Suedia, në çerekfinalen e katërt të historisë së saj në Botëror dhe të parën që prej vitit 1994, përballet me Anglinë, nëntë herë çerekfinaliste, në Cosmos Arena në Samara.
Të dy skuadrat kërkojnë me ngulm gjysmëfinalen e tyre të parë që prej më shumë se 20 vitesh.
Suedia vetëm është përmirësuar që prej humbjes me Gjermaninë në fazën e grupeve dhe u duk tepër solide kur eliminoi Zvicrën, vendin e gjashtë në renditjen e FIFA-s, në fazën paraardhëse.
Me një mbrojtje të hekurt, tani suedezët kanë arritur të ruajnë të paprekur portën e tyre në 6 nga 7 ndeshjet e fundit.
Por Anglia zbret në fushë për ta ndryshuar këtë statistikë.
Me një skuadër tepër të rinuar, “3 Luanët” kanë shënuar 9 gola në katër ndeshje deri tani në Rusi dhe më në fund arritën të fitonin një ndeshje me penallti në Kupën e Botës, kundër Kolumbisë në fazën paraardhëse, që do t’i shërbejë pa diskutim si një shtysë psikologjike.
Humbja në ndeshjen kundër Belgjikës në fazën e grupeve është e vetmja për Anglinë në 14 takimet e fundit.
Në Botëror, dy skuadrat janë ndeshur vetëm dy herë me njëra-tjetrën dhe të dy herët janë ndarë në barazim.
Lojtarët kyç
Qendërmbrojtësi Andreas Granqvist (75 ndeshje) ka arritur të udhëheqë skuadrën suedeze pa yje në radhët e saj, ndërsa në 6 ndeshjet e fundit mesatarja e golave të pësuar është për t’u admiruar, vetëm 0,16!
Anglia do t’i varë shpresat te i pandalshmi Harry Kane (6 gola në 3 ndeshje në Botëror) i cili gjithashtu është kapiten si Granqvist. Mes tyre do të jetë edhe dueli vendimtar.
Shifra
Suedia ka shënuar 2 ose më shumë gola në vetëm 1 nga 13 takimet e fundit.
Në 5 nga 7 ndeshjet e fundit të Anglisë në të gjitha kompeticionet kanë shënuar të dy skuadrat.
Suedia ka një epërsi të lehtë në përballjet “kokë më kokë”: 4 fitore, 6 barazime dhe 2 humbje.
Por fitorja e fundit e Suedisë ndaj Anglisë në ndeshje zyrtare ka ardhur në shtator 1998 (2-1 në një kualifikuese të Euro 200).
Në 3 nga 4 ndeshjet e fundit mes palëve janë shënuar mbi 2 gola.
a.s/dita
