SUPERMJETET / Vijnë veglat e së vërtetës; 5 lupa speciale nga SHBA për SPAK

redaktor

TIRANË, Bubq, ura e Gjoles – Kanë mbërritur ditën e hënë në Rinas me një avion special, mjetet më të fundit teknologjike në dispozicion të drejtësisë së re shqiptare. Pesë lupa moderne, dhuratë e FBI-së amerikane do të ndihmojnë policinë dhe hetimin shqiptar në luftën kundër krimit të organizuar dhe atij të çorganizuar, si dhe kundër korrupsionit në qoftë se premton koha.

Dhuratën e çmuar e priti në aeroport vetë i brendshmi Ministër Sandër Shajaku, I cili deklaroi se është vërtetuar me statistika se përdorimi i këtyre super-mjeteve ka rritur me 80% zgjidhjen e krimeve dhe zbulimin e rasteve të korrupsionit sa herë ato janë përdorur.

“Që pas profilizimit të ADN-së në vitet 80 të shekullit të kaluar, përdorimi i këtyre lupave është hapi i dytë më domethënës në futjen e kriminalistikës në epokën moderne,” deklaroi Shajaku.

Sipas ministrit, lupat në fjalë, që do përdoren më s’paku nga SPAK, por edhe nga agjenci të tjera ligjnuhatëse, do mundësojnë pikasjen e detajeve dhe elementëve që deri tani ishte e pamendueshme se mund të shiheshin, si për shembull fije floku, copa thonjsh, gjurmë këmbësh në baltë, njolla gjaku etj.

“Një indicie e vockël që deri më tash ka kaluar pa u vënë re, e që madje mund të jetë e padukshme në sy të lirë, do të kapet nga këto lente potente dhe do ndihmojë në zgjidhjen e krimeve të sofistikuara, si në gjithë botën e qytetëruar. Sepse siç e dini, shejtani fshihet në detalet e imëta,” pohoi Shajaku.

Sipas ministrit të entuziazmuar nga kjo dhuratë e pashpresuar, lupat do mundësojnë gjithashtu edhe hedhjen dritë mbi dokumentacione pikante, si llogari bankare, fletë transaksionesh, kontrata etj, që janë kaq të ngjeshura nga gërmat dhe shkronjat e vogla, sa të merren mendtë.

“Me një lupë të tillë, nuk është nevojë të kërrusesh mbi pirgje me letra për të zbuluar diçka që nuk shkon në deklaratat e pasurisë. Ti je komod në karrigen e zyrës, vendos lupën mbi letër dhe gërmat e shkronjat të afrohen vetë,” sqaroi ministri.

Normalisht, pranoi zoti Shajaku, përdoruesit e këtyre mjeteve do duhet të trajnohen para se t’u besohet një teknologji e këtyre përmasave.

“Vetëm pas një trajnimi të kujdesshëm, hetuesit, policët e prokurorët shqiptarë do marrin në dorë këto lupa. Sepse ka ndodhur që nga pakujdesia, lupa është mbajtur shumë afër një prove shkencore dhe e ka djegur atë, sidomos në ditët me diell,” tha i Brendshmi ministër.

P.S. Mësohet se së shpejti për njësitet shqiptare antikorrupsion do të mbërrijë edhe një parti gotash speciale, të cilat nqs vendosen në mur në mënyrën e duhur, mund të përgjojnë bisedat në anën tjetër.

*****

SHËNIM / Kujdes. Gojët e Liga është rubrikë satirike. Nuk rekomandohet për moshat mbi 20 vjeç.

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *