Nëse keni një histori të astmës ose alergjive, mund të jeni në rrezik të shtuar të zhvillimit të presionit të lartë të gjakut dhe sëmundjeve të zemrës, zbulon një studim i ri.
Të rriturit ndërmjet moshës 18 dhe 57 vjeç që kanë vuajtur nga një çrregullim alergjik, kishin një rrezik më të lartë të presionit të lartë të gjakut, sipas hulumtimit, i cili do të prezantohet në konferencën pranverore të Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë dhe Shoqatës Koreane të Kardiologjisë në Gyeongju, Koreja Jugut.
“Rreziku më i lartë për presionin e lartë të gjakut u gjet te njerëzit me astmë”, thanë studiuesit.
Presioni i lartë i gjakut dhe kolesteroli, së bashku me mungesën e stërvitjes, obezitetin, diabetin, pirjen e duhanit dhe gjenetikën, janë të gjithë kontribuesit kryesorë të sëmundjeve të zemrës, sipas Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Studimet e mëparshme kanë gjetur gjithashtu një korrelacion midis çrregullimeve alergjike dhe sëmundjeve të zemrës, por lidhja ishte e diskutueshme, thanë ekspertët. Në këtë hulumtim të fundit, shkencëtarët testuan hipotezën e tyre, duke përdorur të dhëna për mbi 10,000 njerëz me alergji që morën pjesë në Anketën Kombëtare të Intervistës së Shëndetit 2012, një anketë e drejtuar nga qeveria e popullsisë së Shteteve të Bashkuara.
Secili person kishte astmë ose të paktën një çrregullim alergjik, të tillë si një alergji respiratore, ushqimore ose lëkurës. Përveç rrezikut për presionin e lartë të gjakut, hulumtimi zbuloi gjithashtu një rrezik më të lartë për sëmundje koronare të zemrës për njerëzit midis moshës 39 dhe 57 vjeç me alergji. Sëmundja koronare e zemrës ndodh kur pllakat krijohen në muret e arterieve që furnizojnë zemrën me gjak.Bazuar në gjetjet e tyre, studiuesi inkurajoi mjekët që të shtojnë një vlerësim të rrezikut kardiovaskular në ekzaminimet klinike të njerëzve me astmë dhe alergji.
“Për pacientët me çrregullime alergjike, vlerësimi rutinë i presionit të gjakut dhe ekzaminimi rutinë për sëmundje koronare të zemrës, duhet të jepen nga klinicistët për të siguruar që trajtimet e hershme t’u jepen atyre me hipertension ose sëmundje koronare të zemrës,” tha autori kryesor i studimit Yang Guo, mjek në Spitalin Shenzhen të Universitetit të Pekinit në Kinë, në një deklaratë. Pulmonologu Raj Dasgupta, një asistent profesor i mjekësisë klinike në Shkollën e Mjekësisë Keck në Universitetin e Kalifornisë Jugore, shpjegon se ndërsa kërkimet e mëparshme kanë treguar këtë lidhje pyetja kryesore që duhet të gjendur sipas tij është pse-ja.
“Ne nuk mund të tregojmë vërtet shkakësi, por shkenca tregon se është e lidhur me ndërmjetësuesit pro-inflamator, gjëra që shkaktojnë inflamacion në trup. Histaminat(shkaku i panjohur i çrregullimeve mendore), për shembull, nxisin rrjedhjen e gjakut në zonën ku sulmon alergjen, gjë që bën që sistemi imunitar të dërgojë antitrupa, duke shkaktuar kështu inflamacionin. Kjo është arsyeja pse shumë ilaçe kundër alergjive janë antihistamine, të krijuara për të kundërshtuar atë përgjigje inflamatore,” tha Dasputa, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.
Megjithëse, inflamacioni është mënyra e trupit për të luftuar patogjenët, një përgjigje tepër aktive ose afatgjatë është një faktor themelor në shumë sëmundje kronike, duke përfshirë diabetin, presionin e lartë të gjakut dhe sëmundjet e zemrës.
