Rënia e socializmit në Lindjen Europiane në përgjithësi dhe veçanërisht në Shqipëri, shënoi fillimin e përshtatjes së këtyre vendeve në Rendin e Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal që kishte marrë formë në Perëndim përgjatë dekadës ’80-’90. Në saj të dinamikës së tij, përfitimit dhe përqendrimit më të madh pushtetit ekonomik, ky rend nënvlerëson sektorin e urbanistikës dhe monumenteve të natyrës në një shkallë më të madhe se në kohën e dy blloqeve ekonomik të periudhës statiste, meqënse oligarkitë politiko-ekonomike janë institucionalizuar dhe kanë krijuar getot përkatëse të pasanike jashtë metropoleve. Kjo është arsyeja kryesore se përse sot dëshmojmë, jo vetëm braktisjen e qytetit nga oligarkitë, por, edhe sulmin e tyre mbi çdo hapësirë të gjelbërt prej së cilës mund të nxirret përfitim sa më i madh dhe me kosto të ulët.
Ndërtimi i një rrokaqielli përbri liqenit të Tiranës, për shembull, dhe në vijë horizontale me të, dhe për tepër, më poshtë se niveli i ujit të tij, sepse rrokaqiejt duhet të hedhin themele të thellë në tokë me qëllim që të krijojnë një farë balance me katet mbi tokë, do të thotë se uji brenda liqenit do të depërtojë në damarët e tokës, meqënse toka do të shpohet përgjatë ndërtimit, me mjete të rënda mekanike dhe, ndoshta, do të shterojë ujin e liqenit dhe do t’a kthejë në kënetë…dëmi, rrjedhimisht, me këtë pallat, është i shumëfishtë: ai jo vetëm që zvogëlon hapësirën e gjelbërt dhe gjithë dobitë e tjera që e shqoqërojnë atë për banorët e qytetit dhe ekosistemin, por mund të shterojë edhe liqenin! Cilindo gjeolog që të pyesim për këtë aspekt, ose do të ngrejë supet nga padija, ose do të mbështesë argumentin e mësipërm. Sigurisht, ndërtimi i tij në atë vend bëhet për qëllime përfitimi meqënse sot shet më shumë “pamja” sesa cilësia. Fundja, si mund të vlerësojë objektivisht konsumatori ‘cilësinë’ e ndërtimit kur ai nuk ka nivelin shkencor të arkitektit?
Kështu, me sistemin që kemi adoptuar dy dekadat e fundit, ne, jo vetëm që kemi krijuar një sistem përfitim-orientues, por, kemi krijuar një sektor ndërtimi zhvillimi i të cilit varet vendimtarisht nga shfrytëzimi i shtretërve të lumenjëve, kodrave dhe shpesh, maleve, për rërë, duke ndërtuar mbi toka buke dhe për tepër, pa ditur se nëse ndërtimet në fjalë do të shiten apo jo. Dhe, meqënse klasa politike e dy dekadave të fundit nuk është sfiduar seriozisht nga ndonjë rezistencë e organizuar politike dhe është mësuar që nga sektori i ndërtimit mund kryejë përfitime, meqënse nuk ka zhvilluar ndonjë sektor tjetër, më fitim-prurës, në bashkëpunim të ngushtë me sektorin bankar, ku merr kredi me interes të ulët, ajo vazhdon ende sulmin e saj mbi çdo hapësirë të gjelbër e publike. Përsa kohë, rrjedhimisht, që kjo klasë politike do të jetë në pushtet, dhe nuk ka zhvilluar ndonjë sektor tjetër më fitim-prurës, për aq kohë ajo do të vazhdojë sulmin e saj mbi çdo pasuri publike e monumentale.
Letër e nënshkruar
Ylli Përmeti
