Kompani si The New York Times, The Wall Street Journal, Facebook, Twitter dhe së fundmi Apple i janë shtuar listës së firmave të mëdha, të cilat kanë deklaruar se janë sulmuar nga hakerët. Cfarë informacionesh vidhen? Nga detajet mbi blerjet që kryejnë këto kompani deri te email-et e punonjësve të lartë. Shënjestra janë agjenci qeveritare të SHBA-së, organizata mediash dhe firma private.
Radio Europa e Lirë citon një raport të publikuar së fundmi me autor një kompani për siguri në Shtetet e Bashkuara (Mediant), i cili thotë se pas sulmeve të tilla qëndron një repart i posacëm i ushtrisë kineze. “Njësia 61398” e Ushtrisë Çlirimtare të Popullit me bazë në Shangai ka kryer sulme kibernetike në së paku 141 organizata, të cilat datojnë nga viti 2006. Ushtria e Kinës punëson së paku qindra ekspertë të hakerizmit – thotë ndër të tjera raporti.
Media amerikane citon zëdhënësin e Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, të ketë thënë se Shtetet e Bashkuara e kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin te zyrtarët e lartë kinezë. Por Ministria e Jashtme e Kinës ka hedhur poshtë akuzat për përfshirje të qeverisë në këto sulme, duke thënë se Kina vetë ka qenë vetë viktimë e sulmeve të hakerëve dhe, sipas saj, shumica e tyre e kanë pasur origjinën në Shtetet e Bashkuara.