Superiorja në festë, rikthehet Partizani

redaktor

Partizani është rikthyer në Kategorinë Superiore, pas katër viteve mungesë, kohë gjatë së cilës preku fundin, duke rënë deri në Kategorinë e Dytë. Pas ndeshjeve të javës së 27-të në Kategorinë e Parë, të kuqtë e Hasan Likës kanë kryer aktin zyrtar të asaj që pritej prej kohësh, duke fituar 2-1 në fushën e Naftëtarit. Abazaj dhe Tushe i dhanë epërsinë në pjesën e parë Partizanit dhe, ndonëse vendasit ngushtuan diferencën sapo nisi pjesa e dytë, të kuqtë arritën ta ruanin deri në fund fitoren e ngushtë, e cila u dha tri pikët e vlefshme. Me përfundimin e takimit, Partizani ngjitet në kuotën e 54 pikëve, 12 më tepër se Pogradeci, çka e bën të pakapshëm në vendin e dytë për tri javët e mbetura. Në këtë mënyrë, të kuqtë shoqërojnë përfundimisht Lushnjën, e cila është kampione dhe dominuese absolute e Kategorisë së Parë për këtë sezon. Me ngjitjen e Partizanit rikthehet në Kategorinë Superiore një nga emrat e mëdhenj të futbollit shqiptar, ndërkohë që mbetet ende poshtë madje rrezikon edhe rënien, Dinamo, skuadra me më tepër trofe pas Tiranës. Blutë dje kanë marrë tri pikë lehtësuese, duke përmbysur disavantazhin e me Burrelin, falë golave të Djarmatit e Allkanjarit.

 

Retrospektiva

Partizani u rrëzua në Kategorinë e Parë në përfundim të sezonit 2008-2009, kur i mbetur pa pará, u detyrua të nxirrte në fushë kryesisht lojtarë të rinj. Përveç të metave që shfaqte vetë, skuadra e Albert Xhanit u ndëshkua shumë herë edhe nga gjykimet në dëm të saj. Të javën e fundit të kampionatit, Partizani u mund 0-1 në Lushnjë, skuadra me të cilën sot rikthehet në Superiore. Megjithatë, arriti të mbijetonte përkohësisht, për të provuar shpëtimin në play-off me Kastriotin. Në “Niko Dovana” të Durrësit, krutanët fituan 1-0, pas një pjese të parë të dominuar, por në të dytën Partizani shënoi një gol krejtësisht të rregullt, anuluar padrejtësisht për pozicion jashtë loje. Në përfundim të takimit, Partizani ra për herë të dytë nga kategoria, për t’u kthyer vetëm tani, pasi ka ndryshuar edhe pronar. Nuk është më Albert Xhani, i cili ia ka kaluar klubin presidentit aktual Lulzim Sallaku, tashmë me mision të kryer për sa i përket rikthimit në elitë.

 

 

Protagonistët e kuq

Lulëzim Sallaku/President

“Ndihem tamam si një “dem i kuq”. Jam shumë i lumtur për këtë arritje dhe dua të falënderoj të gjithë ata që kontribuan për arritjen e këtij suksesi. Premtuam ngjitjen në Superiore dhe e realizuam. Premtuam siguri financiare dhe e realizuam, pasi askush nuk ka dëgjuar se te Partizani ka probleme me pagat. Premtuam terrene dhe me ato po punohet dhe shumë shpejt do të jenë gati. Pra Partizani nuk është më ajo skuadra e pasigurt, por është një ekip që u rikthye në Superiore dhe do të bëjë një përfaqësim dinjitoz në të. Jam i bindur se në këto momente nuk po festojë vetëm unë, skuadra, apo tifozët që na ndjekin. Për Partizanin po feston e gjithë Shqipëria, pasi ky ekip është i gjithë shqiptarëve. Sezonin tjetër, Partizani do të jetë një skuadër konkurruese”.

 

Hasan Lika/Trajner

“Siguruam matematikisht ngjitjen në Kategorinë Superiore dhe dua të them që kjo është meritë e të gjithëve, duke filluar nga lojtarët, presidenti, tifozët dhe të gjithë ata që janë pjesë e Partizanit. E kemi merituar këtë kthim në Superiore, por është ende herët për të bërë plane për të ardhmen. Ne duhet të mbarojmë edhe takimet që na kanë mbetur në Kategorinë e Parë dhe më pas do fillojmë të mendojmë për përfaqësimin në elitë. Për sa i përket takimit ndaj Naftëtarit, u zhvillua një lojë e qetë dhe ne arritëm të fitonim. Kundërshtari nuk kishte objektiva dhe kjo na e bëri takimin edhe më të lehtë”.

 

 

KATEGORIA E PARË

Java e 27-të

KAMZA – BESËLIDHJA   2-1

Maho 28′, 41′ / Danaj 66′

NAFTËTARI – PARTIZANI  1-2

Zylyftari 48′/ Abazaj 23′, Tushe 44′

HIMARA – LUSHNJA  2-1

Gjondeda 3′, Zdrakoviç 77′ / Kulli 81′

GRAMSHI – ADA  0-0

MAMURRASI – BUTRINTI  3-3

Metaj 41′, 47′, D. Ndreca 77′ / Myrtaj 40′, Dosti 56′, Dalipaj 78′

POGRADECI – ELBASANI  2-3

olat: Topllari 54′, Beqiri 82′ / Kuçi 62′, 72′, 84′

ILIRIA – TËRBUNI  1-0

Papleka 51′

DINAMO – BURRELI  2-1

Djarmati 20′, Allkanjari 75′ / Pjetrani 13′

 

Renditja

Kategoria e Parë

1  Lushnja      62

2  Partizani    54

3  Pogradeci    42

4  Mamurrasi    40

5  Tërbuni      37

6  Dinamo       36

7  Himara       36

8  Iliria       36

9  Ada          34

10 Butrinti     34

11 Elbasani     34

12 Kamza        34

13 Burreli      33

14 Besëlidhja   31

15 Gramshi      31

16 Naftëtari    20

Share This Article
1 Comment
  • E dime historine e dhimbeshme te renies se “Partizanit” ne kategorine e pare. Per t’i rrembyer pronat ketij ekipi, (dhe qe u realizua) se rreth e qark Tij, ishin zene me kohe dhe ishin bere ndertime pa leje, pronaret e tokeve me ne krye dhendrin e Saliut, tek zaptuesit e tjere nuk afroheshin dhe per te mos pasur probleme me FK Partizanin e rrenuan duke e hequr nga katagoria supriore. Kudo qe ka nje ngatarrese, pas saj eshte gjithmone familje e Kryeminestrit, si tek ish ekspozita e kontraktuar per 20 vjet nga TOP Chanal. Vendi i FK Partizanit eshte vetem Kategoria Superiore. Futbolli fitoji ekipin me numrin me te madh te fanasave dhe me sportdashes. Tani do te shikojme Futboll dhe atje ku do te luaj Partizani do te kete vetem stadiume te mbushur me spotdashes. Per kete arritje, te gjithe meritojne levdata, por ne vecanti futbollistet, trajnieri Hasan Lika, tifazeria e zjarrte qe nuk e tradhetoji kurre dhe qershia mbi torte Presidenti saj Z. Lulezim Sallaku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *