Agim Madani, shtetasi nga Shqipëria që plagosi me AK-47 një oficer policie në Pejë, mund të përfundojë shumë shpejt në pranga. Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion të gjerë në rajonin Pejës, ku besohet se është lokalizuar Madani, shtetasi nga Tropoja i dyshuar për disa vjedhje, një vrasje dhe dy tentativa për vrasjeje.
Madani është në kërkim prej kohësh, pasi kohë më parë në Shqipëri kishte kryer një vrasje. Mirëpo, prej kohësh ai është duke terrorizuar fshatrat e rajonit të Dukagjinit, kryesisht ato të Pejës dhe të Deçanit, me vjedhje dhe plaçkitje të ndryshme, raportojnë mediet kosovare.
Aksionin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësi i Policisë për rajonin Pejës, Xhevat Ibraj, ka thënë për “KTV”-në se ky person është i shpallur në kërkim dhe se njësitet policore prej kohësh janë duke punuar në kapjen e tij.
Ibraj ka thënë se ky person është i rrezikshëm dhe se në terren janë njësitet adekuate. Ditë më parë, Madani derisa po kryente një vjedhje në një fshat të Pejës, kishte plagosur një pjesëtar të Policisë së Kosovës. Ndërkohë, ai vlerësohet të jetë shumë i rrezikshëm, pasi besohet të jetë rëndë i armatosur.
