Suedia bëhet vendi i parë në BE që konfirmon zyrtarisht votën pro Shqipërisë në mbledhjen e 19 dhjetorit, të Këshillit të Ministrave të BE-së, ku do të diskutohet propozimi Komisionit Europian, që vendi ynë ta marrë statusit e vendit kandidat. Patrik Svensson, i dërguari me punë i Suedisë në Tiranë, në një intervistë për TCH deklaroi se qeveria suedeze, së bashku me partitë politike të vendit skandinav, janë pro Shqipërisë në marrjen e vendit kandidat.
“Mund t’ju them se Suedia, pas konsultimeve të kujdesshme, gjithashtu një rishikimi me shumë kujdes të progres-raportit nga komisioni, arrin në përfundimin se pozicioni ynë është pro rekomandimit nga Komisioni për Këshillin, që Shqipërisë duhet t’i jepet Statusi i vendit kandidat. Kështu ne jemi pro këtij rekomandimi”, tha diplomati.
Suedia bën pjesë në ato vende të cilat kanë shprehur skepticizëm në proceset integruese të Shqipërisë. Diplomati Svensson tregon se çfarë e shuajti këtë skepticizëm.
“Është e vështirë të gjesh ndonjë vend në BE që është aq pro zgjerimit siç është Suedia. Ne kemi qenë gjithnjë pro natyrisht edhe për Ballkanin perëndimor, përfshi këtu edhe Turqinë. Por ky pozitivitet pro zgjerimit gjithnjë ka qenë i bazuar në meritë. Nëse një vend ka plotësuar kriteret e vendosura për çdo hap të integrimit europian, atëherë për ne ky vend duhet të hedh hapin tjetër. Në rastin konkret, për Shqipërinë, ne mendojmë se çfarë i është kërkuar nga progres-raporti 2012 ka gjetur realizim. Prandaj ne mendojmë se çfarë thuhet në progres-raport mbështetet në fakte të forta. Kjo na bën të mendojmë se ka ardhur koha për Këshillin në aprovimin e statusit të vendit kandidat. Natyrisht nuk mund të themi se gjithçka është përmbushur, pasi keni përpara një rrugëtim të gjatë drejt integrimit. Në të tilla kushte ne presim një progres të mëtejshëm në të gjitha drejtimet e adresuara nga komisioni. Jo vetëm në ato 5 prioritete që lidhen me ligjzbatimin, të renditura qartësisht nga komisioni. Pra ju duhet një progres akoma më i madh për hapin tjetër për çeljen e negociatave për anëtarësim. Çfarë është arritur deri më tani, duhet të ketë qëndrueshmëri, veçanërisht kur bëhet fjalë për shtetin e së drejtës, luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar. Kjo është tejet e rëndësishme prandaj presim progres të mëtejshëm”, tha ambasadori.
A jeni të kënaqur me përpjekjet e deritanishme të qeverisë shqiptare në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, dy prej rekomandimeve kryesore të progres raportit 2013?
“Mund t’i përgjigjem kësaj pyetje në këtë mënyrë. Po është bërë progres kur flasim për luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, gjë e cila është vlerësuar nga komisioni në progres raport. Ky progres është realizuar prej qeverisë së shkuar dhe qeverisë së re, paçka se nuk ka shumë kohë që ka marrë detyrën. Qeveria e re e ka nisur punën duke ndërtuar përpjekje konstruktive. Ne mendojmë se qeveria e re është duke u marrë me këto çështje në mënyrë tejet serioze duke demonstruar vendosmëri në arritjen e progresit gjatë kësaj kohe të shkurtër në qeverisjen e vendit dhe ka arritur progres”.
Vota pro e Suedisë shihet në qarqet e diplomacisë shqiptare si një ogur i mirë i cili do të shërbejë si një pikë kthese, ndoshta edhe për ato vende të tjera si Holanda, Gjermania apo Britania e Madhe të cilat kanë skepticizëm ndaj proceseve integruese të Shqipërisë.