Superiorja “non-stop”, 6 ekipe zbresin sot në fushë

redaktor

Kalendar i ngjeshur në Kategorinë Superiore. Pas përfundimit të supersfidës Tirana-Skënderbeu, skuadrat e elitës së futbollit shqiptar duhet të bëhen menjëherë gati për sfidat e javës së 14-të të programuara për t’u zhvilluar në mesjave. Sigurisht që bardhebluve dhe korçarëve u jepet mundësia të luajnë enjten që të rikuperojnë forcat pas përplasjes direkte të “Selman Stërmasit”.

Sfidat e sotme – Gjithçka nis me Laçi-Vllaznia, që do të luhet këtë të mërkurë në orën 14:00. Një përballje mjaft interesante nëse merret parasysh ecuria e të dyja skuadrave në javën e fundit. Dhënia e rrogave te Vllaznia pas një periudhe të gjatë krize u reflektua menjëherë me fitoren 4-0 me Flamurtarin, ndaj kuqeblutë do të udhëtojnë drejt Laçit për besimin për të marrë një tjetër rezultat pozitiv. Ndërkohë në kampin kurbinas nuk lejohet asnjë hap i gabuar në shtëpi, sidomos pas humbjes me Bylisin në “Adush Muça”.

Po në orën 14:00, Flamurtari i problemeve të mëdha pret në Vlorë, Kukësin, që kërkon të kthehet menjëherë te fitorja pas humbjes me Partizanin në “Zeqir Ymeri”. Nënkampionët e Shqipërisë synojnë të përfitojnë nga krizë e thellë ku është përfshirë klubi vlonjat, që me ecurinë e deritanishme rrezikon seriozisht mbijetesën. Në orën 17:00, Partizani pret në “Qemal Stafa” Tërbunin e vendit të fundit, në një sfidë që konsiderohet formale në letër, megjithatë të kuqtë po e përgatitin me seriozitet maksimal për të shmangur ndonjë surprizë të pakëndshme para publikut kryeqytetas.

Dy ndeshjet e tjera – Të enjten në orën 17:00 do të zhvillohen dy takimet e fundit të javës së 14-të Superiores, Teuta-Tirana dhe Skënderbeu-Bylis. Nëse për formacionin e Mirel Josës përballja me ballshiotët konsiderohet e një shkallë të ulët vështirësie, sfida e “Niko Dovanës” është e hapur. Teuta e Maganit klasifikohet me meritë në vendin e tretë, por një nga tri humbjet e sezonit ia ka shkaktuar pikërisht Tirana. “Djemtë e Detit” kanë treguar stabilitet në lojë duke marrë katër fitore të njëpasnjëshme, ndërsa për Tiranën ndeshja e radhës duhet të shërbejë si aperitiv para derbit të dytë sezonal me Partizanin.

Share This Article
1 Comment
  • Me vjen shume keq, por ne Durres, humbje e sigurte e Tiranes! Me kete humbje, pozicioni i ekipit dobesohet shume, dhe do jete kandidate potenciale per nje kategori me poshte…..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *