Super Bold, shkruan historinë edhe në RIO

Elton Tafaruci

Edhe njëherë një shpërthim, edhe njëherë një rrufe, edhe njëherë ai, Usain Bolt. I madhërishmi Usain Bolt. Xhamajkani realizon tripletën: Pekin 2008, Londër 2012 dhe Rio 2016. 100 metrat janë pronë e tij dhe mjerë ata që duan të hyjnë në mes.

Tre tituj radhazi, askush si ai, ndërsa mban të hapur rrugën drejt tripletës së trefishtë (100, 200 4×400 metra). Është ai i pari, të tjerët janë shumë të shkëputur.

Në pistë ai është më i duartrokituri, Xhastin Gatlin më i fërshëllyeri nga publiku. Bolt mbase nuk është më ai i ditëve të para, i mjafton një 9’’81 për ta ndalur kohën, por çfarë spektakli!

Tashmë skenari është i konsoliduar: një nisje e keqe (0’’155 reagimi në momentin e të shtënës, vetëm Meite bën më keq me 1/1000), një përshpejtim i vuajtur, por kur lëshohet në hapësirë, kampioni shndërrohet në një kalë me krahë.

Nuk është një shëtitje jo, sepse Galtin e lë pas shpine për 75 metra, por Usain është aty dhe në fund bën atë që ai di të bëjë më mirë.

Rrufeja vjen nga pas me një shpejtësi që duket dyfishi i të zakonshmes, e djeg korsinë e gjashtë dhe godet në shenjë. Pastaj ai ngadalësimi i zakonshëm në metrat e fundit, sikur kërkon të thotë “më i forti do të jem gjithmonë unë”! Publiku në stadium dhe bota shpërthen në entuziasëm. Bolt, gjithnjë Bolt!

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *