Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s pritet të mblidhen në Bruksel për të diskutuar për “përshkallëzimin shqetësues” të aktiviteteve ushtarake ruse në Siri.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, thotë se është i shqetësuar në lidhje me përdorimin e raketave dhe sulmet ajrore ruse, duke shtuar se NATO-ja është e gatshme për të mbrojtur të gjithë aleatët.
Turqia, anëtare e NATO-s, pretendon se avionët rusë kanë shkelur hapësirën e saj ajrore ditët e fundit.
Nga ana tjetër, Stoltenberg i kërkon Moskës që të ndalojë mbështetjen ndaj udhëheqësit të Sirisë, Bashar al-Assad.
Moska mohon akuzat e Perëndimit se ka në shënjestër kryesisht kundërshtarët e Asad, duke këmbëngulur se sulmet e saj kanë goditur infrastrukturën e Shtetit Islamik (IS) si dhe grupet e tjera militante.
Një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara është duke kryer sulme ajrore kundër IS-s prej muajsh si në Siri ashtu edhe në Irak. Perëndimi mbështet kryengritësit opozitarë sirian, të cilët synojnë rrëzimin e presidentit Assad nga pushteti. Kryengritja ka nisur që në vitin 2011.