Studimet në “Bachelor” dhe “Master”, ja sa kushton ky vit akademik për studentët e Shkencave të Natyrës

J L

Dy muaj është afati i lënë në dispozicion të studentëve për të shlyer tarifën vjetore të shkollimit për vijimin e studimeve në një nga programet e ciklit të parë “Bachelor” apo “Master” në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës për këtë vit. Autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë bëjnë me dije se studentët duhet të shlyejën tarifën vjetore brenda datës 31 mars për të tre vitet e studimit që përfshin cikli i parë, ndërsa për ciklin e dytë pagesa do të bëhet e ndarë në dy këste, i pari që duhet të paguhet brenda datës 31 mars, si dhe kësti i dytë deri në datën 17 qershor. Studentët që nuk do të shlyejnë në kohë këto tarifa do të rrezikojnë edhe pjesëmarrjen në provimet e semestrit përkatës.

Sipas vendimit të marrë, tashmë janë përcaktuar të gjitha kategoritë që do të shlyejnë tarifën e plotë, atë të përgjysmuar, si dhe studentët që nuk do të paguajën asnjë lloj tarife studimi në secilin cikël. Konkretisht, studentët që ndjekin vitin e parë në programet “Bachelor” duhet të paguajnë tarifën e studimit të përcaktuar në vlerën e 12,500 lekëve. Po ashtu, bëhet e ditur se studentët që ndjekin programet e ciklit të parë nga viti i parë tek i treti që kanë përfituar nga statusi si kategori në nevojë, etj, si dhe ata që janë me mesatare nga nota 9-10 të vitit paraardhës nuk do të paguajnë tarifë studimi për vitin akademik 2021-2022. Ndërsa studentët që ndjekin vitin e dytë dhe të tretë në ciklin e parë e që janë me notë mesatare nga 6-9 të vitit paraardhës do të paguajnë vetëm 50 për qind të tarifës së studimit me vlerë 12,500 lekë. Ndërsa ata që janë me notë mesatare nën notën 6 do të duhet të shlyejnë të plotë tarifën vjetore sipas shumës së përcaktuar në vlerën 25,000 lekëve.

Sa i takon pranimeve të ciklit të dytë, për programet  “Master i shkencave” brenda kohëzgjatjes normale të programit studentët do të pagujanë tarifën në vlerën 84,000 lekë, si dhe në “Master profesional”, do të pagujanë tarifën në vlerën 66,000 lekë. Edhe për këtë cikël janë një sërë kategorish që do të përfitojnë gjatë këtij viti jo vetëm reduktim të tarifës në masën 50 për qind, por edhe përjashtim të saj. Tarifat e detajuara për të dy nivelet e studimit i gjeni të plota në vijim të shkrimit, së bashku me vendimin e marrë për studentët që cilësohen si përsëritës.

Në lidhje me shlyerjen e pagesave autoritetet e këtij fakulteti sqarojnë se mund të bëhen lehtësisht në të gjitha bankat e nivelit të dytë dhe në zyrat postare në të gjitha rrethet e vendit. Fatura më pas duhet që të dorëzohen fizikisht pranë strukturës përgjegjëse në këtë fakultet.

Programet e ciklit të parë

Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, studimet e ciklit të parë “Bachelor” zhvillohen në 10 programe të ndryshme studimi në degët : Kimi, Biologji, Inxhinieri Matematike dhe Informatike, Bioteknologji, Matematikë, Fizikë,  Kimi Industriale dhe Mjedisore, Kimi dhe Teknologji Ushqimore, Informatikë, Teknologji Informacioni”. Në ligjin e arsimit të lartë përcaktohet se programet e studimit të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi të caktuara në një larmi të gjerë profesionesh e specialitetesh. Si rregull këto programe realizohen, me 180 kredite europiane dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike. Studentët në programet e ciklit të parë, mbështetur edhe në kriteret e vendosura në rregulloren e UT-së për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.

