Valtteri Bottas me Mercedes ka siguruar sot “pole position” në pistën e Spielberg, të vlefshëm për garën e Çmimit të Madh të Austrisë në Formula 1, që zhvillohet nesër (starti, ora 14:00).
Një paraqitje e mirë e pilotit finlandez, që ishte më i shpejti në përfundim të tri sesioneve të provave zyrtare, duke dhënë kohën 1’04”251, “pole” nr.2 në karrierën e tij. Ai përfitoi edhe nga gabimet e rivalëve të tij në xhiron e fundit të shpejtë për të siguruar këtë rezultat fantastik, duke e nisur garën nga vija e parë.
Në krah të tij, në vijën e parë të startit, do të jetë edhe Sebastian Vettel me Ferrari, që dha një kohë të mirë.
Vetem i treti Lewis Hamilton me makinën tjetër Mercedes, që bëri disa gabime në pistë gjatë xhiros së fundit, duke mos arritur dot të japë një kohë të mirë. Por piloti britanik është penalizuar me 5 pozicione për shkak të ndërrimit të kambios dhe do ta nisë garën e nesërme nga vendi i tetë.
Pas tij u rendit Kimi Raikkonen me makinën tjetër Ferrari. Pas pilotit të “kokëkuqes” u klasifikuan dy makinat Red Bull, me Daniel Ricciardo që ishte më i shpejtë se shoku i tij Max Verstappen.
Edhe pse holandezi garonte para fansave të tij, të shumtë në Austri, bëri mjaft gabime, duke dalë edhe jashtë pistë. Nga vendi i shtatë në të dhjetin u klasifikuan Grosjean (Haas), Perez (Force India), Ocon (Force India) dhe Sainz (Toro Rosso).
Në përfundim të sesionit të parë të provave zyrtare, të eliminuarit janë Palmer (Renault), dy makinat Williams të Massa e Stroll si dhe dy makinat sauber të Ericsson dhe Wehrlein, të cilat nuk mundën të avancojnë më tej.
Në këtë sesion, kohën më të shpejtë e dha Lewis Hamilton. Ndërsa në përfundim të sesionit të dytë, pesë pilotët e eliminuar janë Hulkenberg (Renault), Alonso (McLaren), Vandoorne (McLaren), Kvyat (Toro Rosso) dhe Magnussen (Haas), që nuk zbriti fare në pistë.
Kohën më të shpejtë në këtë sesion e dha një tjetër pilot i Mercedes, Valtteri Bottas.
