Në njërin nga librat e tij, shkrimtari amerikan Tom Wolf, tregon për historinë e një zbulimi shkencor. Në essence historia është kjo: Starlingu, profesor i psikologjisë, njëzetë e tetë vjeç, kreu një eksperiment në vitin 1983. Ai bashkë me asistentin e tij, hoqën me operacion amygdalen në tridhjetë mace. Për ata që nuk e dinë, amygdala, është një formacion trunor si një bajame, që vendoset thellë në tru dhe kontrollon emocionet tek gjitarët e lartë dhe tek njeriu.
Edhe para këtij eksperimenti, shkenca kishte vërtetuar, se dëmtimi i amygdalës shkaktonte te kafshët ndryshime të thella psikologjike. Kafshët pa amygdalë, në shumë drejtime, sillen në mënyrë të papërshtatshme. Ato janë të mërzitura kur duhet të jenë të gëzuara; sillen të përulura kur duhet të jenë të krekosura; eksitohen seksualisht, kur nuk kanë ngacmim seksual. Ajo që e çuditi më shumë shkencëtarin ishte ky fakt: Macet e operuara kaluan në gjendjen e një eksitimi seksual ekstrem, ato u bënë hipermaniakale dhe si të tërbuara dëshironin të bënin seks. Në eksperiment, maces që bënte seks me një shoqe, i ngjitej nga pas një e tretë, asaj ia hipte një e katërt dhe kështu vargu vazhdonte. Ato na kujtojnë kurorat me “lule dele” që thurnim lëndinave kur ishim fëmijë, por me një ndryshim, kurora prej macesh ishte shumë e gjatë.
Shkencëtari në eksperiment kishte përfshirë edhe një grup kontrolli me tridhjetë mace normale. Tridhjetë macet e operuara dhe tridhjetë macet normale, i kishte vendosur në të njëjtën dhomë, çdo mace në kafazin e saj.
I entuziazmuar nga rezultatet e eksperimentit, Starlingu, thirri një koleg nga një Universitet tjetër, që t’i demonstronte rezultatin. Ndërkohë, që mysafiri qëndronte ulur për të vëzhguar sjelljen e maceve, profesori, filloi të hapë kafazet që macet e operuara, një nga një, të dilnin në dysheme. E para mace që lirua u turr furishëm drejt vizitorit. Ajo, me këmbët e saj të para përqafoi kyçin e këmbës së mysafirit dhe në mënyrë konvulsive fërkonte gjenitalet e saj mbi këpucën e mikut, ekzakt, sikur bënte seks.
Profesori i entuziazmuar filloi të interpretojë sjelljen e maces, “E shikon”, i tha profesori i entuziazmuar mysafirit, “macja nuk e kontrollon dot instiktin seksual. Ajo nuhati lëkurën e këpucës dhe e eksituar seksualisht, sic ishte, e ngatërroi këpucën me një kafshë me të cilën mund të bënte seks”. Por, pa mbaruar mirë fjalën profesori, asistenti i tha : ”Profesor, kjo është një nga macet e pa operuara, të kontrollit”
Pikërisht, në këtë moment u bë zbulimi, që i dha Starlingut Çmimin Nobel.
Që nga ajo kohë, kuptimi ynë për sjelljen e kafshëve dhe njerëzve ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore. Tani, ne, jo vetëm dimë se ekziston fenomeni që psikologët e quajmë “para-stimuli kulturor”, por dimë, gjithashtu, se ky fenomen është shumë i përhapur.
Macet e kontrollit, brenda kafazeve, kishin vëzhguar sjelljet e maceve të operuara. Pas qëndrimit të detyruar për disa javë bashkë, edhe macet normale u mbingopën me këtë ambient seksual hipermaniakal të maceve të operuara.
Konkluzioni: Starlingu zbuloi se qëndrimi për një kohë, në një atmosferë sociale të fortë dhe anormale, siç është kjo, edhe kafshët krejtësisht normale përgjigjen në mënyrë anormale, madje, tej sjelljeve që konsiderohen të determinuara gjenetikisht.
Sipas Tom Wolf, shkencëtari Starling u bë i njëzeti shkencëtar në fakultetin Dupon, që u laurua me Çmimin Nobel
Në popull, në shekuj ka patur aforizma si “më thuaj me kë ri të të them se kush je”, “sheh rrushi rrushin e piqet”, “druri i shtrembër prish gjithë radhën”, që përkojnë me eksperimentin e më sipërm. Eksperimenti u dha këtyre aforizmave një shpjegim shkencor.
Ky eksperiment na shpjegon pse disa fëmijë të dëshpëruar ankohen: “Të gjithë në klasë e kaluan kaluçin, pse unë nuk e kalova dot?”. Më vonë ata ankohen: “Të gjitha shoqet kanë nga një mik, pse mua nuk m’i hedh sytë njeri?”. Të dashur prindër, mos u shqetësoni!. Me ndihmën e para-stimulit kulturor edhe këta fëmijë do ta kapërcejnë kaluçin dhe do ta gjejnë shokun. Duhet vullnet. Shembulli i shokëve, është “para-stimuli kulturor”. A nuk ka të bëjë kjo me presionin që bëjnë shokët për të filluar duhanin, alkoolin, drogën?. Macet normale kur rinë me macet e çmendura fillojnë të veprojnë si ato.
