Superkupa e Shqipërisë do të ketë një “pronar” të ri, pasi sot për të do të ndeshen dy skuadra që nuk e kanë fituar asnjëherë. Skënderbeu, kampion i Shqipërisë, dhe Laçi, fitues i Kupës, do të luajnë në orën 19:00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” për trofeun e parë të sezonit 2013-2014. Do të jetë një finale jubilare, e njëzeta në historinë e futbollit shqiptar. Kampionët marrin pjesë për herë të tretë radhazi në këtë finale, por në dy herët e mëparshme kanë dështuar ta fitojnë, të mundur dy herë nga Tirana, 2-1 në Korçë më 2011 dhe 1-0 në Tiranë, vitin e kaluar. Bardheblutë janë edhe skuadra që e ka fituar më tepër këtë trofe, plot dhjetë herë. Skënderbeu, dominues i futbollit shqiptar në tre sezonet e fundit, tani ka rastin më të mirë që ta fitojë edhe këtë trofe, duke pasur përballë një skuadër debutuese. Megjithatë, pas ka shijuar triumfin në Kupën e Shqipërisë, Laçit i është hapur oreksi për më tepër.
Josa pa rezerva
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, ka premtuar se do të aktivizojë formacionin më të mirë të mundshëm sot përballë laçianëve. Të enjten korçarët do të ndeshen me Çernomorets të Odesës për Europa League, por Josa nuk ka ndërmend ta injorojë Superkupën, duke dashur ta fitojë me çdo kusht këtë trofe, i cili nuk i mungon në “vitrinën” personale. Ai e ka fituar më parë Superkupën si trajner i Tiranës, kur më 2005 merrte hak ndaj Teutës për humbjen në finalen e Kupës. Ashtu si finalja e Kupës në “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit, edhe Superkupa në “Qemal Stafa” u zgjidh me penallti, pas barazimeve pa gola. “Superkupa është trofe zyrtar dhe ne duam ta fitojmë. Nuk do të mendojmë për ndeshjen me ukrainasit, pasi kemi kohë për t’u përgatitur për ta. Çdo ndeshje ka radhën dhe rëndësinë e saj”, thotë trajneri i Skënderbeut.
Nica, shansi i dytë
Josa do të provojë finalen e dytë të Superkupës si trajner i Skënderbeut, por edhe për trajnerin e Laçit, Stavri Nica, nuk do të jetë hera e parë. Ka qenë pikërisht ai trajner i Teutës në finalen e humbur të vitit 2005, ndaj këtë herë shpreson për një fat më të mirë. Laçi vjen në këtë ndeshje pas fazës përgatitore të zhvilluar në Austri dhe trajneri shprehet se kurbinasit janë gati. “Kupat janë stimuj për të gjithë, kështu që po punojmë për ta fituar. Përballë kemi një ekip si Skënderbeu, që po dominon futbollin tonë vitet e fundit. Jemi të ndërgjegjshëm për shkallën e vështirësisë së këtij takimi, por ne do tentojmë fitoren për të bërë tonin një tjetër trofe, pas Kupës së Shqipërisë”.
FINALET E SUPERKUPËS
1989 DINAMO-Tirana 2-0
1990 FLAMURTARI-Dinamo 3-3 (5-4 p)
1991 FLAMURTARI-Partizani 1-0
1992 ELBASANI-Vllaznia 3-2
1994 TIRANA-Teuta 1-0
1998 VLLAZNIA-Apolonia 1-1 (5-4 p)
2000 TIRANA-Teuta 1-0
2001 VLLAZNIA-Tirana 2-1
2002 TIRANA-Dinamo 6-0
2003 TIRANA-Dinamo 3-0
2004 PARTIZANI-Dinamo 1-0
2005 TIRANA-Teuta 0-0 (5-4 p)
2006 TIRANA-Elbasani 2-0
2007 TIRANA-Besa 4-2
2008 DINAMO-Vllaznia 2-0
2009 TIRANA-Flamurtari 1-0
2010 BESA-Dinamo 3-1
2011 TIRANA-Skënderbeu 1-0
2012 TIRANA-Skënderbeu 2-1