Programet e ciklit të dytë

Studimet në ciklin e dytë zhvillohen në 21 programe të ndryshme, katër prej të cilave janë në “Master profesional” në degët: Bioteknologji, Informatikë Biznesi, Teknologji Informacioni, si dhe Inxhinieri Matematike dhe Informatike. Ndërsa 17 programet e tjera i përkasin ciklit “Master shkencor” dhe zhvillohen në degët: Biologji molekluare, Biologji Mjedisore, Mësuesi në Biologji për AML, Bioteknologji Molekulare dhe Industriale, Fizikë, Fizikë AML, Informatikë, Teknologji Informacioni, “Mësuesi në Informatikë AML, Kimi, në degën Kimi AML, Kimi Industriale e Mjedisore, Shkencat dhe Teknologjitë Ushqimore, Inxhinieria e Proçeseve Kimike, Matematikë dhe Matematikë AML, si dhe Inxhinieri Matematike dhe Informatike.

Programet e studimit të ciklit të dytë në “Master i shkencave” i pajisin të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor”, me njohuri të thelluara shkencore teorike dhe praktike në drejtimin përkatës. Ky program mund të realizohet me 120 kredite me kohëzgjatje normale jo më pak se dy vite akademike. Këtu përfshihen 30-40 kredite për një projekt kërkimor, nën udhëheqje të kualifikuar, i cili përfundon me diplomë (mikrotezë). Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave” në fushën e arsimimit të kryer. Programet e studimit “Master profesional” u ofrojnë të diplomuarve një diplomë të ciklit të parë njohuri me karakter praktik profesional në drejtimin përkatës. Këto degë realizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e fakultetit për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer.

 

TARIFAT E STUDIMIT NË PROGRAMET E CIKLIT TË PARË “BACHELOR

  • Studentët që ndjekin vitin e parë në programet “Bachelor” duhet të paguajnë tarifën e studimit të përcaktuar në vlerën e 12,500 lekëve.
  • Studentët që ndjekin programet e ciklit të parë “Bachelor” nga viti i parë tek i treti që kanë përfituar nga statusi si kategori në nevojë, etj, si dhe ata që janë me mesatare nga nota 9-10 të vitit paraardhës nuk do të paguajnë tarifë studimi për vitin akademik 2021-2022.
  • Studentët që ndjekin vitin e dytë dhe të tretë në ciklin e parë “Bachelor” me notë mesatare nga 6-9 të vitit paraardhës do të paguajnë vetëm 50 për qind të tarifës së studimit me vlerë 12,500 lekë.
  • Studentët që ndjekin vitin e dytë dhe të tretë në ciklin e parë “Bachelor” e që janë me notë mesatare nën 6 do të paguajnë të plotë tarifën e studimit që është në masën e 25,000 lekëve.

TARIFAT E STUDIMIT NË PROGRAMET “MASTER SHKENCOR” DHE “MASTER PROFESIONAL”

  • Studentët që ndjekin programet “Master” duhet të shlyejnë tarifën të ndarë në dy këste, i pari që duhet të paguhet brenda datës 31 Mars, ndërsa kësti i dytë brenda datës 17 qershor.
  • Studentët e ciklit të dytë “Master i shkencave” brenda kohëzgjatjes normale të programit të studimit do të paguajnë tarifën në vlerën 84,000 lekë.
  • Studentët e ciklit të dytë “Master profesional” brenda kohëzgjatjes normale të programit të studimit do të pagujanë tarifën në vlerën 66,000 lekë.
  • Studentët e ciklit të dytë që kanë përfituar nga statusi sipas kategorive të ndryshme dhe ata që janë me mesatare 9-10 të vitit paraardhës do të paguajnë vetëm 50 për qind të tarifës së studimit për këtë vit akademik.
  • Studentët e ciklit të dytë të cilësuar si të shkëlqyer sipas statutit të UT-së në ciklin e parë të studimeve përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit në vitin e parë në programet e studimeve të ciklit të dytë.
  • Studentët e ciklit të dytë të cilët përfundojnë vitin e parë me notën mesatare 10 përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit në vitin e dytë të këtij programi.
  • Studentët e programeve të studimit të ciklit të parë dhe të dytë të cilësuar si përsëritës sipas rregullores së Universitetit të Tiranës nuk do të paguajnë tarifë shkollimi.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *