Sudja mbyll hesapet me drejtësinë. Arapi: Ky ishte gabim i shtetit

Ornela

Gjykata e Tiranës ka shpallur zyrtarisht të mbyllur detyrimet e Maksude Kadënës, organizatores së firmës piramidale financiare “Sude”, ndaj shtetit dhe kreditorëve privatë të saj. 21 vjet pas shpërthimit të flluskës së piramidave dhe pas burgut të bërë nga Sudja në përputhje me dënimin penal, tanimë përfundoi edhe falimenti i kësaj piramide, me vendimin civil të gjykatës, e cila ka vendosur edhe kompensimin e kreditorëve të fundit të pranuar nga shteti.

Vendimi është marrë më 1 qershor të këtij viti, por është zbardhur dhe publikuar vetëm ditën e djeshme në faqen zyrtare online të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Kërkesa për falimentin e kësaj piramide është pranuar nga gjykata në vitin 2013 dhe procesi ka zgjatur pesë vjet.

Nga verifikimet, doli se pasuria e subjektit “Sude” përmblidhej, disa dekada pas shkatërrimit të piramidave, në vetëm 5.531.606 lekë, të depozituara pranë një banke të nivelit të dytë. Ndërkohë, detyrimet ndaj personave të tretë ishin gjigande: më shumë se 39.2 miliardë lekë, ose 313 milionë euro sipas kursit aktual të këmbimit valutor.

Sa më sipër, Gjykata konstatoi se kreditorët e “Sudes” ishin në pamundësi për të arkëtuar vlerat e plota të kredisë së tyre: raporti i aktiveve me detyrimin deri me dt 09.09.2013 ishte 1/709.25, pra kreditorët, për 709.25 lekë të depozituara, mund të përfitojnë vetëm 1 lek.

Administratorja e falimentit ka miratuar shpërndarjen e masës së falimentimit prej 5.139.774 lekësh mes 1.170 kreditorëve, që paraqitën dokumenta, të cilat vërtetonin arkëtimin pranë “Sudes”. Rezulton se, prej datës 02.09.2014, kur u miratua shpërndarja e masës së falimentimit 1.170 kreditorëve dhe deri më datë 24.11.2017 kanë tërhequr vlerat takuese monetare 660 kreditorë, në shumën 3.351.787 lekë dhe kanë mbetur pa tërhequr 534 kreditorë, në vlerën 1.796.518,89 lekë.

Me depozitimin në një bankë edhe të shumës së mbetur dhe njoftimin e kreditorëve që mund të marrin ato pak para që janë aty, procesi i falimentit të njerës prej piramidave më masive të periudhës së parë të Shqipërisë post-komuniste dhe më të hershmes prej tyre, ligjërisht quhet i përfunduar. Pas burgut dhe shlyerjes financiare, Sude Kadëna i mbyll hesapet me drejtësinë.

Por kryeadministratori i dikurshëm i firmave piramidale pas rrëmujave të ’97-ës, Farudin Arapi, deklaroi për Shqiptarja.com se kërkesa për faliment nga ana e shtetit për piramidat, tashmë të shkatërruara, bie në kundërshtim me ligjin në fuqi.

Është një akt absurd. Kjo, pasi edhe deri tani këto firma ishin nën administrim nga shteti. Është thjesht një kalim përgjegjësish, nga qeveria tek Gjyqësori, që shpreh pamundësinë e Ekzekutiveve, gjithë këto vite, që të zbulonin asete të fshehura të piramidave për të dëmshpërblyer shqiptarët. Sa kam qenë unë në pozicionin e kreut të mbikëqyrësve, dokumente kishte plot dhe ishte çështje kohe që këto të mblidheshin, të shiteshin dhe paratë e fituara t’u ktheheshin investitorëve të mashtruar. Kjo bëhej me këste. Po kështu si u bë, çështja mbyllet përgjithmonë”, shprehet Farudin Arapi

Si duhej të ishte proceduar?

“Duhej të ishin transferuar detyrimet, psh tek trashëgimtarët, sipas Kodit Civil, etj. Me këtë që u bë, shteti nxitoi ta quajë një nga problemet më madhore financiare të Shqipërisë të kaluar në një regjim të ri, si një kapitull të mbyllur“.

 

o.j/dita

Share This Article
2 Comments
  • Lekët e Sudes i mori Iliri, se e kishte dashnore. Ky i tha krijo firmen se shqiptaret jane budallenje, sidomos kur shikojne se ajo qe i menaxhon eshte nje jevge, sepse pas asaj fshihet i “maschi”, d.m.th une.

  • Sipas shembullit te piramidave edhe Lulzim Basha e shpalli te falimentuar kompanin e tij “Belair”duke grabitur haptas me “vendim gjyqi ” miliona euro detyrime te papaguara shtetit , punonjesve te vet qe i hodhi ne rruge pa asnji ndihme dhe mijra udhetareve qe u kishte shitur biletat por i la neper aeroportet e europes..Shteti edhe sot mban ne pune disa te ashtuquajturit administratore qe po u japin fund edhe atyre pak gjerave qe kishin mbetur nga kjo kompani per te shlyer kreditoret. Vetingu po u mer pasurine e vene me korrupsion Gjyqtareve dhe prokuroreve ; i njejti ligj te veproje edhe per Lulzim Bashen ,Kamberet e Alimucet , miq te Saliut . Vetem vila e Alimuces perballe shkolles Partizani dhe Kinostudios ne Tirane mund te shlyenin dhjetra kreditore ,qe presin te deshperuar te marrin dicka nga ato qe per faj te gjitha qeverive te pas viteve ‘9o humben dhe s’dihet ku perfunduan!Por edhe Nanot qe premtuan kthimin e parave te humbura ne firmat piramidale, i lane ato , sic duket neper kazinot e Athines e te Zviceres!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *