Suazilendi, monarkia e fundit absolute në Afrikë

anazapta

E përjavshmja “The Economist” i dedikon një artikull një shteti të vogël në jug të kontinentit afrikan. Është fjala për Suazilendin e varfër, por me një sovran që përveç pushtetit absolut gëzon edhe “bonusin” për të zgjedhur virgjëresha për haremin e tij

Në një artikull me nota ironike, “The Economist” tregon mbi aktualitetin e Suazilendit, monarkisë së fundit absolute në Afrikë, e cila ndodhet në një periudhë ndryshimesh të “mëdha”, duke filluar pikërisht nga “emri” i formës së qeverisjes. Më 30 gusht, mbreti Mswati III deklaroi se kishte marrë një vizion nga Zoti: vendi nuk do të quhet më një monarki absolute, por një “demokraci monarkike”.

“Chatham House”, një institut me bazë në Londër i specializuar në çështjet ndërkombëtare, ka zhvilluar hetime për të zbuluar se çfarë nënkuptonte mbreti sipas banorëve të Suazilendit, një shtet me sipërfaqe pak më shumë se 17 mijë km2.

Pavarësisht interpretimeve të ndryshme, askush nuk ishte shumë i qartë në lidhje me deklaratën e monarkut të tyre. Sigurisht që mbi formën aktuale të qeverisjes nuk ka shumë dyshime: ndonëse më 20 shtator do të mbahen zgjedhjet parlamentare, duhet nënvizuar mungesa e domethënies së tyre: partitë politike në këtë vend janë të ndaluara.

Kandidatët e parlamentit zgjidhen përmes votimeve paraprake. Nga 65 anëtarët e Dhomës së Ulët, 10 prej tyre përcaktohen drejtpërdrejt nga mbreti, i cili zgjedh edhe 2/3 e anëtarëve të Senatit, aty ku merren të gjitha vendimet e rëndësishme. Por, ekspertët e “Chatham House” thonë se këto zgjedhje mund të mos jenë si ato që janë zhvilluar në të kaluarën.

Në votimet paraprake do të marrin pjesë shumë kandidatë “reformistë”, madje “ëndrra misterioze” e mbretit mund të paraprijë një sërë ndyshimesh në qeverinë e vendit.

Që Suazilendi ka nevojë për ndryshime, kjo s’do mend. Ndodhet në jug të kontinentit afrikan dhe është i rrethuar në veri, jug e përëndim nga shteti i Afrikës së Jugut, ndërsa në lindje kufizohet me Mozambikun.

Ka rreth 1.2 milionë banorë dhe një PBB prej rreth 3 miliardë eurosh. Shpenzimet kryesore të shtetit shkojnë për mbajtjen e mbretit, 14 grave të tij zyrtare dhe fëmijëve të tyre, si dhe për konkubinat e panumërta dhe fëmijët e tyre. Kushtojnë po aq shumë edhe 13 vilat mbretërore dhe shërbimet e shumta të sigurisë.

Përballë të gjitha këtyre shpenzimeve, të ardhurat që hyjnë në vend janë të pakta. Pjesa më e madhe prej tyre vjen nga taksat e industrisë së sheqerit, e cila megjithatë ndodhet në krizë, fiton gjithnjë e më pak dhe si rrjedhojë detyrimet ndaj shtetit janë minimale.

Suazilendi bën pjesë në një union doganor bashkë me fqinjët e Afrikës së Jugut, Namibisë e Lesothos dhe falë kësaj marrëveshjeje përfiton të ardhura të shumta por në disproporcion me kontributin e saj. Ky burim të ardhurash mund të zbehej përnjëherë vetëm nëse fqinjët vendosin të mos jenë më kaq bujarë.

Burimi tjetër më i rëndësishëm për qeverinë është ndihma vjetore prej 150 milionë eurosh që merr nga Taivani. Në këmbim, shkruan “Economist”, “ Suazilendi thotë fjalë të mira në OKB mbi mirëbërësin e saj jashtë sferës së ndikimit kinez në Afrikë. Edhe pse nuk ka kushedi çfarë në këtë vend që mund t’i interesojë Kinës”.

Suazilendi është një vend i varfër edhe për standardet afrikane. Më shumë se 60% e banorëve jeton nën kufirin e varfërisë absolute, edhe pse ky numër është zvogëluar disi gjatë viteve të fundit. Një e katërta e forcës puntore është e papunë. Të paktën 31% e popullsisë është me HIV, përqindja më e lartë në botë. Përveç këtyre problemeve, mbeten ato të përhershmet në pothuaj të gjitha vendet afrikane: korrupsion i përhapur në shkallë të gjerë, sistemi gjyqësor që nuk funksionon dhe mungesë infrastrukturash.

Nuk është akoma e qartë nëse ndryshimet e planifikuara do të vihen në zbatim dhe as nëse do të sjellin përmirësimet për të cilat vendi ka nevojë, përfundon “The Economist”./D.Gjuzi

Share This Article
1 Comment
  • Edhe ne korrupsionin me standarte afrikane e kemi. Madje me stadarte afrikane e kemi edhe krenarine per korrupsionin. Perfytyro kemi nje batalion me politikane dhe gjasme-gazetare-analista mediash qe jane te korruptuar ne financa dhe ne shpirt dhe mbahen me te madh per kete qe bejne. Respekte Dita

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *