Qeveria në Burkina Faso thotë se 18 persona janë vrarë dhe afro 20 të tjerë janë plagosur, në atë që qeveria e ka cilësuar si “sulm terrorist” në kryeqytetin Ouagadougou.
Në deklaratën e sotme të qeverisë theksohet se forcat e sigurisë i kanë vrarë së paku dy sulmues në një restorant turk në qendër të kryeqytetit, shkruan Evropa e Lire.
Dëshmitarët kanë thënë se tre persona të armatosur kishin arritur me një makinë në restorantin, Aziz Istanbul, dhe kanë hapur zjarr.
Askush ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, që ka filluar mbrëmë vonë dhe ka përfunduar sot.
Ministri për komunikime në Burkina Faso, Remi Dandjinou, u tha gazetarëve se viktimat ishin me kombësi të ndryshme. Sipas tij, së paku një person i vrarë është francez, ndërsa një tjetër është turk.
Zyra e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, tha se zoti Macron do të bisedoj për situatën në Burkina Faso me presidentin, Roch Marc Kabore, më vonë gjatë ditës.
Mëtutje, në kumtesën e zyrës theksohet se Franca mbetet e përkushtuar për të punuar me vendet e tjera në rajon, për të luftuar kundër grupeve terroriste.
