Superiorja, kjo javë foli për Skënderbeun dhe Tiranën

redaktor

Java e 21-të e Kategorisë Superiore dha disa verdikte interesante, me dy skuadra dukshëm të favorizuara, Skënderbeu dhe Tirana.

Në garën për titullin kampion, korçarët fituan një tjetër bonus prej 2 pikësh nga ndjekësit e Partizanit që nuk shkoi më shumë se barazimi në Shkodër.

Fitorja 3-1 e skuadrës së Mirel Josës në stadiumin “Qemal Stafa” mund të konsiderohet jetike në betejën e kampionëve për titullin e gjashtë rresht.

Minutat e fundit në “Reshit Rusi” rezultuan fatale për të kuqtë që u dhanë një tjetër asist korçarëve.

Dy golat e Hamdi Salihit ndaj pukjanëve me një këmbë në Kategorinë e Parë, janë një sinjal i rëndësishëm për Skënderbeun që ka arritur të shkëputet me 4 pikë më shumë në krye të klasifikimit.

Trajneri Josa deklaroi një javë më parë se diferenca është e papërfillshme, por nëse bardhekuqtë vazhdojnë në këtë rrugë, atëherë misioni titull për Partizanin mund të bëhet i pamundur.

Ishin pikërisht të kuqtë që ndaj Vllaznisë hodhën hapin fals të radhës pasi në 7 ndeshjet e fundit numërojnë vetëm 1 fitore, atë ndaj Laçit në “Qemal Stafa”.

Barazimi i dytë rresht i jep një grusht të fortë shpresave të skuadrës së Agostinellit për të prekur titullin, por mbi të gjitha është një sinjal alarmi për situatën aspak pozitive në gjirin e skuadrës.

Në Shkodër, Partizani nuk arriti të prodhonte lojë kjo edhe për meritë të një kundërshtari që gjatë vitit 2016 ka ndryshuar fytyrë. Ishte pikërisht Vllaznia që ndali Skënderbeun dy javë më parë duke ruajtur të njëjtin standard edhe ndaj të kuqve.

Tashmë Partizanin e pret një tjetër test i vështirë, kundër Kukësit në kryeqytet dhe një tjetër hap fals mund të shuajë përfundimisht shpresat e tifozëve për trofeun më prestigjioz të futbollit shqiptar.

Kukësi do të kërkojë pikë në “Qemal Stafa” pas zhgënjimit që dhuroi barazimi 2-2 në “Zeqir Ymeri” ndaj Teutës, që mbi të gjitha favorizoi Tiranën. Skuadra e Klodian Duros po has vështirësi të mëdha në harmonizim dhe pika e fituar në shtëpi mund të konsiderohet si një humbje në garën për një vend në Europa League, ku Tirana tashmë është e shkëputur me 6 pikë më shumë se verilindorët dhe 4 ndaj durrsakëve.

Bardheblutë nuk kanë lënë ende asnjë pikë në vitin 2016 dhe ndaj Bylisit treguan muskujt në një test force edhe pse nuk kishin në dispozicion emra të rëndësishëm si Karan, Bakaj apo Muça.

Golat e Muzakës dhe Peçit kompletuan rrugëtimin e suksesshëm të Ilir Dajës me 5 fitore në po kaq ndeshje mes Janarit dhe Shkurtit. Vendi i tretë dhe vetëm 7 pikë larg Partizanit, por në horizont një transfertë e vështirë në Korçë kundër kampionëve.

Tirana bind me lojë dhe rezultat, duke u rikthyer në dimensionin e saj të vërtetë, edhe pse këtë herë kishte përballë një kundërshtar dukshëm më inferior.

Në garën për mbijetesë, Bylisi mund të ngushëllohet vetëm me humbjen e Flamurtarit, pasi vlonjatët janë vetëm një pikë larg ballshiotëve pas disfatës së papritur 1-0 nga Laçi.

Çetkoviç ngriu stadiumin “Flamurtari” me një realizim personal që tregoi se malazezi ka arritur të ruajë ekuilibrat në sulm edhe pas largimit të Xhejms.

3 pikë që për Laçin nuk ndryshojnë pothuajse asgjë por në krahun tjetër vendosin në një pozitë aspak komode ekipin kuqezi që duhet të bëjë llogaritë me Bylisin dhe Vllazninë për biletën e fundit që të çon drejt kategorisë inferiore.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *