Apolonia fiton duelin e mbijetesës me Elbasanin falë golit të Realdo Filit, një djalosh i talentuar që bashkë me Uzunin po i japin shpresë ekipit fierak për mbijetesë. Kjo ishte fitorja e parë nën drejtimin e Artan Mërgjyshit, që e ngjit Apoloninë në kuotën e 13 pikëve, aq sa ka edhe Elbasani.
Sfida nisi e hapur me sulme të njëpasnjëshme nga të dy krahët, për vetë faktin se si Elbasani dhe Apolonia nuk kanë çfarë të humbasin. Adenkule dha shkëndijën e parë në minutën e 6 me një goditje nga distanca, ndërsa një minutë më pas rreziku kaloi në portën tjetër me Enco Malindin që nuk u koordinua siç duhet në goditjen me kokë. 2 minuta më pas Apolonia pati një rast ideal me Dimon, goditja e të cilit kaloi ngjitur me shtyllën. Tentativa me kokë e Atandës në të 27-ën u ndal nga një mbrojtës kundërshtar, ndërkohë që në vijimin e aksionit provoi edhe Adenkule nga limitet e zonës, por goditja e tij ishte pasaktë. Në të 29-ën u shënua rasti më i mirë për Elbasanin, Kamerunasi Jontca bëri gjithçka mirë ndaj mbrojtjes së Apolonisë por goditja e tij përfundoi vetëm pak centimetra jashtë katërkëndëshit të mbrojtur nga Cakovic.
Apolonia arriti të kalonte në avantazh në minutën e 38-të falë të riut Fili, i cili u asistua nga Dimo brenda zonës. Ky ishte finalizimi i dytë sezonal për talentin fierak pas golit të shënuar ndaj Kukësit në “Loni Papuçiu”. Elbasani nuk mund të pajtohej me këtë rezultat, ndaj në pjesën e dytë sulmon me shumë forca, por lë shumë hapësira prapa, sikurse në pjesën e parë nuk munguan momentet e tensionit, duke e detyruar kryesorin të nxjerrë disa herë kartonin e verdhë për futbollistët e të dyja skuadrave.
Në minutën e 78-të Amarildo Dimo nuk arrin të shënjestrojë portën në një pozicion të prirët, ndërsa tri minuta më pas Uzuni dhe Ribaj dështuan ta dërgonin topin në rrjetë pas një kundërsulmi të shpejtë të fierakëve.
Tre minuta nga përfundimi i kohës së rregullt Jean Paul Yontca pati një rast ideal me kokë, por topi përfundoi mbi tra. Edhe koha shtesë nuk i mjaftoi Elbasanit për të marrë të paktën një pikë nga kjo sfidë, rezultati i së cilës i minimizoi shanset e formacionit të Muharrem Dostit për mbijetesë.
