Kur nisi thuajse një vit më parë aksioni Fundi i Marrëzisë në mbylljen e kazinove të paligjshme u duk se ky proces do të mbetej aty. Por aksionet e Njësisë së Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit me sa duket kanë vijuar dhe më tej, edhe pse nuk është shfaqur kjo pjesë mediatikisht. Drejtoresha e kësaj njësie, Luneda Sufali jep të dhëna të reja mbi atë çka është bërë thuajse në një vit nga koha kur ajo mori në drejtim Mbikqyrjen e Lojerav të Fatit. “Falë masave shtrënguese sot kemi rreth 70 për qind më pak subjekte në fushën e kazinove, pra kanë mbetur vetëm ata subjekte që paguajnë taksat dhe zbatojnë ligjet e shtetit. Nuk janë pak dhe kjo është përgjigja ndaj skeptikëve të aksioneve tona, se gjoja “u mbyllën për t’u rihapur”, shprehet Sufali në një analizë të bërë të këtij institucioni. Sipas saj tashmë po bëhet ligji i ri, i cili e kufizon sektorin e lojërave të fatit, me procedura të forta dhe gati në 5-fishim të rritjes së tarifave. “Kemi 25 për qind më shumë të ardhura në tatime vetëm nga lojërat e fatit. Informaliteti është luftuar pa kompromis, duke i sjellë buxhetit të shtetit 36 milionë dollarë në 300 ditët e punës së Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit”, shprehet Sufali në analizën e saj. Rritjen me dy herë më shumë të të ardhurave për institucionin e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Sufali e lidh me faktin e vendosjes së 45 milionë lekë gjobash dhe përmirësimit të metodave të punës të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Punën e bërë deri më tani drejtoresha e re e cilëson si një nisje, pasi në planet afatmesme është ngritja e sistemit të monitorimit on line, për të gjithë subjektet e licensuara dhe ushtrojnë aktivitet në fushën e lojerave të fatit. “Ky sistem monitorimi do të mund të kontrollojë në kohë reale çdo transaksion që kryejnë kompanitë e lojërave të fatit duke e çuar evazionin fiskal në këtë fushë drejt zeros”, shprehet Sufali, sektor i cili deri pak kohë më parë në përllogaritjet e bëra kishte rreth 100 milionë euro evazion fiskal.
Lojërat e fatit në shifra
2113 subjekte të kontrolluara;
2354 pajisje lojra fati të konfiskuara;
85 masa administrative gjobë;
593 masa administrative konfiskimi;
