“Ju nuk po gëzoheni me këtë bollëk të gjërave”. Me këtë fjali, për të cilën ishte inspiruar nga Libri i Pestë i Moisiut, psikoanalitiku Erich Fromm e ballafaqoi shoqërinë moderne. Rrallë ka qenë më e saktë se sot kjo fjali në këtë Europë.
Në BE qëmoti mbretëron paqja, shumica e qytetarëve jetojnë bajagi mirë, nëse matemi me rajonet e tjera të botës. Jetëgjatësia është më e lartë se kurrë. Dhe problemet, që nga shpëtimi i euros deri te ndihma për refugjatë, do të mund të zgjidheshin së bashku nëse do të kishte vullnet të mirë. Por, europianët kanë harruar të gëzohen për këtë. Ata e perceptojnë pozitiven si diçka të vetëkuptueshme – dhe negativen si katastrofë.
Prej vitesh dëshpërimi po gërryen siç gërryen krimbi trarët e pullazit. Partitë euroskeptike dhe armiqësore po ushqehen nga ky dëshpërim. Në Poloni dhe Hungari ato përbëjnë qeverinë. Në Itali mezi presin ta rrëzojnë kryeministrin proeuropian Matteo Renzi. Në Britaninë e Madhe mund të votojnë për të braktisur BE-në. Dhe në Austri çdo i dyti zgjedhës votoi për një popullist të djathtë për president. Mllefi kundër “elitave” dhe “sistemit” për pak e vërshoi edhe Vjenën, ku kandidati i gjelbër Alexander Van der Bellen fitoi për një qime floku.
Zgjedhjet si këto janë shenjë e një krize të trefishtë – të Bashkimit Europian, të demokracisë dhe të drejtësisë. BE mund të llogariste në përkrahjen e qytetarëve të saj kur ekonomia lulëzonte. Mirëqenia në rritje dhe siguria më e madhe krijonin konsenzus. Por, ato nuk ndikuan që njerëzit të identifikohen me Europën ashtu siç bëjnë me shtetin e tyre kombëtar. Tani, kur ekonomia s’po lulëzon dhe shumë njerëz frikësohen nga regresi, po shihet se ndaj kujt qytetarët janë lojalë. Gjithnjë e më shumë qytetarë po kërkojnë shpëtim te kombi. BE-ja atyre po u duket xhaketë e ngushtë.
Këtë përfytyrim që gati mbërrin në kufijtë e çmendurisë Europa do të mund ta korrigjojë vetëm nëse përmirëson mangësitë e saj. Këtu kërkohet demokratizimi i mëtutjeshëm i BE-së dhe mbrojtja më e mirë e modelit social europian kundër të këqijave të kapitalizmit global. Rendi i vlerave – shteti i së drejtës, pluralizmi, të drejtat e njeriut – duhet të mbrohet në mënyrë më ofensive kundër qeverive gjysmëdiktatoriale si në Turqi apo kundër tendencave autokratike në BE, për shembull në Poloni dhe Hungari. Një Europë e sigurt në vetvete është më atraktive se një që nuk bëzan.
Kriza e dytë ka të bëjë me demokracinë. Dekada pas kolapsit të nazizmit, fashizmit dhe komunizmit sovjetik shumë njerëz duan sërish rrethana të qarta, të cilat demokracitë zakonisht nuk mund t’i ofrojnë. Një qeveri autoritare, një lider i fuqishëm, një komb unik që shpëtojnë qytetarët e brengosur.
Është detyrë e të gjithë demokratëve të veprojnë kundër këtij iluzioni fatal – duke luftuar politikanë dhe parti autoritare dhe njëkohësisht duke respektuar shqetësimet e zgjedhësve të tyre. Disa janë shqetësime të drejta, për shembull zemërimi mbi korrupsionin e ish-partive popullore në Austri apo frika përballë politikës nganjëherë kaotike ndaj refugjatëve.
Pas zemërimit mbi korrupsionin dhe gjoja vërshimit të të huajve shihet kriza e tretë: ajo e drejtësisë. Polakët, francezët apo austriakët besojnë se po japin shumë dhe po marrin pak. Kjo e helmon atmosferën, mes shteteve dhe brenda tyre.
Të gjithë e kanë përshtypjen se janë humbës: gjermanët pranojnë më shumë refugjatë se të tjerët. Pensionistët grekë dhe nëpunësit duhet të paguajnë çmim të lartë për gabimet e politikanëve të tyre dhe kontrollin e mangët të tyre nga ana e BE-së. Miliona të rinj të papunë në Itali, Portugali apo Spanjë po shohin se si po lulëzon Gjermania dhe vendet e tyre po i obligon të kursejnë edhe më shumë.
Njëkohësisht të gjithë europianët po vuajnë nga pasojat e një krize financiare, të cilën e kanë shkaktuar bankierë grabitqar dhe menaxherë e politikanë të pakujdesshëm. Kur Letrat e Panamasë tregojnë se si shumë të pasur nuk japin kontributin e tyre për mirëqenien e përgjithshme, kur menaxherë të paaftë marrin miliona nga fitimet, atëherë dëshpërimi shndërrohet në mllef – dhe në atmosferë në favor të partive që duan ta zhdukin “sistemin”.
Në mënyrë që Europa të jetë më e drejtë, BE duhet të shpërndajë më fer barrën dhe fitimet mes shteteve anëtare dhe vendosmërisht të luftojë kundër oazave fiskale dhe eksceseve të sektorit financiar; dhe shtetet duhet t’i reformojnë sistemet e tyre fiskale në atë mënyrë që qytetari i zakonshëm të mos ndihet i trajtuar si budalla. Nëse arrihet kjo, popullistët e djathtë sërish duhet të mësojnë të humbin; dhe europianët mund të pranojnë se përkundër të gjithave kanë të gjitha arsyet për të qenë të lumtur.