Sulmi në Finlandë, policia: Agresori kishte në shënjestër gratë

Gazeta Dita

Sipas policisë finlandeze, agresori që vrau dy persona dhe plagosi 8 të tjerë në qytetin e Turkut kishte në shënjestër gratë. I dyshuari kishte hyrë një vit më parë në Finlandë dhe ishte në procesin e aplikimit për azil. Raportime ende të pakonfirmuara thonë se 6 nga të plagosurit janë gra. Ndërkaq policia finlandeze po e heton sulmin si një akt terrorist.

Policia në Finlandë ka deklaruar se agresori që vrau me thikë dy persona dhe plagosi 8 të tjerë në qytetin jug-perëndimor të Turkut, kishte në shënjestër gratë.

I dyshuari, i cili u arrestua pasi u qëllua nga policia është një maroken 18-vjeçar. Policia ka ndaluar edhe 4 marokenë të tjerë në lidhje me këtë sulm, ndërkohë që është lëshuar një urdhër ndërkombëtar kërkimi për një të dyshuar të gjashtë.

Sulmi ndodhi të premten rreth orës 16:02 me orën lokale në zonën Puutori në Turku. Një person u raportua se po sulmonte kalimtarët me thikë përpara se të qëllohej në këmbë dhe të arrestohej nga policia pak minuta më vonë.

Dy personat e therur për vdekje ishin finlandezë, ndërkohë që ndër 8 të plagosurit është një britanik, suedez dhe italian.

Mosha e viktimave varion nga 15 në 67 vjeç sipas policisë që nuk jep më shumë detaje. Sipas raportimeve të pakonfirmuara, 6 prej të plagosurve janë femra.

Përmes një deklarate, policia u shpreh se sulmi po trajtohej si një akt terrorist nisur nga bastisjet e kryera gjatë natës dhe informacionet e marra.

Zyrtarët bëjnë me dije se i dyshuari kishte mbërritur në Finlandë një vit më parë dhe ishte pjesë e procesit për të kërkuar azil në vend.

Kujtojmë se Finlanda nuk ka qenë në shënjestër të asnjë sulmi xhihadist. Ministria e Brendshme bëri me dije se në mbarë vendin janë shtuar masat e sigurisë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *