E ndërsa studentët kanë nisur tashmë me sezonin e provimeve, fakultetet po vijojnë të detajojnë edhe afatet deri kur duhet të shlyhen tarifat vjetore të shkollimit për vitin akademik 2020-2021 pa rrezikuar nga penalitetet. Edhe për këtë vit akademik, një sërë kategorish në radhët e studentëve që ndjekin programet e fakulteteve publike do të mund të përfitojnë jo vetëm reduktim deri në masën 50 për qind të tarifës vjetore të shkollimit, por edhe përjashtim nga detyrimi për shlyerjen e kësaj pagese. Për këtë kategori tarifa do të rimbursohet në masën 100 për qind.
Autoritetet e Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës bëjnë me dije se studentët e ciklit të parë “Bachelor” kanë afat deri në datën 18 qershor për të bërë shlyerjen e tarifës së studimit, në të kundërt nuk do të mbyllin dot në kohë vitin akademik, pasi nuk do të lejohen të hyjnë në sezonin e provimeve përmbyllëse të vitit që janë duke ndjekur.
Konkretisht, për studentët që ndjekin vitin e parë të këtij cikli, tarifa e shkollimit që duhet të paguajnë brenda afatit të përcaktuar është në vlerën e 12,500 lekëve. Sa i takon rimbursimit të tarifës, sqarohet se studentët e vitit të parë, të dytë dhe të tretë që përfshin cikli “Bachelor”, të cilët kanë përfituar nga statusi sipas kategorive të ndryshme dhe me mesatare 9-10 të vitit paraardhës nuk do të paguajnë tarifë e studimi për këtë vit akademik. Sipas autoriteteve të këtij fakulteti, studentët e viteve të dyta dhe të treta, që janë me notë mesatare nga 6-9 të vitit paraardhës bëhet e ditur se do të paguajnë 50 për qind të tarifës vjetore me vlerë 12,500 lekë. Ndërsa studentët që janë me notë mesatare nën 6 nuk do të përfitojnë reduktim të tarifës së shkollimit. Kjo kategori duhet të shlyejë të plotë tarifën që është në vlerën e 25,000 lekëve.
Në të njëjtën linjë do të veprohet edhe për tarifat e studimit të programeve të ciklit të dytë “Master”. Për këtë cikël saktësohet se studentët të cilët duan që të diplomohen në muajin korrik të këtij viti, duhet me patjetër të paguajnë të plotë tarifën e shkollimit brenda datës 18 qershor. Nëse nuk shlyejnë këtë detyrim në afatin e përcaktuar do të ketë penalitete, pasi nuk do të lejohen që të hyjnë në provimin e diplomës që do të zhvillohet përgjatë muajit korrik.
Në lidhje me koston e studimeve në ciklin e dytë, bëhet e ditur se: “Studentët e ciklit të dytë “Master i Shkencave” brenda kohëzgjatjes normale të programit të studimit do të paguajnë tarifën prej 84,000 lekësh, ndërsa studentët e ciklit të dytë “Master profesional” brenda kohëzgjatjes normale të programit të studimit duhet të shlyejnë tarifën prej 66,000 lekësh”.
Autoritetet e këtij fakulteti sqarojnë më tej se studentët e ciklit të dytë që gjithashtu kanë përfituar nga statusi i kategorive të veçanta dhe me mesatare 9-10 të vitit paraardhës do të përfitojnë 50 për qind reduktim të tarifës së shkollimit që duhet të shlyejnë.
Nga rimbursimi i tarifës së studimit në këtë cikël do të përfitojnë edhe studentët që kosniderohen të shkëlqyer. “Studentët e ciklit të dytë që janë cilësuar si të shkëlqyer sipas statusit të Universitetit të Tiranës, në ciklin e parë të studimeve përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit në vitin e parë të programit master që janë duke ndjekur”, sqarojnë specialistët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës.
Aktualisht në të gjitha institucionet e arsimit të lartë ka nisur sezoni i provimeve të dimrit, i cili në pjesën dërrmuese të programeve po zhvillohet online. Ndërsa për degë të caktuara në të cilat provimet nuk mund të zhvillohen nëpërmjet platformave online studentët janë rikthyer në auditore. Për shkak të gjendjes së krijuar në vend nga pandemia e Covid-19, viti akademik 2020-2021 që në nisje është zhvilluar online, ndërkohë që nuk dihet ende dhe se sa kohë do të vijojë të zhvillohet në këtë formë.
Ja sa kushtojnë studimet tek Shkencat e Natyrës!
- Për studentët që ndjekin vitin e parë të ciklit “Bachelor”, tarifa e shkollimit që duhet të paguajnë për këtë vit akademik është në vlerën e 12,500 lekëve.
- Studentët e vitit të parë, të dytë dhe të tretë që përfshin cikli “Bachelor”, të cilët kanë përfituar nga statusi sipas kategorive të ndryshme dhe me mesatare 9-10 të vitit paraardhës nuk do të paguajnë tarifë e studimi për këtë vit akademik.
- Studentët e viteve të dyta dhe të treta, që janë me notë mesatare nga 6-9 të vitit paraardhës bëhet e ditur se do të paguajnë 50 për qind të tarifës vjetore me vlerë 12,500 lekë.
- Studentët që janë me notë mesatare nën notën 6 duhet të shlyejë të plotë tarifën e studimit që për këtë vit akademik është në vlerën e 25,000 lekëve.
- Studentët e ciklit të dytë “Master i Shkencave” do të paguajnë tarifën prej 84,000 lekësh, ndërsa studentët e ciklit të dytë “Master profesional” duhet të shlyejnë tarifën prej 66,000 lekësh”.
- Studentët e ciklit të dytë që kanë përfituar nga statusi i kategorive të veçanta dhe janë me mesatare nga nota 9-10 të vitit paraardhës do të përfitojnë 50 për qind reduktim të tarifës së shkollimit.
- Studentët e ciklit të dytë që janë cilësuar si të shkëlqyer sipas statusit të UT në ciklin e parë të studimeve përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit në vitin e parë të programit master.
