Superliga, luhet vetëm për titullin kampion

redaktor

Java e 28-të e Kategorisë Superiore, e para për fazën e katërt dhe të fundit, nuk dhuroi asnjë rezultat surprizë. Përkundrazi, konfirmoi katër skuadrat pretendente për titull, që triumfuan në ndeshjet respektive. Nga 5 ndeshje në total u regjistruan tri fitore minimale të skuadrave pritëse, një sukses i thellë 5-1, që i përket Skënderbeut në takimin e Korçës me Elbasanin dhe vetëm një triumf në transfertë 0-2, pikërisht në “Loni Papuçiu”, ku Apolonia u dorëzua ndaj Tiranës. Kjo ishte edhe sfida ku shpresohej se mund të mbahej gjallë gara për mbijetesë, por bardheblutë arritën të ruanin hapin e rivalëve të tjerë për titull, në dëm të fierakëve, që tashmë duhet të rikuperojnë plot 7 pikë ndaj Teutës për të qëndruar në elitën e futbollit shqiptar. Një mision thuajse i pamundur kur kanë mbetur edhe 8 javë nga fundi i sezonit.

Skënderbeu bëri detyrën në Korçë ndaj një Elbasani që po zbret në fushë me të rinjtë thjesht për të respektuar kampionatin, ndërsa Kukësi vuajti shumë për të mposhtur Vllazninë në “Zeqir Ymeri” falë golit të Pero Pejic, i 22-ti për kroatin në këtë sezon në Superligë.

Partizanit i mjaftoi një gabim i portierit Moçka për të mposhtur Laçin të përgjysmuar nga dëmtimet, në një sfidë që parashikohej nga i gjithë opinioni sportiv në vend se do të shkonte për të kuqtë. Pas barazimit të arritur me Tiranën, Teuta fitoi minimalisht me Flamurtarin dhe tani mund të marrë frymë lirisht, pasi nuk e ndjen presionin e Apolonisë nga pas.

Superliga do të rikthehet pas gati dy javësh me ndeshjet e javës së 29-të, ku e vetmja përplasje mes të fortash është ajo mes Laçit dhe Skënderbeut. Kukësi dhe Partizani do të kenë përballë kundërshtarë të fundit të tabelës, pikërisht Apoloninë dhe Elbasanin, ndërsa Tirana do të udhëtojë drejt Vlorës, ku do të synojë të ruajë hapin e rivalëve përballë një skuadre të pamotivuar. Ndërsa Vllaznia – Teuta do të jetë një sfidë ku rezultati do të vlejë vetëm për statistikë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *