Sukaj nuk mjafton, Partizani eliminohet nga Kupa

redaktor
FUTBOLL PARTIZANI LACI - Ndeshja e futbollit, Partizani-Laci, 1-0, e vlefshme per Kupen e Shqiperise, e luajtur ne stadiumin "Qemal Stafa", ne Tirane. /r/n/r/nSOCCER PARTIZANI LACI - Albanian Cup football match Partizani vs Laci, 1-0, at the "Qemal Stafa" stadium in Tirana.

Nuk ka përmbysje në Qemal Stafa. Në kryeqytet triumfoi Partizani por fitorja 1-0 në çerekfinalen e kthimit ndaj Laçit nuk u mjaftoi të Kuqëve të cilët u eliminuan nga Kupa e Shqipërisë pasi ishin mundur me shifrat 2-0 në takimin e parë.

Është pikërisht Laçi i Stavri Nicës skuadra që pret biletën e fundit për në fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Në Qemal Stafa kurbinasit ruajtën me fanatizëm suksesin 2-0 të ndeshjes së parë edhe pse Partizani pati shanse të mira në minutat e fundit për ta cuar ndeshjen në shtesë.

Për të tentuar përmbysjen e madhe, pa Mazrekajn të dëmtuar, Partizani e niste ndeshjen me Emiljano Vilën e Jurgen Bardhin në mbështetje të dyshes sulmuese Torassa-Sukaj. Te Laçi në portë, sërish titullar 17-vjeçari Selmani.

Partizani kishte nevojë për një gol të shpejtë për të shpresuar te kualifikimi por në minutat e para të Kuqtë bënë shumë pak për të mposhtur Selmanin.

Në minutën e 4-t provoi Vila nga një pozicion i prirët, por pa rrezik. Në të 6-tën erdhi edhe kundërpërgjigjja e Laçit, gjithsesi Sheta nuk arriti të devijonte drejt portës së Hoxhës një top të krosuar në zonë nga Emiljano Veliaj.

Minutat në vazhdim ishin disi më të qeta. Në të 23-tën Krasniqi nuk arriti të përfitonte nga një dalje e gabuar e Selmanit, ndërkohë që 3 minuta më pas goditja nga distanca e Bathës u ndal pa vështirësi nga 17-vjeçari i portës së Laçit.

Rastin më të mirë në pjesën e parë për Partizanin e krijoi Sukaj në të 29-tën. Një predhë e bomberit shkodran nga një goditje standarte për pak sa nuk solli golin e parë të Partizanit, por kjo nuk ndodhi për meritë edhe të Selmanit, pasi portieri talentuar i Laçit kreu një ndërhyrje shpëtimtare duke e dërrguar topin në këndore. 2 minuta më pas Sukaj gaboi tërësisht në goditjen me kokë.

Në të 34-tën ishte rradha e brazilianit Felipe Gomes për të tentuar portën e Laçit por goditja e tij nga jashtë zone nuk gjeti kuadratin. Pjesa e parë nuk prodhoi më asgjë, ndërsa edhe fraksioni i dytë nisi me një epërsi të lehtë të skuadrës së Agostinellit.

Në të 51-tën fati nuk ishte me Sukajn pasi goditja e tij me kokë ledhatoi edhe shtyllën duke përfunduar jashtë. Gjithsesi Partizani arriti më në fund të zhbllokonte shifrat me Xhevahir Sukajn në minutën e 65-tën.

Sulmuesi i të Kuqëve përfitoi nga një asist perfekt i Racic dhe me një parabol e kaloi topin pas shpatullave të Selmanit. Të besuarit e Agostinellit gjetën edhe golin e dytë me serbin Racic në minutën e 79-të, por gjithçka u anullua nga arbitri anësor për një pozicion jashtë loje.

10 minuta më pas ishte shtylla që i tha jo golit të dytë të Partizanit që do ta çonte ndeshjen në shtesë.

Sekondat e mbetura të kohës së rregullt por edhe 5 minutat shtesë të akorduara nga arbitri u kthyen në një dialog mes futbollistëve të Partizanit, dhe portierit të Laçit Selmani që ndali çdo tentativë të të Kuqëve.

Vërshëllima e fundit e kryesorit Andi Koci vulosi kualifikimin e Laçit në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë me skuadrën e Stavri Nicës që vazhdon kështu rrugën drejt mbrojtjes së trofeut.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *