Studimet në Universitetin e Arteve/ Si ndahen 1365 kuotat e miratuara për ciklin “Bachelor” dhe “Master“

Ornela

Pranvera Kola

Universiteti i Arteve të Tiranës ka vendosur që për vitin e ri akademik të hapë dyert për 580 maturantë. Ky është dhe numri i kuotave të miratuara nga autoritetet drejtuese të këtij institucioni për garën e pranimeve të reja që do të realizohen në ciklin e parë të studimeve “Bachelor” për 2018-n.

Pas vlerësimit të kapaciteteve të mundshme pritëse në të gjitha degët e tre fakulteteve, Senati Akademik i Universitetit të Arteve ka planifikuar edhe shpërndarjen e kuotave për të gjitha kategoritë e maturantëve që do të garojnë nëpërmjet formularit A2, për të fituar studimet e larta gjatë këtij viti.

Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar ndarjen e plotë të kuotave për programet e studimit në Fakultetin e Muzikës, Fakultetin e Artit Skenik, si dhe në Fakultetin e Arteve të Bukura.

Kuotat për ciklin “Bachelor”

Sa i takon pranimeve në ciklin e parë, Fakulteti i Muzikës ka edhe numrin më të lartë të kuotave, përkatësisht 343 pranime të reja. Ndërsa në ciklin “bachelor” të Fakultetit të Artit Skenik do të pranohen 147 maturantë, dhe tek Fakulteti i Arteve të Bukura do mund të vijojnë studimet e larta për herë të parë gjatë këtij viti, rreth 90 kandidatë.

Për secilin nga programet e studimit do të gjeni të plota kuotat e miratuara për maturantët që kanë mbaruar studimet e shkollës së mesme në vendin tonë përgjatë këtij viti, si dhe kandidatët e viteve të shkuara që rikthehen në garë për vijimin e studimeve të larta në këtë institucion, po ashtu edhe kuotat e veçanta të përcaktuara për pranimet në programet e dyta të studimit, kuotat e transferimeve, kuota për të huajt, kuotat për kandidatët e trojeve, kuotat për jetimët, kuotat për studentët e tjerë me aftësi të kufizuara, si dhe për romët e egjiptianët.

Ndryshe nga sa ndodh me fakultetet e tjera, për të vijuar studimet në degët e arteve, maturantëve dhe kandidatëve të tjerë, krahas kriterit të mesatares së shkollës së mesme dhe provimeve të maturës, u duhet të sigurojnë pikët e duhura edhe në testimet individuale që do të zhvillohen në muajin gusht.

 Konkurimi për maturantët

Për të qenë pjesë e garës për kuotat e reja të pranimeve në këtë universitet, maturantët duhet të jenë të kujdesshëm që fillimisht të bëjnë regjistrimin online të preferencave për studime gjatë plotësimit të formularit A2. Nëse nuk plotësoni këtë formular në afatet e caktuara, që janë datat 30 korrik deri në 4 gusht, ku duhet të listoni si pjesë të 10 preferencave edhe degët e Arteve, ju nuk mund të vazhdoni më tej procedurat e konkurimit për të fituar studimet e larta në Universitetin e Arteve.

Për pranimet e vitit të ri akademik 2018-2019, maturantët mund të garojnë për të fituar studimet e larta në një nga 27 degët e studimeve që janë pjesë e fakulteteve të këtij universiteti, ndarjen e detajuar të të cilave e gjeni në vijim të shkrimit.

“Lidhur me procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në programet e ciklit të parë të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional, si dhe në programet e integruara të ciklit të dytë, në fakultetet e Universitetit të Arteve saktësohet se regjistrimet për të gjitha programet e studimeve, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë “Bachelor”, fillojnë më datë 11 gusht nga ora 08:00 deri në orën 16:00. Secili kandidat që është pjesë e listës zyrtare të dërguar nga QSHA pas aplikimit në formularin A2, duhet që në këto data të paraqitet pranë sekretarive mësimore të secilit fakultet për të bërë regjistrimin përkatës të hyrjes në konkurs. Ky regjistrim është vendimtar për të vijuar më tej procedurat e konkurrimit”, bëjnë me dije drejtuesit e Senatit Akademik.

Datat e testimeve individuale

Sipas planeve të përcaktuara nga secili fakultet, kandidatët do i nënshtrohen testimeve individuale që do të zhvillohen ndërmjet datave 22 gusht, deri më 26 gusht.

Çka do të thotë se testet do të zhvillohen në disa faza sipas specifikës së programit të studimit ku zhvillohet konkursi. Kanë të drejtë të hyjnë në konkurs vetëm kandidatët që janë pjesë e listës së regjistruar pranë sekretarive mësimore në afatet e përcaktuara. Lejohet që të hyjnë në testimet individuale vetëm kandidatët e listës së shpallur për konkurim, të cilët ditën e konkurimit janë të pajisur me këto dokumente:

“Dokument identifikimi, pasaportë ose kartë identiteti, si dhe mandatin e pagesës së regjistrimit”. Kandidatët që nuk kanë asnjë nga këto dokumente nuk do të pranohen të marrin pjesë në konkurs. Gjatë procedurës së regjistrimit, kandidati duhet të deklarojë detyrimisht me shkrim specialitetin që preferon të zgjedhë për të vazhduar studimet pranë këtyre degëve (lejohen deri në dy preferenca).

Gara për kandidatët nga trojet, shtetasit e huaj, si dhe kategoritë tjera

Procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit të kandidatëve nga republika e Kosovës, kandidatëve me origjinë shqiptare nga Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, kandidatëve me statusin e personit me aftësi të kufizuar, me statusin e jetimit, si dhe të kandidatëve të komunitetit Rom dhe Egjiptian do të bëhet sipas udhëzimit të posaçëm që pritet të zbardhet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë përgjatë ditëve në vijim. Po ashtu, e njëjta procedurë do të ndiqet edhe për aplikimet dhe regjistrimin e kandidatëve shtetas të huaj në programet e ciklit të parë të studimeve për vitin akademik 2018-2019.

Si ndahen 785 kuotat e miratuara për programet e studimit Mster

Ndryshe nga sa ndodh me ciklin e parë, numri i studentëve që kanë të drejtë të vijojnë studimet në ciklin e dytë universitar “Master profesional”, “Master shkencor”, si dhe “Master i Arteve të Bukura”, në programet e këtij institucioni për vitin e ri akademik do të jetë më i lartë. Konkretisht për këtë cikël studimesh janë miratuar në total rreth 785 të drejta studimi, për të cilat do të garohet nëpërmjet testimeve individuale dhe mesatares së studimeve të ciklit të parë. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar ndarjen e plotë të kuotave të pranimit në programet “Master” të tre fakulteteve përkatëse.

Share This Article
1 Comment
  • Ku do punesohen gjithe keta vete?! Universiteti I Arteve duhet te kaloje “Privat”. E para, takasapaguesit shqiptare s’kane pse paguajne per njerez qe nuk do te kene pune; e dyta, edhe ata artiste me talent te vertete do shkojne ne skenat e botes,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *