Sipas një studimi të fundit të Bankës Botërore, më pak se gjysma e popullsisë jeton në zona urbane dhe më shumë se nje e treta e atyre që jetojnë në këto zona, janë të varfër. “Në Shqipëri, 42 për qind e popullsisë është urbane. Pjesa e të varfërve në zonat urbane është 31 për qind dhe gati të gjithë këta jetojnë në qytete me të njëjtën madhësi”, thotë studimi.
Ndërsa sipas PNUD, organizatës për zhvillim të Kombeve të Bashkuara, në Shqipëri rreth 3 mijë familje jetojnë në varfëri ekstreme, ndërsa 7.4 për qind e popullsisë janë poshtë vijës së varfërisë. Këto janë përfundimet e pasqyruara në raportin e fundit të PNUD për Zhvillimin Njerëzor. Studimi është realizuar mes 187 shtetesh, mes të cilave edhe Shqipëria, duke iu referuar të dhënave të vitit 2012. Tek ne 1,4 për qind e popullsisë jeton në varfëri shumëdimensionale, ndërsa 7,4 për qind e popullsisë ishte vulnerabël ndaj mangësive të shumëfishta. “Intensiteti i mugesave, që do të thotë përqindja mesatare e mungeses, me të cilin përballen njerëzit që jetojnë në varfëri shumëdimensionale, në Shqipëri eshte 37,7 për qind”, thuhet në raportin e PNUD të vitit 2013.
E megjithatë, edhe individët që jetojnë mbi vijën e varfërisë, përballen me mangësi të shumta në arsim, shëndetësi dhe kushte të tjera të jetesës. Niveli i varfërisë është kudo funksion i nivelit të papunësisë. Zyrtarisht, në Shqipëri kemi mbi 800 mijë persona në moshë pune, që nuk janë as në forcën e punës, as në tregun e punës. Mund të na e thotë qeveria dhe INSTAT-i, ku janë këta njerëz? Ata janë midis nesh, duke u rropatur të gjejnë një punë, por që nuk kanë hyrë në asnjë nga statistikat e shtetit shqiptar. Treguesi i papunësisë bëhet më alarmant, nëse mbajmë parasysh që rreth 55 përqind e të punësuarve janë në bujqësi. Dhe, INSTAT-i e quan të punësuar në bujqësi çdo person që zyrtarisht ka në zotërim tokë të përfituar nga Ligji 7501. Por realiteti tregon se vetëm rreth gjysma e fuqisë punëtore të fshatit është e zënë me punë, madje edhe ajo punon me rreth gjysmën e produktivitetit. Sipas anketës së forcave të punës, të kryer nga vetë INSTAT-i, rezulton se shërbimet publike të punësimit janë shërbimet e fundit të cilave u drejtohet një i papunë shqiptar që kërkon të punësohet. Ai ngelet i papunë, i varfër, nga mungesa e thellë e shpresës dhe besimit tek strukturat shtetërore që e kanë për detyrë ta ndihmojnë. Numri zyrtar i të papunëve tek ne llogaritet në tavolinë dhe jo sipas standardeve të Organizatës Ndërkombëtare të Punësimit (ILO). Informacionet që ofrojnë burimet tona zyrtare për nivelin e varfërisë janë të diskutueshme. Si rregull global, varfëria është rreth dy herë më e lartë se papunësia. Pyetja me mburrjet qeveritare shtrohet: si ka mundësia që brenda 6 viteve varfëria të ulet me ritme galopante, madje të përgjysmohet, ndërsa papunësia të ulet vetëm me rreth 2-3 përqind? Cilët faktorë kanë ndikuar në uljen e varfërisë, nëse jo punësimi? Si ka mundësi që numri i të papunëve nuk ndryshon, ndërsa numri i të varfërve ulet? A ka mundësi të ndodhë që numri i të varfërve të jetë më i vogël se numri i të papunëve, në një kohë kur dihet se në Shqipëri papunësia nuk është një zgjedhje individuale, por pasojë e padëshirueshme, fatalitet? Vetëm në Shqipëri ndodh që varfëria të jetë më e ulët se papunësia. Në asnjë vend tjetër nuk ndodh kështu. Kjo është një ligjësi e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, të paktën e vendeve europiane. Papunësia, duke qenë një shkak i varfërisë, shtyn poshtë vijës së varfërisë edhe pjesëtarët e familjes së të papunit. Si rregull, njerëzit varfërohen se nuk kanë punë, dhe jo e anasjellta. Me uljen e fortë të rritjes ekonomike këto tre-katër vitet e fundit, shifrat e papunësisë dhe varfërisë, megjithë makiazhin dhe deformimin e statistikave zyrtare, janë në rritje të frikshme. Dhe këtë rritje të varfërisë në Shqipëri nuk ka më asnjë informacion “rozë” shtetëror që ta mbulojë. Statistikat dhe shifrat e studimeve të organizatave ndërkombëtare tek ne konfirmojnë atë ndjesi që kemi të gjithë, kur shohim emrat e shtuar me herë në listat e atyre që në ushqimore dhe në furrat e bukës marrin mallra pa mundur të paguajnë.
Jam i sigurt se kto te dhena i ke marr nga zyra e Edi Ramas.Ju nuk dini se cfar thuani.