Kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryeopozitari, Lulzim Basha, kanë reaguar pas sulmin terrorist dje në Vjenë të Austrisë.
Kryeministri Rama, me një shënim në Twitter, shprehet ‘zemërthyer’ për sulmin, ndërsa thotë se “vlerat tona të përbashkëta do të jenë gjithmonë më të forta se çdo ekstremizëm i dhunshëm”.
“Zemërthyer nga sulmi terrorist në Vjenë që është edhe më shumë sot zemra e Evropës sonë. Mendimet dhe lutjet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre. Vlerat tona të përbashkëta do të jenë gjithmonë më të forta se çdo ekstremizëm i dhunshëm. Ne qëndrojmë të vendosur me Austrinë”, shkruan Rama.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, dënon sulmin “terrorist frikacak”, ndërsa thotë se Shqipëria qëndron në solidaritet me popullin dhe autoritetet austriake.
“Dënoj ashpër sulmin terrorist frikacak kundër jetëve të pafajshme në Vjenë. Mendimet dhe lutjet e mia janë me familjet e viktimave. Shqipëria qëndron fort në solidaritet me popullin dhe autoritetet austriake”, shkruan Basha.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, thotë se ky sulm tregon se qytetërimi është ende i kërcënuar nga barbaria dhe se përpjekjet e njerëzimit për tolerancë, paqe e siguri vazhdojnë të sfidohen nga impulset e errëta.
“Terroristët sulmuan mbrëmë një ndër qytetet më të bukura të botës dhe një ndër pavionet e civilizimit, Vienën. Cilatdo qofshin motivet e këtij sulmi terrorist, ato tregojnë se qytetërimi është ende i kërcënuar nga barbaria dhe se përpjekjet e njerëzimit për tolerancë, paqe e siguri vazhdojnë të sfidohen nga impulset e errëta. Këto akte po dëmtojnë përpjekjet e popujve, komuniteteve e qytetarëve për të mbrojtur jetët njerëzore nga pandemia, i bëjnë jetët e tyre më vulnerable, dhe na ndihmojnë të dallojmë më qartë ata që ndërtojnë e sakrifikojnë në emër të dashurisë dhe ata që godasin e masakrojnë në emër të urrejtjes”, shprehet Ruçi.
j.l./ dita
