Qytetarët shprehin shqetësimin se vendi po shkon në drejtim të gabuar përsa i përket papunësisë, çmimeve etj. Ky është rezultati i një hulumtimi të realizuar nga Instituti Demokratik Amerikan.
“Megjithatë, rekomandimi i Komisionit Europian për t’i ofruar Shqipërisë statusin e kushtëzuar kandidat për anëtarësimin në BE shihet nga pjesa më e madhe e pjesëmarrësve si një shenjë optimizmi dhe përmirësimi, si dhe një nga treguesit kryesor për disa se vendi po ecën në rrugën e duhur”, vëren hulumtimi.
Raporti është hartuar në bazë të dhjetë grupeve të fokusuara të zhvilluara në Tiranë, Shkodër, Fier dhe Korçë nga data 10 – 18 Tetor 2012. Hulumtimi tregoi se pjesëmarrësit në grupet e fokusuara e kanë të qartë se çfarë duan – një të ardhme ku ligjet respektohen, rregullat zbatohen njëlloj për të gjithë, standardet e jetesës janë më të larta, si dhe vlerat njerëzore çmohen dhe nderohen. Ata shprehen se sistemi politik në vend nuk po arrin të adresojë nevojat e tyre më themelore dhe është shumë larg pritshmërive të tyre.