Në një nga qytetet më të populluara të planetit, një moment paqeje dhe qetësie mund të jetë i vështirë për t’u gjetur. Por Kristin Westbrook i ofron kalimtarëve një pushim mendor nga jeta e ngarkuar e qytetit. Calm City është një studio lëvizëse meditimi që gjithashtu duket si një kamion ushqimi.
Që prej majit, Westbrook, një mësuese e certifikuar e meditimit, ka ofruar meditim të udhëhequr brenda mjetit të saj. Sesionet kushtojnë 10 dollarë për 10 minuta. Susan, një vizitore nga Masaçusets, e vuri re kamionin e parkuar ndërkohë që kthehej në hotelin e saj dhe ndaloi për një sesion.
“Doja ta bëja po aq të përshtatshme si një kamion ushqimi. Që ju të vini, të qetësoheni për 10 minuta, të lidheni me veten dhe të riktheheni në punë, pa u angazhuar për shumë kohë ose distancë të gjatë. Ja përse më lindi ideja e një studioje lëvizëse. Përgjithësisht, meditimi është 20 minuta, por 10 minuta janë vërtet të mjaftueshme për të risjellë vëmendjen tek frymëmarrja, në këtë rast,” – tha Westbrook.
Studioja lëvizëse Calm City mund të mirëpresë deri në 9 persona njëkohësisht dhe ofron një hapësirë të qetë për të medituar. Westbrook tha se kjo ide i lindi teksa punonte si drejtoreshë kreative në Midtown Manhattan.
Westbrook tha se ajo ka filluar të meditojë në vitin 2001 dhe i jep meritat kësaj praktike që e ka ndihmuar dy herë në luftën e saj me kancerin e gjirit.


