Deputeti i PS-së Armando Subashi i cilësoi gënjeshtra deklaratat e kryeministrit duke I kërkuar sërish uljen në tryezë për zgjidhjen e çështjes së Fierit.
“Kryeministri Berisha doli dhe na akuzoi se jemi tërhequr nga çështja e Fierit dhe po bëhemi pengesë për integrimin. Ne nuk jemi tërhequr nga çëshjta e Fierit. Berisha ka mbi tavolinë vendimet e gjykatave që me formë të prerë i kanë dhënë të drejtë 11 këshilltarëve të ulen në karrigat e tyre. Por Berisha duke mos pasur asnjë argument për Fierin ka frikë të ballafaqohet. Gjykata është e qartë në vendimet që kanë dhënë tani mbetet vetëm zbatimi i tyre. I bëjmë thirrje Sali Berishës të ulet në tryezën e partive parlamentare për të zgjidhur çështjen e Fierit. Fieri është çështje e vullnetit politik pasi vendimet e gjykatave janë në tavolinën e kryeministrit dhe ai duhet vetëm t`i zbatojë vendimet” tha Subashi.
Gjithashtu, deputeti Subashi ka shpjeguar edhe arsyen e tërheqjes së padisë nga gjykata e Fierit ana e Vangjel Ndrekos.
“Në Gjykatën e Fierit kishte ngelur një çështje e pagjykuar që zvarritej nga një gjyqtar politik. Kishim kërkuar pavlershmërinë e mbledhjes së këshillit të qarkut të datës 16 nëntor të vitit të kaluar ku u shpall si kryetar qarku edhe Artur Shehu dhe kjo ishte një mbledhje e turpshme” tha Subashi
Ai shtoi gjithashtu se “Kjo padi që ne e kemi paraqitur do të kishte vlerën e vet nëse do të ishte gjykuar për 30 ditë siç e parashikon edhe ligji. Kjo çështje në themel është e zgjidhur dhe s`ka vend për asnjë interpretim apo të ndonjë mendimi ndryshe. Në padi ne kemi theksuar se kjo mbledhje është thirrur në kundërshtim me ligjin dhe 14 këshilltarët që ishin në mbledhje nuk kishin mandat të ligjshëm përfaqësimi”.
“Sot kësaj çëshjet i kanë thënë zgjidhje gjykatat me vendime të formës së prerë. Mandatet e këshilltarëve janë të paprekshme dhe anëtari i qarkut nuk mund të zëvendësohet nga këshilli i bashkisë. Kjo mbledhje ka qënë e paligjshme dhe për rrjedhojë ajo s`ka vlerë” tha Subashi.
Historiku i ankimimeve
Në datën 04.11.2011, Prefekti i Qarkut Fier, nxorri aktin administrativ nr. 684/15 prot/ me anën e të cilit thërriste në mënyrë të paligjshme mbledhjen e rikonstituimit të Këshillit të qarkut Fier në datën 16.11.2011.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me kërkesë të Z.Vangjel Ndreka, me Vendimin nr. 1725 datë 12.11.2011, vendosi pezullimin e zbatimit të Aktit Administrativ nr. 684/15 prot. datë 04.11.2011 të Prefektit dhe urdhëroi mosthirrjen e mbledhjes në dt. 16.11.2011.
Ky Vendim gjyqësor është lënë në fuqi me vendimin nr. 11 datë 26.01.2011 të Gjykatës së Apelit Vlorë e cila e ka deklaruar të paligjshme mbledhjen e këshillit të qarkut të zhvilluar në datë 16.11.2011, në të cilën është zgjedhur kryetar i këshillit të qarkut Z. Artur Shehu.
Akuza e Berishës
Pas vendimit të Vangjel Ndrekës për t’u tërhequr nga padia që ka bërë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier, Kryeministri Berisha ka akuzuar ashpër kreun e opozitës Edi Rama. Sipas tij, Rama e përdori Fierin si një skenar për të bllokuar statusin e vendit kandidat. “Unë dua të informoj qytetarët shqiptarë se pikërisht sot, një ditë pas 20 nëntorit, e fiksuar në raportin e Komisionit Europian, si një datë para së cilës duhet të votoheshin tre ligjet, në mënyrë që Komisioni të bënte raportin për Këshillin, zoti Edi Rama, në një intrigë e lojë të turpshme, të paimagjinueshme, në kurriz të çdo shqiptari, urdhëroi zotin Vangjel Ndrekën të tërhiqet nga padia gjyqësore. Misioni u krye, ndaj nuk duhet më gjykimi.në këtë 100 vjetor, del njëqind herë e vërtetë ajo që ka thënë Faik Konica: Zoti e ruajt Shqipërinë, nga shqiptarët”, u shpreh berisha, gjatë mbledhjes së qeverisë, lidhur me një çështje të tillë. Në gjykimin e kreut të mazhorancës, “kjo që ndodh është një intrigë e përmasave makbethiane, në kurriz të shqiptarëve ndershëm, pasi Ramës Fieri i duhej vetëm për t’i krijuar pretekstin e bllokimit, pretekstin e një vendimi absurd”.
Argumenti i PS-së
“Kishim kërkuar pavlefshmëri të mbledhjes së turpshme ku u zgjodh kryetar Artur Shehu. Por çështja e Fierit është zvarritur nga një gjyqtar i komanduar nga Berisha. Gjykatat i kanë dhënë zgjidhje të formës së prerë kësaj çështjeje, mandatet e këshilltarëve të qarkut janë të paprekshme. Kjo mbledhje e thirrur nga prefekti ka qenë tërësisht e paligjshme”, ka sqaruar dje për opinionin publik deputeti i PS-së, Armando Subashi. Në këtë mënyrë, duke iu kundërpërgjigjur akuzave të Kryeministrit, Berisha, Subashi i kërkoi këtij të fundit që të mos ngrihet mbi vendimet e gjykatave, të cilat janë të formës së prerë, por të ulet në tavolinë me PS për ta zgjidhur nga pikëpamja politike këtë çështje, duke i hapur kështu rrugën integrimit të vendit. “Ne nuk jemi tërhequr nga çështja e Fierit. Berisha ka mbi tavolinë vendimet e gjykatave që me formë të prerë i kanë dhënë të drejtë 11 këshilltarëve të ulen në karriget e tyre në këtë këshill. Berisha nuk ka asnjë arritje për integrimin, ndaj kërkon ta bllokojë dhe provë për këtë është rasti i Fierit. Vendimi i gjykatave është i formës së prerë. I bëjmë thirrje Berishë që të diskutojmë çështjen e Fierit në një tryezë bisedimesh, në mënyrë që të zgjidhet edhe çështja e integrimit. Kjo çështje është e zgjidhur nga pikëpamja ligjore. Drejtësia ka folur dhe është në anën tonë”, nënvizoi deputeti socialist, duke bërëtë qartë në këtë mënyrë, pozicionin e palëkundur të i Partisë Socialiste, lidhur me një çështje të tillë.