Ai shpjegon se antihistaminet ngushtojnë rrjedhën e gjakut, ashtu si edhe medikamentet e tjera të alergjisë pa recetë.
“Ato ngushtojnë enët e gjakut jo vetëm në hundë, por në pjesën tjetër të trupit, gjë që mund të çojë në presion të lartë të gjakut dhe një rritje të rrahjeve të zemrës. Medikamente të tjera gjithashtu mund të kenë një efekt negativ në sistemin kardiovaskular, duke përfshirë steroidet(një përbërës organik biologjikisht që ndihmon në qarkullimin e gjakut) që shpesh përshkruhen për sulmet e astmës dhe urgjencat”, tha Dasgupta.
Sipas ekspertëve gjithashtu edhe steroidet rrisin presionin e gjakut, rrisin sheqerin në gjak dhe presioni i lartë dhe nivelet e larta të sheqerit në gjak janë faktorë rreziku shumë të rëndësishëm për sëmundjen e arterieve koronare dhe goditjen në tru. Ata theksojnë se ka shumë faktorë që bëjnë këtë lidhje të arsyeshme. Burimi: CNN/
Si të ruhemi nga alergjitë e pranverës
Pranvera, përveç alergjive, sjell edhe lodhje, mungesë përqendrimi, humor të keq, ankth dhe agresivitet.
Ndërrimi i stinëve, luhatja e shpeshtë e temperaturave, ndotja ambientale duket se nxisin akoma më shumë alergjitë dhe problemet me rrugët e frymëmarrjes.
Lodhje, teshtitje, stres dhe shumë herë paaftësi për t’u mbushur me frymë. Përballë këtyre shqetësimeve shumëkush bëhet merak për problemet që po shfaqen në trupin e tij, teksa të tjerë edhe mund ta nënvlerësojnë për gjendje gripale.
Por thjeshtimi i situatës jo gjithmonë është zgjidhje e problemit, pasi me kalimin e viteve, një pamundësi për t’u mbushur me frymë, teshtitje dhe skuqje lëkure mund të jenë shenjat paralajmëruese të një alergjie, për të cilën specialistët bëjnë thirrje që të mos neglizhohen.
Problematika të tilla si alergjitë kronike, sipas specialistëve, prekin në masë të madhe gratë, gjashtë herë më shumë se burrat. Bëhet fjalë për shqetësime, të cilat lidhen me cilësinë e dritës, “që shkakton ndryshime në nivelet cerebrale apo në tru”.
Pranvera provokon shqetësime edhe tek ai 10 për qindsh i popullsisë që vuan nga çrregullimet e humorit.
40 për qind vuan në mënyrë të veçantë nga “hapat” sezonalë, me manifestime që konsiderohen një përkeqësim. Pa harruar alergjitë, veçanërisht ato që vijnë nga poleni dhe nga lulet, që shkatërrojnë ditët e miliona njerëzve, duke provokuar shqetësime serioze.
Megjithatë, specialistët vënë në dukje se është konsulta me mjekun që përcakton diagnozën dhe kurën përkatëse.

Alergjitë stinore
Alergjitë stinore ashtu si edhe alergjitë e tjera, zhvillohen kur sitemi imunitar i trupit bëhet i ndjeshëm dhe reagon ndaj substancave që ndodhen në mjedis, të cilat në pjesën më të madhe të popullatës nuk japin probleme. Këto substanca apo alergjenë mund të japin teshtima, kollë dhe kruajtje. Reaksioni alergjik mund të variojë nga një gjendje thjesht e bezdisshme deri në një kërcënim për jetën. Disa alergji janë sezonale, ndërsa disa të tjera janë të lidhura me gjendje shëndetësore kronike si sinusiti dhe astma.
Alergjitë respiratore janë ndër format më të përhapura të alergjive në Europë dhe në mbarë botën. Gjithashtu, përhapja e sëmundjeve alergjike po vjen duke u rritur në Europë edhe si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike, dhe nuk kufizohet më vetëm në ndërrimin e stinëve apo në mjedise specifike. Alergjia nga polenet karakterizohet nga lotim i syve, teshtima, ndonjëherë kollë dhe astmë me shfaqje sezonale.
Me ndryshimin e stinëve, por sidomos në pranverë kur lulëzojnë bimët, ndodh një fenomen natyral, ku re të padukshme të poleneve ndjekin rrymat e ajrit dhe përhapen në atmosferë në distanca të largëta prej shumë kilometrash nga vendburimi i tyre. Polenet mund të depozitohen nga pak kudo, madje edhe në mukozën e konjuktivës, në hundë dhe në mushkëritë e personave të cilët jetojnë në këto mjedise. Individët të cilët bëhen të ndjeshëm ndaj proteinave alergjike të lëshuara nga polenet, reagojnë me simptoma klinike.
Riniti alergjik (me ose pa konjuktivit) prek 60% të popullatës në Europë, nga të cilët 15%-20% vuajnë një formë të rëndë të sëmundjes. Vlerësohet se astma alergjike prek 5%-12% të popullatës në Europë.
Kush është në rrezik për alergji ?
Çdo njeri mund të ketë apo të zhvillojë një alergji, që nga i porsalinduri e deri tek i rrituri.
Këshilla të përgjithshme:
Në momentin që shfaqen simptomat e një alergjie respiratore, fillimisht duhet shkuar te mjeku apo specialisti për të vendosur saktë diagnozën dhe për të identifikuar alergjenin (ose alergjenët) ndaj të cilëve ju jeni të ndjeshëm, në mënyrë që të përcaktohet saktë terapia dhe masat e nevojshme parandaluese përpara fillimit të stinës së poleneve (pranverës). Si mënyrë parandaluese mund të sugjerohet klima detare, pasi në këto vende përqendrimi atmosferik i poleneve është relativisht i ulët.
Për individët të cilët janë të diagnostikuar me një formë alergjie po japim disa këshilla.
Gjatë periudhës së poleneve evitoni:
Daljet në orët e përqendrimit më të madh të poleneve në atmosferë, duke preferuar më shumë daljet në mëngjes dhe në darkë vonë
Rrugët me trafik dhe mjediset e gjelbëra.
Shëtitjet nëpër lëndina, sidomos nëse ka erë.
Dritaret e hapura kur udhëtoni me makinë.
Aktivitetet në natyrë në orët e drekës, sidomos në ditët me diell dhe me erë.
Gjithashtu:
Merrni frymë me hundë pasi në këtë mënyrë filtrohet ajri që në hyrje, ose mbani një maskë kundër pluhurit.
Lani flokët sa më shpesh pasi polenet që ndodhen në ajër mund të kalojnë në flokë dhe më pas të depozitohen në jastëk gjatë gjumit.
Bimët janë përgjegjëse për alergjitë ndaj poleneve, dhe alergjitë janë të ndryshme pasi ne kemi një shumëllojshmëri bimësh. Edhe pse bimët alergjike janë të përhapura më shumë në zonat rurale sesa në ato urbane, polenet prekin më shumë njerëzit që jetojnë në qendrat e qyteteve, aty ku trafiku i makinave është shumë i madh. Vëzhgimet kanë treguar se efekti i alergjenëve të çliruar nga polenet vjen duke u rritur nga ndërveprimi me ndotësit e ajrit dhe ndotësit që nxjerrin makinat.
Mënyra më e mirë për të parandaluar alergjitë është të shmanget kontakti me lëndët apo substancat alergjike, por në rastin e alergjive stinore, të cilat janë kryesisht nga polenet, është e vështirë të evitohet kontakti, pasi kjo kërkon qëndrimin larg ambienteve të hapura në periudhën e përhapjes apo migrimit të poleneve, mbajtjen mbyllur të dritareve, përdorimin e filtrave të ajrit, etj. Simptomat mund të zbuten nëpërmjet marrjes së medikamenteve të rekomanduara gjithmonë nga mjeku.
