dije autoritetet drejtuese të këtij fakulteti.

Sa i takon kostos së studimeve, saktësohet se tarifa vjetore që duhet të shlyejnë studentët e “Bachelor” është 25 mijë lekë, ndërsa për nivelin e dytë taksa vjetore që duhet të shlyejnë studentët e “Masterit profesional” është 33 mijë lekë, si dhe në nivelin shkencor tarifa e studimeve që duhet shlyer do jetë 42 mijë lekë.

Tarifat e studimit në degët e Histori-Filologjisë
Për të dyja ciklet e studimit në degët e këtij fakulteti, studentët kanë afat deri në mbyllje të muajit shkurt për të shlyer detyrimet sa i takon taksës vjetore të studimeve. Autoritetet e këtij fakulteti bëjnë me dije se studentët duhet të paraqiten pranë sekretarive mësimore të departamentit ku vijojnë studimet për të tërhequr mandat pagesën përkatëse të tarifës, të cilën duhet të shlyejnë para nisjes së provimeve në një nga bankat e nivelit të dytë.

Data 28 shkurt është përcaktuar edhe si afati final që studentët kanë në dispozicion për shlyerjen e këtyre pagesave. Për studimet në “Bachelor”, studentët për këtë vit akademik do të paguajnë tarifën prej të 30 mijë lekësh, ndërsa në ciklin e dytë “Master profesional”, tarifa që duhet të shlyeni është 60 mijë lekë, dhe në nivelin “Master shkencor”, tarifa vjetore e studimit është 75 mijë lekë.

Tarifat në degët e Drejtësisë
Kush nuk shlyen tarifën vjetore të studimeve brenda afateve të përcaktuara nuk do mundet që të japë provimet e sezonit të parë. Ky është kushti i vendosur për studentët që vijojnë studimet në një nga programet e Fakulteti të Drejtësisë. Sipas kushtit të përcaktuara nga fakulteti, studentët e këtij fakulteti duhet që të shlyejnë pagesat vjetore të studimit për vitin akademik 2017-2018, para nisjes së provimit të parë të këtij sezoni. Për ciklin “bachelor”, tarifa që duhet të shlyejnë studentët është 40 mijë lekë, në programet e “Masterit profesional”, tarifa është 60 mijë lekë, si dhe “Masterin shkencor”, kjo tarifë është 75 mijë lekë.

Tarifat në degët e Mjekësisë
Sipas vendimit të marrë nga Bordi i Administrimit të këtij universiteti, tarifa vjetore që duhet të shlyejnë të gjithë studentët që vijojnë studimet e ciklit “Bachelor”në degën e mjekësisë, farmacisë dhe stomatologjisë është 45 mijë lekë. Ndërsa për degët e dy fakulteteve të tjera, si infermieri, mami, teknik laboratori, fizioterapi, logopedi, teknik imazherie, kjo tarifë varion nga 35 mijë deri në 40 mijë lekë.

Tarifat për përsëritësit dhe kohëzgjatja e studimeve
Gjithashtu, bëhet e ditur se për studentët e programeve të studimit të ciklit të parë të cilësuar si përsëritës, sipas Rregullores së Universitetit të Tiranës, ata duhet që të paguajnë tarifën për kredit të lëndëve përsëritëse, por jo më shumë se tarifa vjetore e shkollimit.

Për studentët e programeve të ciklit të dytë të cilësuar po si përsëritës, ata duhet të paguajnë tarifën për kredit të lëndëve përsëritëse (pa përfshirë kreditet e diplomës), kur janë mbi kohëzgjatjen normale të programit të studimit por jo më shumë se tarifa vjetore e shkollimit.

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e arsimit të lartë, “Kohëzgjatja maksimale e studimeve në një program studimi nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i kohëzgjatjes normale të studimeve që parashikon programi, pa marrë në konsideratë periudhën e kohës kur studenti i ka pezulluar studimet.Studenti, që nuk arrin të përfundojë studimet brenda kohëzgjatjes maksimale të programit, ka të drejtë të aplikojë për të rifilluar studimet, në të njëjtin program studimi ose në një program tjetër. Ai u nënshtrohet kritereve dhe procedurave të shpallura për regjistrimin në programin e studimit të institucionit pritës. Kreditet e grumbulluara nga studenti gjatë periudhës së mëparshme të studimeve mund të transferohen, me vendim të njësisë bazë të institucionit që pranon studentin, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren e saj”, përcaktohet në ligjin e arsimit të lartë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *