Nisja e zbatimit të reformës në arsimin e lartë nuk do të shoqërohet me mbylljen e studimeve part-time. Pas ankesave të shumta të shfaqura nga stafet akademike, si dhe nga vetë studentët në protestat e zhvilluara, Komisioni i Reformës në Arsimin e Lartë ka ndërruar mendje, duke mos kërkuar mbylljen e ciklit të studimeve me kohë të pjesshme sikundër ishte deklaruar në raportin paraprak. Sipas përfaqësuesve të këtij komisioni, studimet part-time do t’i nënshtrohen ndryshimeve të shumta që kanë të bëjnë kryesisht me kohëzgjatjen e ciklit të studimeve dhe rivlerësimin e programeve mësimore ku do të lejohet vijimi i këtyre studimeve. Për të shmangur prurjet masive në këtë cikël studimesh jo vetëm që do të reduktohen kuotat e pranimeve, por edhe përzgjedhja e kandidatëve që do të pranohen do të kalojë në kritere më të forta nga ato të aplikuarat në vitet e shkuara. Sipas të dhënave të detajuar rreth 21.6 për qind e sistemit të arsimit të lartë zhvillohet në ciklin e studimeve part-time. Shtrirja në kohë e këtyre studimeve pritet të jetë deri në dyfishin e kohës së tashme. Numri i studentëve do të jetë i reduktuar, programet do të jenë masterat profesionalë dhe ekzekutivë, dhe jo “Bachelor” dhe “Master shkencor” sikundër ka ndodhur deri më tani. Marrja e vendimit për rishikimin e këtyre programeve erdhi si shkak i zgjerimit të paarsyeshëm të sistemit të studimeve me kohë të pjesshme, si në sistemin publik ashtu edhe në atë privat, çka e ka dëmtuar shumë cilësinë e prodhuar nga universitetet shqiptare. Shtimi i kuotave të pranimit në këto programe ka bërë që shumë prej studentëve të abuzojnë pasi kanë vijuar ndjekjen e studimeve në dy fakultete njëherësh, një me kohë të plotë dhe tjetri në part-time. Formë studimesh e cila është tërësisht në shkelje në përcaktimet e bëra në ligjin e arsimit të lartë, por që në të vërtetë nuk është shoqëruar asnjëherë me marrjen e masave ndëshkuese. Kjo pavarësisht faktit se shumë nga kandidatët janë diplomuar në dy cikle të ndryshme studimesh brenda të njëjtit vit akademik. Prurjet masive në studimet part-time kanë prekur edhe programet specifike të studimit, me përbërës të rëndësishëm teknik, kërkimor, praktik, profesional, madje dhe ato të profesioneve të rregulluara. “Të reformohet sistemi i studimeve part-time, duke e orientuar vetëm në formimet profesionale të nivelit diplomë profesionale 1-2 vjeçare, “Master profesional” dhe “Master ekzekutiv”. Sistemi part-time nënkupton shtrirjen në kohë të procesit të mësimdhënies të sistemit me kohë të plotë, por jo më shumë se dyfishi i kohëzgjatjes së këtij të fundit, duke garantuar të njëjtën cilësi formimi. Gjithashtu, ai parashikon gjatë kësaj periudhe kohore edhe kryerjen e së njëjtës ngarkesë mësimore, si edhe të sistemit me kohë të plotë”, citohet në raportin përfundimtar të reformës së arsimit të lartë. Ndër të tjera komisioni ka propozuar që të futet kodifikimi i programeve në të gjithë sistemin e arsimit të lartë. Për këtë të bëhet grupimi dhe organizimi i programeve të studimit bazuar në kode, që identifikojnë fusha të ngjashme. Kjo shërben për shumë shërbime dhe veprimtari akademike (për shembull për kalimet në “master” pas fitimit të një diplome “bachelor”, ose për zgjedhjet e lëndëve dhe degëve të ndryshme, e të tjera). Kalimi mund të bëhet brenda fushës kryesore dhe të jetë i përcaktuar saktësisht në kurrikulën e programin përkatës të masterit (shkencor, profesional). Në mënyrë të ngjashme mund të veprohet edhe për ciklin e tretë të studimeve.
