Një raport i fundit i kryer në bashkëpunim me Bankën e Amerikës, tregon një mendësi të mbrapshtë të gjeneratës së re për menaxhimin e financave të tyre. Në studim përfshihen persona të moshës nga 18 deri në 34 vjeç. Sipas këtij raporti, një ndër tre të rinj, gëzojnë ende mbështetjen financiare të familjes.
Por, e dhëna më shqetësuese duket se është paaftësia e tyre për të vënë mënjanë kursime. Ekspertët vlerësojnë se kjo gjeneratë nuk është në gjendje të japë rezultate afatgjata. Thuajse një e treta e kësaj grupmoshe, nuk ka një llogari kursimi. Nga ana tjetër, pjesa dërrmuese e atyre që kanë një llogari të tillë, rreth 60%, kanë më pak se 5000 dollarë kursime.
Rreth 20% e të rinjve nga mosha 26 deri në 34 vjeç deklarojnë se marrin ndihmë financiare rregullisht nga familja e tyre. Studimi nxjerr në pah gjithashtu faktin se pjesa më e madhe e të rinjve janë të fokusuar kryesisht në objektivat afat-shkurtër. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, regjistrohet në një rritje galoponte sektori i konsultave financiare, i cili ka për synim pikërisht të rinjtë.
Ekspertët shprehen se gjenerata e re e ka të pamundur në kushtet e sotme të fillojë të kursejë apo të mendojë për fonde emergjence, pikërisht për shkak të kostove në rritje, sidomos për sa i përket arsimimit.
Një raport tjetër në Shtetet e Bashkuara, tregon gjithashtu se një në dhjetë të rinj, i drejtohen overdraftit më shumë se 10 herë në vit. Ekspertët financiar këshillojnë, që kursimet mesatarisht duhet të mbulojnë nga 3 deri në 6 muaj shpenzime jetike, si ato për ushqimin, shtëpinë, dhe pagesat e faturave.
