Argjentina ka fituar miqësoren e luksit kundër Brazilit me rezultatin 1-0.
Trajneri Tite ka vendosur të lërë pushim disa nga yjet e ekipit si, Neymar, Marcelo, Firmino dhe Dani Alves dhe mungesë tyre, veçanërisht e kapitenit, është ndier.
Gjashtë minuta i kanë mjaftuar bardhekaltërve për të krijuar rastin e parë të rrezikshëm, me Di Marian që ka shpërdoruar një mundësi të artë brenda zonës së rreptësisë, teksa goditja e tij ka përfunduar jashtë. Në minutën e 45-të, edhe fati ka dalë kundër Messi-t me shokë, pasi goditja me kokë e Otamendit është ndalur nga shtylla.
Por në minutën e parë shtesë të 45 minutave të para ka qenë mbrojtësi Mercado ai që i ka dhuruar avantazhin “Albiceleste”-s.

Reagimi i brazilianëve ka ardhur në minutën e 63-të. Gabriel Jesus ka goditur në mënyrë të pabesueshme shtyllën, teksa kishte arritur të dilte me portën e boshatisur. Topi ka përfunduar në këmbët e Willian, i cili ka goditur menjëherë, por edhe gjuajtja e tij është ndalur nga shtylla. Në fundin e takimit ka pasur momente shqetësimi për Jesus, i cili ka pësuar një dëmtim që e ka detyruar të lërë fushën e lojës, me Taison që ka marrë vendin e tij.
Rezultati ka mbetur i pandryshuar deri në fund, me Argjentinën që ka fituar “Superklasiken” e futbollit. Një fitore që i mungonte bardhekakltërve prej pesë vitesh.
Kështu, brazilianët janë kthyer të humbasin një ndeshje pas pothuajse një viti.
Në fakt, hera e fundit që verdheblutë janë larguar me kokën ulur nga fusha e blertë ka qenë 13 qershori i 2016-ës, kur janë mundur me rezultatin 1-0 në Kupën e Amerikës nga Peruja.
Nga ai moment, “Selecao” ka regjistruar 9 fitore radhazi, 8 në ndeshje zyrtare dhe 1 në miqësore. Ka qenë Argjentina, rivalja e përjetshme, ajo që i ka mohuar suksesin e dhjetë radhazi Coutinho-s me shokë dhe që i ka shkaktuar humbjen e dytë në një vit.