Ky eksperiment shpjegon shumë shfaqje që sot janë bërë të zakonshme në filma, në TV, në letërsi dhe në jetën e përditshme. Janë të shumta macet e çmendura me tru të ndryshuar, që kanë zbritur midis nesh dhe kanë ndotur sjelljet tona. Para-stimuli kulturor është duke rendur në amok. Ai, ndonëse, politikisht, konsiderohet korrekt, neveria që na shkakton, na bën të gjithëve të neveritshëm. Neveria ka fituar popullaritet tek të gjithë. Është një “1984” Orwelliane,.
Ky çrregullim, në realitetin politik ku jetojmë, na vërtitet të gjithëve mbi kokë. Politikanët si të çmendur bërtasin të na mbushin mendjen për atë që ata ose e besojnë vërtet, ose bëjnë sikur e besojnë. Në thirrjet e tyre duket qartë, se macet e çmendura janë në mesin e tyre. Marrëzia shkon aq larg, sa janë gati t’i lëshojnë macet e çmendura midis adoleshentëve, që janë më fragilët dhe më labilët. Ata e dinë mirë, se për arsye të moshës, adoleshentët mund të ndikohen dhe manipulohen lehtësisht prej maceve të çmendura. Të çmendurit politikë dhe furia e tyre mediatike, që është po njësoj e çmendur, u bien trumbetave aq fort, sa shumë njerëz bëhen viktima të para-stimulit kulturor të maceve të çmenduara dhe të presionit të shokëve. Ata i ftojnë adoleshentët në politikë, duke u ofruar alkool që t’u turbullojnë mendimin. (Zoti Ministër!, herën tjetër jepu të rinjve hashash dhe rreth teje do të grumbullohen më shumë adoleshentë.) Që të bësh një omëletë duhet të thyhen disa vezë. Fatkeqësisht, omëleta e këtij tranzicioni të tejzgjatur, kërkoi të thyheshin vezë pa fund.
Mua më sëmurin këto krimba pa shtyllë kurrizore që i kanë bërë partitë e tyre të jenë pa asnjë profil politik. Ata i kanë këto parti vetëm për përfitime materiale personale. E di që këtyre fjalëve të mija nuk ua vë veshin njeri, por unë do vazhdoj të flas, sepse na lodhën duke na thënë se punojnë për të mirën e popullit e vendit. Po ku është e mira e popullit dhe e vendin.! Ata u lodhën duke na folur për të njëjtat gjëra: për “Europën, për integrimin, për NATO, për lëvizjen e lirë”. Në këtë përpjekje ata janë demagogë. Ata e dinë se Europa është shumë larg nga ne, ndaj unë dyshoj se nuk do të na çojnë atje ku na thonë, por në buzë të humnerës. Dhe….pas kësaj, do të jenë po ata që do të na thonë të ecim në drejtim tjetër, por atëherë, do të jetë vonë. A nuk e kemi provuar e paguar këtë disa herë.
Para-stimuli kulturor i maceve të çmendura, për fat të keq, ka zëvendësuar veprimin tonë të pavarur. Ai na imponohet si gjëja që duhet të bëjmë, pra, të bëjmë siç na thonë ata e të mos pyesim çfarë thonë zorrët tona. I keni vënë re politikanët? Ata dhe gjithë pasuesit e tyre nuk kanë mendime të pavarura. Ata të gjithë mendojnë “kolektivçe”, ose sipas “liderit”. Ata të gjithë janë bërë si Borg-u te “Star Trek.” Dhe.. ne të gjithë e dimë se politikanët, ashtu si Borgët dëshirojnë vetëm një gjë, të na asimilojnë në çmendurinë e tyre, të krimbave pa mend.
Ne jemi të bombarduar nga presioni i fortë i mediave. Kaq të ngopur jemi me gënjeshtrat që na thonë, sa komentatorët dhe analistët e medias janë bërë komikë me gënjeshtrat e tyre. Ata fshehin në mënyrë demonizuese shkaqet e gjendjes, ata fshehin faktet e vërteta dhe ne të gjithë kemi adaptuar sjelljen e tyre! Midis gënjeshtrave që ata na i shesin si të vërteta, shquan përpjekja të na bindin se mediat janë të mira dhe objektive. Ne, njerëzit e thjeshtë, jemi zënë në grepin e tyre dhe truri ynë është shpëlarë nga keqinformimi pa fund.
Ata do ta bëjnë këtë pa pushim, po qe se ne do t’i lejojmë dhe do t’i dorëzohemi kësaj medie të blerë. Kam bindjen, se para-stimuli kulturor, edhe pse sot nuk është një diagnozë mjekësore, më vonë, ai do të jetë një e tillë, një çrregullim i personalitetit që do t’i gjendet një emër. Sot, për këtë çrregullim përdoren disa emërtime. Po përmend vetëm pak prej tyre: paranoid, schizoid, schizotypal, narcissistic, antisocial, BPD, histrionic, dependent, obsessivo-compulsive e të tjera.
Kërkimi shkencor që përshkruam më sipër na tregon, se në shoqërinë tonë të sëmurë, të shëndetshëm do të mbeten vetëm ata që kanë ndjenjën e fortë për veten. Lum ata, që në këtë ambient kaq armiqësor, ku macet e çmenduar sulmojnë nga gjithë anët, janë të aftë t’i qëndrojnë besnikë vetes. Lum ata, që këto informacione shkencore i përdorin për të rritur fëmijë që do të jenë në gjendje të mendojnë vetë dhe jo të mendojnë e veprojnë “kolektivçe”. Lum ata, që përpiqen t’i imunizojnë fëmijët ndaj këtij ambienti të sëmurë.
Nuk mjafton t’i kundërvihemi medias të çmendur, veçanërisht, asaj vizive. Rëndësi më të madhe ka përmirësimi i edukimit. Fëmijët mësohen keq nga të rriturit. Ata dëgjojnë se “Shqipëria nuk bëhet”, se “historia e Kombit, ashtu siç është shkruar, është një gënjeshtër”, e shumë të tjera si këto. Ne të gjithë i shkojmë prapa kësaj marrëzie të maceve të çmendura, por për fëmijët është edhe më keq. Në informacionin që u jepet fëmijëve nuk ndjehet gëzim. Nuk ka dashuri për historinë dhe shkencën dhe nuk ka ndjenjë ekuilibri në prezantimin e tyre. Ato ndryshe trajtohen kur demokratët janë në pushtet, e ndryshe kur socialistët e marrin pushtetin. Nëpërmjet librave që u kemi vënë në duar fëmijëve, ne kemi bërë që xanxat politike të pak njerëzve, të determinojnë gjithë jetën e tyre. Dhe…as mësuesit, as librarët që shesin librat dhe askush tjetër, nuk ngrihet të protestojë kundër kësaj të keqeje. Pse? Sepse e gjithë puna tek ne është përqendruar në të njëjtat lista të njerëzve politikë.
Është një gjeneratë e tërë që, kurrë, nuk pa mace normale. Nuk mendoj se ka njeri që shpreson se kur të rriten fëmijët e sotëm, ata do t’u kundërvihen dijeve që u dhanë mësuesit, librat e shkollës dhe shokët e tyre. JO!. Në këtë situatë, ata që mund të bëjnë më të mirën janë prindërit. Vetëm ata, me dashuri, me respekt dhe me një dozë humori të bukur, mund t’u mësojnë fëmijëve të tyre vlerat e vërteta. Ata prindër që e kanë bërë këtë, e kanë provuar se adoleshentët i kanë dëgjuar dhe i kanë respektuar ato që u kanë thënë. Kush nga prindërit ndjen se e ka humbur këtë respekt, le të presë me gojën mbyllur për një moment tjetër. Le të presë kohën kur fjalët e tij do të kenë një shans tjetër dhe do të dëgjohen. Prindi kurrë nuk duhet të dorëzohet.
Sot, Lajmet dhe Mediat janë të njëanshme dhe kjo, vetëm, na dëmton. Mediat duket sikur paguhen të luajnë rolin e maceve të çmendura dhe të mos thonë të vërtetat. Thuhet, se gjykatat janë institucionet më të korruptuara. Por, fatkeqësisht, kjo thuhet në përgjithësi. Këtë e thonë të majtë e të djathtë pa e vënë gishtin tek plaga, sepse askush nuk dëshiron ta shërojë këtë plagë, që i shërben herë njërës e herë palës tjetër. Media, në këtë rast, vepron sipas përkatësisë politike, pra si një mace e çmendur.
Provoni të mbyllni në një dhomë dhjetë njerëz normalë dhe një njeri të keq. Pas pak kohësh nuk do të gjeni njëmbëdhjetë njerëz normalë. Do të gjeni njëmbëdhjetë njerëz të këqij. A nuk bën këtë “Big Brother”
Doktoresha Helen, një porfesoreshë e psikologjisë vërtetoi rolin e para-stimulit kulturor në ditët tona. Ajo thotë, shkolla e indoktrinuar është më e rrezikshme nga Mainstream media. A nuk është e indoktrinuar shkolla që i vë fëmijët në rresht për t’i nxjerrë në mitingje.!?.
“Fëmijët në televizor nuk shohin CNN”, thotë Dr. Helen dhe vazhdon, “shpirtrat e tyre mbërthehen shumë orë në ditë, pese ditë të javës, pas atyre monstrave që kanë marrë përsipër t’i edukojnë. “
Është e lodhshme të mendosh se do ti shpëtojmë dikur maceve të çmendura, un kam hequr dorë të bind dikë për bindjet e gabuara që ka, më duket një dialog midis dy shurdhësh, dhe ajo që mendojnë përbën botën e tyre që kanë zgjedhur të jetojnë, edhe pse na dëmtojnë ne dhe fëmijët tanë në mënyrë permanente