Ministri suedez për emigracion dhe politikat e azilit, Tobias Bilstrom ka kërkuar rikthimin e vizave për qytetarëve e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Bilstrom këtë kërkesë ia ka komunikuar kolegëve të tij të vendeve anëtare të BE-së dhe se ai ka kërkuar me ngulm që të rikthehen vizat për Maqedoninë, Serbinë, Shqipërinë, Bosnjë- Hercegovinën dhe Malin e Zi, për shkak se sipas tij, është e papranueshme që mijëra njerëz nga këto vende kërkojnë azil në Suedi, shkruan sot gazeta suedeze Sidsvenskan.
“Ata kur vijnë theksojnë se kanë ardhur për shkak varfërisë dhe pamundësisë për tu punësuar. Por kjo asnjëherë nuk ka qenë bazë për miratimin e statusit të azilit”, ka theksuar ministri suedez.
Ai paralajmëroi se qeveria e vendit të tij së shpejti do të përforcojë politikat ndaj azilkërkuesve, me qëllim që të përmirësojë këtë gjendje dhe fluksin e madh të azilkërkuesve. Midis masave të reja do të jetë është që personat që kërkojnë azil duhet patjetër të kërkojnë punë në Suedi. “Ne si vend harxhojmë një sasi të madhe të parave për personat që kanë marrë përgjigje negative për azil, mirëpo që akoma qëndrojnë në vend”, theksoi Bilstrom.
Gazeta “Sidsvenskan” shkruan se autoritetet suedeze kanë bërë të ditur se në Suedi të drejtën e azilit e kanë kërkuar 54 mijë shtetas të huaj, prej të cilëve rreth 20 mijë nga Siria.