Moikom Zeqo
Substancë dhe motive të imagjinatës
DINOZAURI
A është e mundur që vetëm me një fjali të përmbledhësh (koncentrosh) tërë botën (botërat)? A ka një mundësi të tillë? Ç’ambicie e rrezikshme! Ambicie këndellëse!
A ka gjasa që hamendësimin rebel ta kthesh në një teknikë mendore (letrare)? Në një apologji? Në një sugjestion të paparë?
Teksti “Dinozauri” i shkrimtarit guatemalas Augostino Monterroso përmban një fjali të vetme:
“Kur u zgjua, dinozauri ishte ende aty.”
Mario Vargas Llosa e quan këtë tekst si tregimin më të shkurtër dhe më të mirë në botë, papërballueshmërisht bindës, mrekullisht i saktë, përsosmërisht dramatik, plot ngjyrë, forcë tronditëse, qartësi.
Ky tekst mban brenda vetes të gjitha leximet e tjera të mundshme, tejet të larmishme të rrëfimit minimalist, për shkak të këndvështrimeve kohore të plleshme, alternative.
Në ç’kohë zhvillohet rrëfimi ? Në të kryerën e thjeshtë. Pra, rrëfyesi vendoset në të ardhmen, duke treguar diçka që ka ndodhur – kur ? Në të shkuarën e mesme.
Pse koha e tregimit është e shkuara e mesme dhe jo e shkuara e afërme përkundrejt kohës së rrëfyesit ? Midis këtyre dy kohëve ka një humnerë të pakapërcyeshme, një hendek, një pengesë që i fshin të gjithë lidhjet e vazhdimësisë midis tyre. Veprimi kufizohet brenda një të kaluare të mbyllur, të ndarë nga koha në të cilën jeton rrëfyesi.
Afërsia kohore me rrëfimin arrin pikën kulmore, ndërsa kur rrëfyesi e tregon historinë në të shkuarën, ajo është në pikën më të ulët.
Rrëfyesi e vendos veten në tashmen, ose në të ardhmen për të rrëfyer ngjarje që tashmë kanë ndodhur, apo që po ndodhin në kohën që po rrëfehen.
Mario Vargas Llosa parasheh edhe tri modele që mundësohen nga kohët foljore : 1. “Do të zgjohesh, dhe dinozauri do të jetë akoma aty.”, 2. “Kur të zgjohesh, dinozauri do të jetë akoma aty.”, 3. “Kur të jesh zgjuar, dinozauri do të jetë akoma aty.”
Koherenca e sistemit kohor është krejt konvencionale, e lëvizshme, sa e vërtetë aq edhe e rreme, shumëformëshe, me përmbajtje semantike përherë në ndryshim dhe mospërputhje elegante, dinake.
Teksti – një fjali e vetme, e Augostino Monterroso-s është vërtet një habi konceptuale. Kjo tregon se intelekti i një shkrimtari është më i çuditshëm dhe më rebel se sa ai i një matematikani a një fizikani.
Mahnitja e Llosa-s është jo shteruese, por mjaft stimuluese, drithëruese dhe grishëse pambarim.
Më pak i përgatitur për këtë sfidë, me imagjinatë më të plogët unë shkruesi i këtyre radhëve modeste jam sfilitur për një kohë të gjatë për të kuptuar diçka më shumë, ose diçka më konkrete, për të mos e zbehur shkëlqimin rrezëllitës rënë në nivelin (vesin e urryer) të komenteve të komenteve i kam shkruar disa sinopse, krejt pakujdesshëm dhe naivisht. Janë më tepër përafërsime po jo indentike.
Sinopsi A. Qenia neandertalase është një e tashme e shtazës dhe një e ardhme e njeriut. S’ka ende emër, por shqisat e tij perceptojnë gjithçka. Ka një heshte me majë të mprehtë stralli. Jeton për të vrarë.
Sapo e ka vrarë një mamuth (gjithashtu ende i paemërtuar)
E ka shqyer mishin e mamuthit dhe e ka ngrënë.
Pastaj ka rënë në gjumë të rëndë. Ëndërron një shkëmb, ose një mal që lëviz së bashku me drurët. Kjo nuk e çudit, as e tmerron. Ëndërra është lëvizje e gjithçkaje, ndryshe s’mund të jetë ëndërr.
Çdo ëndërr e tij është plot mamuthë. Mamuthët që i vret dhe i konsumon në ëndërr janë sërishmi mish, çdo gjë e zhbërë ribëhet. Mendimi i tij parak, primitiv është i plotfuqishëm, me krijimin e mrekullinë e rikrijimit.
Neandertalasi mendon se e ha mishin e mamuthit pikërisht që ëndërra të ribëjë të njëjtin mish. Ky është sekreti i parë i admirimit (shenjtërimit) të mamuthit që vritet për të mos u vrarë, ose mbijeton duke u vrarë papushim.
Ai e di se trupi i tij është shumë herë më i vogël se sa i mamuthit. Duke e futur në këtë trup trupin (trupat) e mamuthit nuk e kupton rritjen dhe shtimin e përmasave në hapësirë, por as idenë (procesi i ideve është ende i pa ftillëzuar dhe i brishtë tek neandertalasi) se e vogla e gllabëron (e koncentron) të madhen.
Ëndrra është mundësia për t’u shndërruar në njeri, pra të tjetërsohet në kohë. Dhe kjo gjë është ndryshimi. Jeta ndryshe. Kur shtazorja fuqizohet nga shtazët dhe ëndërra krijon mendimin abstrakt.
Neandertalasi zgjohet.
Po e rishkruaj fjalinë e pabesueshme:
“Kur u zgjua, dinozauri ishte ende aty.”
E artikuloj paradoksin logjik. Neandertalasi ishte, por shkrimtari duhej edhe miliona vjet që të ishte. Pra vetë kjo fjali si shkrim grafik nuk ishte, pafundësisht nuk ishte.
Zgjimi i neandertalasit ka ndodhur vërtet. Ai zgjohet, kjo nuk vihet në dyshim, por pjesa e dytë e fjalisë (frazës) është fati një surrealizëm mendor (natyror) i frikshëm dhe hokatar, diçka futuristike në një të kaluar gati të pakonceptueshme.
Në rrafshin logjik neandertalasi ishte, por edhe mamuthi ishte.
Po dinozauri? Dinozaurët qenë zhdukur përpara mamuthëve. Pra ishte shumë më herët se sa të ishte gjatë gjumit të neandertalasit që pa në ëndërr diçka të pashqisuar në kohë dhe në hapësirë.
Ai u zgjua për të parë, atë që s’e kishte parë kurrë.
Ai pa dinozaurin, që realisht nuk kishte se si ta shihte dot.
Dinozauri u shfaq « aty » (në realitet) kur ai s’mund të shfaqej « aty ». Asnjë neandertalas s’mund ta shihte dinozaurin, sepse ishin në kohë të ndryshme, që s’mund t’i bashkonte e vetmja hapësirë.
Kur dinozauri ishte neandertalasi nuk ishte. Nëse ata janë bashkë ahere çdo gjë është një përmbysje ose një absurditet.
Shkrimtari i shekullit XX (ah, Agustino Monterroso !) me pak fjalë guxon dhe e manipulon realitetin e dikurshëm që s’është realiteti bashkëkohor.
Çdo gjë letrare është sfidë dhe mosrespektimi i reales së mirëfilltë, një profanim i vrazhdë dhe gjoja një sublimim elegant dhe naiv.
E ardhmja e deformon të shkuarën. Ja rrezikshmëria e pashmangshme e zhvillimit ! Teoria e letërsisë konceptohet si një risi ambikuide ! Kështu zanafillohet çdo modernizëm !
Nëse neandertalasi zgjohet dhe sheh dinozaurin ahere ai del, çlirohet nga realiteti i tij për të mërguar para lindjes në një tjetër realitet që ishte kur dinozauri ishte, por neandertalasi s’ishte. Pra edhe letërsia është për gjërat që s’janë.
Sinopsi A e ka një rrëfim (që s’ka ndodhur.) Neandertalasi u zgjua por edhe dinozauri u zgjua. Instinktivisht neandertalasi e qëlloi me heshtën me majë stralli që u thye tek luspat kockore të dinozaurit.
Dinozauri hapi nofullat e pabesueshme dhe e kapërdin neandertalasin (së bashku me mamuthët që kishte ngrënë dhe ëndërrat e tij). Kjo ishte si një fantazmë të ushqehej me një qenie të gjallë.
Njeri prehistorik e ha mamuthin, dinozauri e ha edhe njeriun edhe mamuthin edhe heshtën me majë stralli.
Mund të shtoj edhe një hollësi plotësuese. Dinozauri në kohën e neandertalasit dhe të mamuthit qe Dinozauri i vetëm dhe i fundit që kishte mbijetuar në fakt.
Kapërdimi i tij kështu qe tmerrësisht i vërtetë, duke e shmangur teprinë e fantazisë.
Sinopsi B. Në shekullin XII mbas Kryqëzimit të Tënëzot djaloshin viking Ugrastruh Omn, 12 vjeç, e rrëmbyen ca piratë bizantinë në brigjet e Sicilisë.
E shitën si skllav në Jerusalem, ku e bleu një karvanar etiopias i deveve të kuqe (i ngjyroste me këna). Djaloshi viking qe me lëkurë të kuqërremtë dhe sy të kaltër. U lye edhe ai me këna dhe së bashku me devetë kuptoi egërsisht dhe me imtësi botë e shkretëtirave plot akrepa dhe gjarpërinj me zile.
Pronari i karvanit i mësoi djaloshit formën primitive dhe ekzotike të krishterimit kopt dhe i tregoi se Arka e Shenjtë me dy Tabelat që Moisiu i mori në malin Sinai qe fshehur në një nga kishat e gdhendura në shkëmb në Etiopi. Arka qe e pagjetëshme se kur njerëzit i afrohen vendit sekret Zoti u merr kujtesën, shikimin dhe fjalët.
Djaloshi i kaloi 7 vjet mes etjes nën Diellin përvëlues, stuhive të rërës, i neveritur nga qumështi i thartuar i deveve dhe hurmat velëse të oazeve. Pronari i dinte shumë gjuhë të popujve dhe fiseve. Vikingu mësoi prej tij gjithçka, sidomos komunikimin me pantomimat dhe gjestet universale.
Me kalimin e kohës ai e harroi vendin e origjinës dhe gjuhën e të parëve, përveç faktit (legjendës) që vikingët qenë detarë dhe gjahtarë dragonjsh.
Netëve mbi duna, nën palmat misterioze e ndjente në ëndërr ngjizjen e një vegimi, atë të një dragoi përbindësh plot brirë dhe me koracë kockore dhe krahë membranash fluturuese. Kur zgjohej nuk e kuptonte se ç’qe ky vegim i frikshëm.
Përpiqej ta harronte. Por qe e pamundur.
Gjatë një udhëtimi nga Maroku drejt Judesë në një mesditë e pa mbi dunat e rërës mirazhin. Mbi ajër u shfaq figura e një kafshe kolosale shumëformëshe që lëkundej por nuk ulërinte. Nuk i ngjante, nuk qe e njëjtë me përbindëshin e ëndrrës, por s’mund të besonte me siguri (pa dyshime) se s’kishte asnjë lidhje me të, qoftë tërthorazi, ose simbolizëm metaforik. Kafsha e mirazhit qe mbi peizazhet e një qyteti të panjohur, ku lëvizte edhe një anie vikinge që kishte figurën e bashit kokën e një deveje hyjnore.
Pas mirazhit optik u dukën ca kalorës me shpata dhe parzmore të ndritshme që edhe kuajt i kishin të veshur me hekur.
U sulën mbi karvanin me një vrull të ftohtë dhe kalkulim të sigurtë. I masakruan të gjithë njerëzit e deveve duke përfshirë edhe pronarin etiopias.
Por vikingun e ri e kursyen. Kryqtarët qenë francezë. E kuptuan se vikingu qe një racë tjetër, e afërt me fizionominë e tyre.
E pyetën dhe kur vikingu u tha se e kishin rrëmbyer dhe shitur si skllav ndjenë një motivim për t’ia kthyer lirinë.
I vranë devetë, « këto krijesa të Djallit », siç i quajtën më tepër nga mospëlqimi estetik se sa nga padituria, i dhanë një kalë djaloshit dhe e bënë kalorës.
Nga ky çast historia e Ugrastruh Omn-it (pronari i karvanit e kishte quajtur si Aladin) u lidh me beteja në periferitë e Jerusalemit, pastaj në Antioki, në brigjet e Libisë e në shumë vise pa emra.
Kryqtarët e quajtën Florimont. Aventurat e tyre qenë një tërbim, një shtegtim i verbër mes gjakut. Me shpatat e tyre çanin, plagosnin të Panjohurën, që vetëm i gëlltiste. E humbën vetëdijen se ku shkonin, s’dinin më se ku lëviznin. Kudo prita në çdo shteg, rrëpirë pylli apo breg lumi.
Kalorës arabë hipur mbi deve me flamurin e gjelbër të profetit Muhamed i sulmonin, i qëllonin me shigjeta të helmuara.
Kështu kryqtarët që e besonin Zotin Krisht u sakrifikuan të gjithë.
Në betejën e fundit Florimonti u plagos rëndë, por nuk vdiq. Midis arabë shpagues që i vranë pak kryqtarët e mbetur ishte edhe një kalorës mongol që e kishte humbur njërin sy. Me syrin e vetëm i pa lëvizjet mes grahmave të vikingut.
Ngriti shpatën t’i jepte fund agonisë së tij.
U shtang sikur u zotërua nga një ekstazë. Vikingut i qe rritur një mjekër e madhe e kuqërremtë. Mongoli e dinte një profeci të vjetër: vetëm një njeri me një mjekër të tillë dhe me sy të kaltër mund të qe hyu shpëtimtar i popullit endacak të mongolëve.
E mjekoi vikingun, ja shpëtoi jetën dhe e mori me vete. Kjo ishte një tjetër aventurë. Udhëtuan mbi kuaj drejt Lindjes.
Mongoli e nderonte vikingun në heshtje, i shërbente, i thonte fjalë të pakuptueshme. Mbërritën në një manastir budist në mal mes ujëvarave.
Murgjit budistë i pritën mirë. Mongolin e zunë konvulsionet dhe ju nxi fytyra. Ishte sëmurë nga murtaja. Murgjit nuk u alarmuan. Sëmundja për ta qe formë e hyjnores që s’e kundërshtonin, por e pranonin qetësisht.
Mongoli vdiq dhe e varrosën me himne, duke tringëllitur zile bronzi, sepse Zoti i Pafundësisë flet me tinguj.
Manastiri kishte 100 murgj. U infektuan nga malaria. Vdiqën të gjithë përveç kryemurgut dhe vikingut.
Pastaj të dy ikën dhe e braktisën manastirin plot statuja bronzi dhe terakotë të Budës. Kryemurgu e quajti vikingun Kung-Fu, dhe e veshin edhe atë me veshjen e portokalltë të murgut lëvizës.
Kung-Fu e kishte të lindur aftësinë për të mësuar gjuhët. U lidh ngushtë me kryemurgun. Vite të tërë në udhëtime, në vështirësi, mes urisë, duke bekuar Budën e madh.
Më në fund arritën në Tibet, në lartësinë e botës.
U vendosën në manastirin kryesor, që kishte një bibliotekë të madhe. Kung-Fu u zhyt në lexim të pafund, të pandërprerë.
Kështu ikën 30 vjet.
Në libra mësoi për mitin e Dragoit Qiellor.
Kryemurgu vdiq 100 vjeç, krejt i lumtur që po vdiste. Në një nga bisedat para fundit të tij i foli vikingut se njeriu që arrin Nirvanën, shkrirjen e Asgjësë me Gjithçkanë, mund të arrijë ta krijojë Dragoin Qiellor vetëm ndërmjet meditimit.
Kung-Fusë ju ripërtëri instinkti i origjinës dhe apoteoza e dragonjve të Perëndimit, skajshmërisht të largët. I mësoi tërë lutjet sekrete dhe formulat mendore. Harroi të hante dhe të pinte dhe u dobësua tmerrësisht.
I zhytur në terr nuk shihte asnjë dritë.
U largua nga librat dhe u vetmua në një shpellë. I vetëm, absolutisht i vetëm – përballë kozmosit kërkonte ta bënte të dukshëm Dragoin Qiellor.
Tërë qenia e tij e kotë grishte metamorfozën e pamundur. Një mëngjes bëri kombinimin e fjalëve nistore të njëmijë lutjeve për të bërë një lutje akoma më enigmatike.
E zunë ethet e ngjashme me të murtajës por që s’ishin murtajë. I përjetoi sërish të tëra ngjarjet.
Symbyllur pa fëmijërinë, shitjen si skllav, karvanin me deve të kuqe, kryqtarët e çmendur, besimin mesianik të mongolit, kryemurgun që e çoi në Tibet, tërë faqet dhe germat e librave.
Në çastin kur u mek fare i hapi sytë.
Jashtë shpellës e pa Dragoin Qiellor.
Në të vërtetë ishte një dinozaur i para shumë mijëvjeçarëve.
Ah, më në fund, më në fund, më në fund e pa atë që qe e pamundur që të shihej.
Ra në gjumë të thellë.
Fjeti 3 ditë e tri net.
“Kur u zgjua, dinozauri ishte ende aty.”
Sinopsi C. Regjisori Spilberg i realizoi me sukses të përbotshëm filmat e tij hollivudianë me dinozaurë. Qenë thjesht truke, frymëzuar nga shamanizmi i lëkurëkuqve, që pushtuesit europianë i zhdukën kafshërisht.
Kulti teknologjik i gjenetikës e ktheu në subjekt faktin se nga një insekt prehistorik i mbyllur në qelibar mund të gjendej AND-ja e gjakut të dinozaurëve që e kishte thithur insekti. Nga kjo AND mund të ribëheshin vetë dinozaurët.
Kështu klonimi i dinozaurëve arrihet duke konkurruar teknikat përrallore të digjitalizimit në Imazh. Mbas ndriçimit të famës torturuese Spilbergu u bë depresiv.
Një njeri i panjohur i dërgoi me postë një skenar (pa e shënuar emrin), pak rutinor, por gjithsesi tronditës. Skenari i përshkruante dinozaurët si qenie inteligjente, më inteligjentë se sa njerëzit. Dinozaurët qenë në të vërtetë qenie jashtëtokësore. Të ardhur nga një planet ende i pazbuluar nga astronomët në Mjegullnajën e Andromedës.
Eshtrat e gjetura të dinozaurëve janë të atyre që mbetën në planetin e Tokës, por një pjesë e tyre u zhvendos në planetin e origjinës. Aty kanë një qytetërim të paimagjinueshëm. Zotërojnë teknologjinë e epërme që nëpërmjet mendimit (një tjetër lloj mendimi nga ai i qenieve njerëzore) të thithin në një udhëtim me shpejtësinë, që e tejkalon shpejtësinë e dritës, çdo gjë, personat dhe sendet tokësore, madje edhe ishujt edhe një kontinent të tërë.
Në planetin e dinozaurëve ekziston besimi tek një Apokalips, pra ideja e Gjyqit të Mbramë.
Në skenar thuhej se pikërisht Spilbergu qe përcaktuar të rrëmbehej për shpagim në planetin e dinozaurëve. Dhe kjo do të ndodhte me siguri.
Spilbergu e neveriti këtë profeci.
Por më pas u thellua, meditoi, dhe i besoi naivisht me altruizëm.
Një mbrëmje ndjeu diçka të çuditshme. Nga një fuqi jo tokësore pa se si po i zhdukej trupi, në fillim këmbët, mesi i trupit, gjoksi dhe pastaj koka.
E humbi vetëdijen. U metamorfizua në diçka kozmike.
Kur u përmend u gjend në planetin e dinozaurëve.
Aty e pa një dinozaur të paklonuar, real, të përjetshëm. Pas tij ishin një pafundësi dinozaurësh.
Çdo gjë e pamendueshme dot mund të jetë e vërtetë, tha me vete Spilbergu.
Qe i qetë. I qe larguar çdo makth.
Pastaj ra në një gjumë të thellë, tamam gjumë tokësor i llojit të njerëzve.
“Kur u zgjua dinozauri ishte ende aty.(Durrës, 9 maj 2004)
QUAWWALI
Ah, filmi i Martin Scorceses « The last temptation of Christ », mallkuar nga “Observatore Romana” e Vatikanit. Me muzikën e llojit Quawwali, ritme devocioni me instrumente muzikorë islamikë të traditës në Indi, në Pakistan dhe Bangladesh. Muzika mistike e sektit sufi. Sipas apoteozës gnostike për Kryeimamin Imam Aliun e madh, me heretizmin e shiitëve.
Ah! Quawwali! Në Holywood-in global! Muzikë lindore me pikëllim të pamasë, troshitës, meditativ, destruktiv! Frymëzoi muzikën fanki me goditjet sinkopatike të rokut. E projektuar si ekstazë mistike e metamorfizuar si për të nxitur histerinë e muzikës rok. Muzika sufiste si post-modernizëm muzikor. Lindja si Perëndim! Sinkretizëm magjik! Skandaloz !
Ah, elektronike e tingujve të « New Age » !
VIKAMA ONUFRIANE
Dhe befas në pllajën e purpurt pashë qershitë e bardha dhe kumbullat blu. Detin e dëgjoj si meshat e mëdha !
Vikama ime onufriane pikturon horizontet !
PULËBARDHA
Pulëbardha përpëlitet si gjuhë profeti në gojën e kozmosit!
NJERËZIMI ME MEGOJZA
E shoh në ëndërr qytetin e madh. Lëvizin automjetet, trenat, avionët. Mbushen stadiumet dhe braktisen bibliotekat publike.
Shoh njerëzit që zgjohen nga gjumi e nisen drejt zyrave. Çuditërisht mbajnë mëgojëza kuajsh. Të pasurit kanë mëgojëza ari dhe argjendi kurse të varfrit vetëm mëgojëza hekuri. Janë mëgojëza të përsosura dhe elegante. Nuk i pengojnë aspak për të folur, për të ngrënë, për të pirë, për të folur. Madje njerëzit nuk e kuptojnë dhe nuk e dinë fare që i kanë në çdo çast, nga lindja deri në vdekje këto mëgojëza që unë i zbulova në ëndërr, por për ta janë të padukshme.
Kush i tërheq këto mëgojëza? Zoti? Determinizmi? Transcendentalja? Marrëzia? Budallallëku? Fataliteti i maskuar si Liri? Kulti i parasë? Kriminalizimi i shpirtit? Oligarkët? Demonët televizivë? Sektet satanike? Iluminati dhe masonët? Egoizmi i totalitarizuar?
A janë këto mëgojëza si cipat elektronike në trutë e të klonuarve?
Mëgojëza! Njerëzimi me mëgojëza!
Ah, ëndërra që s’është ëndërr!
Ah, të shikosh atë që s’shihet!
PA RINGJALLJE
Më mungon imagjinata dhe guximi për ta ringjallur njerëzimin e vjetër.
Tani s’ka më heronj! Ah!
KROI KU S’PIHET
Kur qan Harresa, derdh lot si një krua në shkretëtirë tek ajo nuk vjen për të pirë askush! Ah!
VDEKJA CENTAUR
Qesh Vdekja me gjak Centauri të Ri. Gjysmë e gjallë dhe gjysmë e vdekur.
Pa të gjallët Vdekja vdes! Ah!
BEBËZAT E SURVEJIMIT KOZMIK
Çdo luledielli ka bebëzat inkandeshente të Van Gogut të vetëvrarë. Fushat me luledielli, tablotë me luledielli na vështrojnë me këto bebëza dhe njerëzit nuk e dinë këtë gjë kaq të thjeshtë dhe fatale.
Bebëza të një survejimi kozmik mes pafjalësisë më lemeritëse. Ah!
OROGOTANGE ME FRAKE
Paraardhës misteriozë!
Mos më hungërini mua, mos më kërcënoni me gjeste si ca orogotangë me frake!
MË E VJETËR DHE MË E RE
Vdekja është më e vjetër se bota dhe njëkohësisht më e re se çdo fëmijë i porsalindur.
SAHATI MUZIKË
Çdo muzikë është e kurdisur si një sahat xhepi me zinxhir në kostumin tim të vjetër.
Ah, Fuga në Re Minor e Sebeastian Bahut në lëvizjen e rrotëzave të sahatit.
Ah, Requiem-i i Moxartit (me dy duart e akrepave mbi tastet e numrave nota!)
Ç’solfezh i mahnitshëm dhe i pabesueshëm!
KOHA ZERO
Pashë orën e dorës. S’u besova syve! Akrepat lëviznin vetëm në numrat që tregonin zeron. 12 zero njëra pas tjetrës. M’u kujtuan mohimet ekleziastike. Numra nga 1 deri tek 12 qenë zhdukur vetvetiu.
Struktura zodiakore e kohës nuk qe më. Mund të lindësh në kohën zero dhe të frymëmarrësh e lëvizësh në Jetën Zero për të arritur tek Vdekja Zero
Babilonia u ngrit në Mijëvjeçarin Zero por edhe Troja u dogj në Shekullin Zero. Shekspiri lindi në Vitin Zero por edhe Paul Celan-i vdiq në Vitin Zero. Me kuptimin filozofik përherë është Koha Zero. Koha është e infinitëshme, pra e panumërueshme dot. Koha është ajo që është, e vetëmjaftueshme. Ajo nuk shpiket. Numrat shpiken.
Koha është vetëm e tashme, asnjëherë e kaluar ose e ardhme. Numrat kanë krijuar virtualisht të kaluarën dhe të ardhmen, ja konfuzioni i nocionit kohor.
E pashë përsëri orën e dorës! Akrepat lëviznin dhe të 12 numrat e njohur, rutinare, dogmatikë, terrorizues qenë shndërruar në Zero. Zero dhe vetëm Zero.
Por atë që e pashë unë mund të mos e shohin të tjerët.
Për shkak të një iluzioni optik njerëzit (njerëzimi) ende i shohin të 12 numrat e përsëritshëm.
E kanë harruar arsyetimin se kur akrepat tregojnë orën 10, mbas rrotullimit 3600 tregojnë sërish gabueshëm përsëri orën 10, pra rikthimin në Pikën Zero.
Kjo e vërtetë e fshehur, e maskuar nga përvojat konvencionale dhe qytetërimet është tronditëse dhe madje e urryer.
Hidhini orët!
Përherë është Koha Zero!
