Surprizon Kamza, ndal Skënderbeun në barazim 1-1

Gazeta Dita

Surprizë në ditën e fundit të javës së dytë të kampionatit në Kategorinë Superiore, me Kamzën që ka arritur të ndalë në shtëpi skuadrën e Skënderbeut.

Është mbyllur në barazim 1-1 sfida mes Kamzës së ringritur në superiore, ndaj ekipit korçar që vijon njëkohësisht edhe aventurën europiane, në fazën e grupeve të UEFA Europa League. Ishin pikërisht bardhkuqtë ata që kaluan të parët në avantazh me anë të Shkodrës, në minutën e 29.

Ndërkohë, vendasit kanë barazuar shifrat në minutën e 67’ falë golit të realizuar nga Rezi. Një barazim që i ka dhuruar Kamzës pikën e parë në këtë aventurë të re në superior, ndërsa Skënderbeu është ndalur në vend të dytë në kuotën e 4 pikëve, dy më pak se Teuta, që mban vendin e parë, me pikë të plota.

Skënderbeu ka zhbllokuar rezultatin, duke kaluar në epërsi, në rastin e parë për shënim gjatë pjesës së parë, kur tentativat e vendasve ishin disi më konkrete.

Një aksion me protagonist Gavazajn, që shërben një top në zonë, aty ku gjen Nimagën dhe Shkodrën, me këtë të fundit që finalizon aksionin me një gjuajtje drejt portës, aty ku topi është ndalur vetëm nga rrjeta.

Disi të kënaqur me avantazhin, por njëherësh edhe të pamundur për shkak të zonave të ngushta në gjysmëfushën kundërshtare, skuadra e Skënderbeut nuk ka mundur dot të gjejë golin e dytë.

Përkundrazi, në minutën e 67’, Kamza ka barazuar rezultatin. Një driblim perfekt i Fustar nga e djathta dhe një asist perfekt në zonë, janë shfrytëzuar maksimalisht nga Rezi, i porsa aktivizuar, që ka dërguar topin në rrjetë, 1-1.

Kamza-Skënderbeu 1-1

Shënues: Rezi 67’ / Shkodra 29′

Kamza: Halilaj, Frashëri, Fushtar, Kuqi, Neziraj, Arrabal, Zefi, Imeri, Mehmeti, Fukui, Racic.

Trajner: Ramadan Ndreu

Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Aliti, Mici, Nimaga, Lilaj, Gavazaj, Shkodra (62′ Muzaka), Sahiti, Soue.

Trajner: Ilir Daja

Gjyqtar: Klajdi Kola

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *