Divjaka është vend i çudirave. Natyra e bukur myzeqare të befason edhe kur e ke njohur zonën më parë. Surprizat janë të shumta edhe pasi ke shëtitur lagunën në afërsi, edhe ishullin e njohur si ishulli i Pelikanit Kaçurrel. Një diell dimëror, pas një nate me ngricë e bën vezulluese ditën divjakase plot reflekse ujrash, gjelbërimi dhe ngrohtësie. Në bregdetin e plazhit të njohur ku zakonisht vizitorët shfaqen në çdo stinë të vitit duke shfrytëzuar ditët me diell, akoma ishin të pranishme gjurmët e përmbytjeve të fundit të janarit. Kjo pasi ujërat që kishin hyrë në mjediset e plazhit, ende e bënin të pamundur kalimin e njerëzve në bregdet. Dukej sikur ishte krijuar mikro-lagunë të re disa metra larg buzës së ujit. Dhe pjesa e bregdetit ku zhvillojnë aktivitetin e tyre peshkatarët vendas duket si një ishull mes ujërave të detit e zonës së rërës. Nga pamundësia e shfrytëzimit të bregdetit prej turistëve dimërorë, duket sikur edhe lokalet e shumta i kanë dhënë leje personelit. Ndërkohë që ky plazh është një resurs turistik me vlera të mëdha jo vetëm lokale, por edhe kombëtare. Ai ka një shtrirje prej 15 kilometrash dhe një brez rëre të bardhë bregdetare që arrin deri në 250 m gjerësi. Është i qarkuar me pisha të rralla të Parkut Kombëtar të Divjakës dhe mbetet përherë një destinacion për mijëra turistë ditorë dhe sezonalë. Kohët e fundi ka filluar promovimi i turizmit në banesat e zonës. Duke e pasur këtë informacion që realisht ta shton kuriozitetin

për të ditur më shumë rreth zonës, pasi dolëm nga rezervati i Divjakës u shmangëm në rrugën që ecën paralel me ujërat e lagunës së Karavastasë. Udhëtuam drejt Komunës së Rremasit, me dëshirën për të vizituar një kishë bizantine të zonës, por e gjetëm të mbyllur.
Një mësues fizike i dalë në pension na tregon se tashmë po rigjallërohet gradualisht jetesa, pasi ka filluar të lëvizë edhe tregtia e turizmi, të cilin deri tani e thithte tërësisht Divjaka. Ai tregon edhe grykëderdhjen e vjetër të lumit Seman, për të cilin thotë se e devijoi dhe e disiplinoi regjimi i kaluar kur thau kënetën e Myzeqesë. Dhe mbase që këtu tregon ai, ka mbetur edhe ndikimi që kjo zonë ka qenë tradicionalisht e majtë… Një banor tjetër duke qenë në unison me të thotë se zona nuk mund t’i harrojë bëmat e bejlerëve, që i kishin lënë mes ujërave të lumenjve, baltës, analfabetizmit… E vështrojmë me kuriozitet. Nuk është i vjetër në moshë, është rreth 45 vjeçar…
Në fshatin Muçijas, rrugës vëren kryesisht stile banesash të vjetra, por edhe shumë të reja, të familjeve me emigrantë. Një lokal i ndërtuar me gurë të harmonizuar me qeramikë ndodhej anës rrugës. Dera e madhe e gdhendur me një ushtar antik të plotë në dimensione, ishte dërrasë dhe të revokonte pamjet e vjetra të filmave me tema trojane me motive homerike. Kjo natyrisht na bëri kuriozë dhe ndaluam për të parë një pamje të rrallë “muzeale” që nuk mund të anashkalohej. Pasi të hapte derën ushtari trojan me shtizë në dorë, në brendësi të lokalit ndodhej oxhaku tradicional i shumë lokaleve luksoze. Madje lokali kishte 2 të tillë. Ndoshta ngaqë dikur, jo kushdo mund të ndërtonte oxhak në kasollet myzeqare të zonës… Oxhakët ishin prej guri masiv me luanë të gurtë të gdhendur mjeshtërisht. Na thanë se i kishte gdhendur Kaso Kaja, i cili kishte punuar rreth 23 vite në Greqi dhe me fillimin e krizës ishte rikthyer në atdhe. E takojmë dhe na përgjigjet se kishte punuar në Kretë dhe në Athinë. “Jam myslimani nga Shqipëria që kam dekoruar me dhjetëra kisha ortodokse! U kthyem në atdhe se kishim shpresë, por edhe shpresat po na shuhen” – thotë ai. Për pikturën në derën e lokalit na thanë se është një person me duar të arta që e ka bërë. E quajnë Adriatik Rrasa.
Miqtë e tij, na kishin thënë më parë se ai ishte një mjeshtër i gdhendjes dhe se kishte bërë kushedi sa mobilie dhe kishte arreduar mjaft banesa luksoze të tregtarëve dhe politikanëve të pasuruar të Tiranës. Po surpriza e madhe priste në banesën e tij. Ai kishte ngritur një atelie artistike në natyrë në mjediset e oborrit të vet.
SHTEPIA E SURPRIZAVE ARTISTIKE
Ti pret të hysh në një banesë të zakonshme fshati, por realisht ke hyrë në një shtëpi surprizë. Në një mjedis muresh të gurta që të fusin në një botë shumë shekullore. Skulptura. Një kokë krevati në punim e sipër, me figura druri të gdhendura me skulptura të Herkulit dhe Afërditës. Muret janë të larta dhe të armuara me armë të vjetra. Imitime të Pirros së Epirit, Aleksandrit të madh, monedhave të gurta të emetuara në Durrës dhe Apolloni. Një kokë e gurtë Zeusi e riprodhuar mjeshtërisht që është gjendur në zonën e Mallakastrës. Objekte
gjithfarësoj. Më tej në një mur tjetër ndodhen skulptura të Naim Frashërit dhe figurave të shquara të artit dhe kulturës sonë në shekuj. Janë panele të ndryshme, thotë Adriatiku, në të cilat kam përgjithësuar mes të tjerave Panelin e Artit dhe atë të Historisë. Ai ka pasqyruar realisht mitologjinë e lashtë iliro-pellazge si dhe objekte te mitologjisë së vendeve fqinje të kulturës greko-romake, që kanë dalë nga gërmimet arkeologjike në vendin tonë.
“Eshtë një punë disa vjeçare, thekson Rrasa, që tregon një pikësynim timin. Është konkretizimi i vizioneve të mia artistike për të cilat kam harxhuar shumë kohë dhe mund. Kështu kam dashur të përshkruaj në pak metra katrorë edhe historinë dhe artin e trevës sonë. Psh në anën e djathtë kam konstruktuar panelin e antikitetit, ku ndodhen Afërdita dhe Apolloni. Është gdhendur emri i Arnisës, një vendbanim i para erës sonë, që ndodhet në kodrinën në afërsi të fshatit, për të cilin është menduar si i themeluar nga grekët, por që rezulton të jetë Ilir, pasi kështu flasin qartë edhe të dhënat e fundit arkeologjike të nxjerra nga disa ekspedita. Pra këto themele dhe ky qytetërim i vjetër është Ilir”.
Në të gjithë sipërfaqen e mureve janë riprodhuar rreth 40 objekte historike të gjetura në gërmimet arkeologjike të vendit tonë. Ai ka punuar edhe në gdhendje druri dhe guri, por pasioni për gurin sikur është më i madh, pasi edhe themelet e Arnisës që ruajnë të dokumentuar historinë shumëvjeçare Ilire janë prej guri. Në unitet me muret e Arnisës në një kodër të butë të Babunjës janë edhe objektet e gdhendura në këtë muze natyror si dhe mbiemri i Adriatikut, Rrasa. “Më pëlqen pavdekësia, thekson ai, dhe kështu guri mbetet më i preferuari. Guri është një punë që flet vetë. Pastaj zona e jonë ka pasur traditë edhe gurin edhe drurin, por edhe qeramikën, prandaj unë edhe muret i kam dekoruar me qeramikë”. “Të tre këto komponentë së bashku, po të harmonizohen me shije, mund të nxjerrin punime të klasit të lartë”, thekson artisti kurajoz.
Sipas Strabonit, Geografia, Lib.8, koordinatat gjeografike të Arnisës jepen duke theksuar se ajo ndodhet në tokën e Taulantëve. Arkeologu H.Ceka këtë qytezë e lokalizon në fshatin Babunjë e Re në rrethin e Lushnjës. Gërmimet e para arkeologjike u bënë në vitet ’89. Aty arkeologët zbuluan pjesë të një muri protourban, që daton në fillim të periudhës së Hekurit të Hershëm. Në pjesën e sipërme të kodrës u zbuluan gjithashtu parete enësh qeramike të shek. VII-V p.e.s. Arkeologët zbuluan gjithashtu themelet e murit fortifikues të “qytezës” i datuar në shek. IV p.e.s. Sipërfaqja e “qytezës” zinte rreth 2.3 ha. Qyteti, zhvillimin më të madh të tij e pati në shek. IV-III p.e.s. Qeramika e gjetur në gjithë hapësirën e vendbanimit daton në këtë periudhë.

