Xhevahir Sukaj qetëson tifozët e Partizanit pas raportimeve në shtypin sportiv për një largim të mundshëm të tij në janar në kampionatin australian.
Zërat se skuadra e Sidnejt në kontinentin e kangurëve i ka ofruar 900 mijë dollarë për tre sezonet e ardhshme, sulmuesi shkodran i ka konsideruar si ta pavend në prag të ndeshjes më të rëndësishme të javës së tetë të Superiores, Partizani-Skënderbeu.
Sukaj i siguron të gjithë tifozët e kuq se do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit kryeqytetas përgjatë gjithë sezonit si dhe shpreson që të jetë vendimtar për arritjen e objektivave. Përmes një statusi në Facebook, autori i 7 golave me Partizanin në këtë kampionat është shprehur:
“Shoh disa lajme që flasin për një largimin timin të mundshëm nga ekip i Partizanit dhe më vjen keq që këto gjëra dalin para një ndeshjeje shumë të rëndësishme. Unë do të vazhdoj të jem pjesë e Partizanit dhe shpresoj të jem vendimtar me ekipin në këtë sezon”.
Xhevahir Sukaj ka rezultuar një nga blerjet më të goditura në këtë merkato vere në Kategorinë Superiore. Në shtatë javët e para të kampionatit, Sukaj ka shënuar në çdo ndeshje, duke rezultuar vendimtar në çdo 90 minutësh për të kuqtë.
Partizani falë finalizimeve të tij bashkëkryeson renditjen me Skënderbeun në kuotën e 19 pikëve. Forma e mirë që po kalon 27-vjeçari ka zbehur impaktin e Stevan Racic në formacionin e Starovës, aq sa aktivizimi i sulmuesit serb gjatë këtij sezoni ka qenë me pikatore.
