Është themeluar në verë dhe debuton direkt në ligën e katërt, pasi ka blerë licencën e një klubi të falimentuar
Një skuadër shqiptarësh është themeluar në Austri dhe tashmë merr pjesë në kampionatin e kategorisë së katërt, nga tetë që ka gjetheje vendi i Evropës Qendrore. Siti i shqiptarëve të Zvicrës, albinfo.ch, bën të ditur se skuadra e njohur me emrin SV Albania është themeluar në verën e këtij viti në Vienë, nga shqiptarët e shumtë që jetojnë në Austri. Më parë, komuniteti shqiptar në Austri ka pasur skuadra kryesisht për sportet luftarake, ndërsa tani ka si përfaqësues të saj edhe një skuadër nga sporti më i dashur në botë. Mair Istrefi nga Struga, i cili është sekretar e këtij klubi, tregon se duke parë nevojën e hershme të rinisë shqiptare në ato anë për integrim dhe organizim të mirëfillta ekipor, së bashku me kushëririn e tij dhe dy bashkatdhetarë tjerë, morën iniciativën për themelimin e klubit të futbollit SV Albania. “Ne kemi kaq shumë të rinj të zellshëm e të talentuar, shumë nga të cilët nuk po munden të gjejnë veten në ekipet tjera. Prandaj, në mënyrë që ata të mos bredhin rrugëve, themelimi i klubit ishte nevojë e domosdoshme.
Në një mbledhje ku u diskutua gjerësisht për themelimin dhe startimin e ekipit, u formua kryesia dhe u zgjodh edhe trajneri”, thotë Istrefi. Trajner i skuadrës është Lulzim Bojku. Sekretari shton se në këtë klub aderojnë anëtarë nga të gjitha trojet shqiptare. “Kemi anëtarë nga Struga, Kosova, Tetova, Presheva, Kumanova, me një fjalë nga të gjitha trevat shqiptare. Qëllimi ka qenë që me formimin e këtij klubi të mos mbetemi mbrapa të tjerëve, por ata të rinj që kanë afinitete për këtë lojë të mund të gjejnë shprehje, për ta ruajtur rininë tonë të shëndoshë, larg dukurive negative që kemi rastin t’i shohim në Austri”, vazhdon Istrefi. “Pasi bëmë regjistrimin pranë organeve kompetente, ne u informuam se një klub nga liga e katërt po nga ky rajon ishte në shuarje e sipër. Me këtë rast ne mobilizuam forcat dhe blemë të drejtën e garimit në këtë kategori. Në Austri ekzistojnë 8 liga gjithsej dhe secili klub në fillim starton në ligën e tetë. Ajo që më gëzon më së shumti është se ekipi po tregon rezultate fenomenale në këtë kategori. Jemi befasia më e këndshme e kampionatit, gjendemi në pozitën e pestë, me 24 pikë në 12 ndeshje. Shpresojmë të ngjitemi në ligën e tretë në dy-tre vitet e ardhshme”.
Trajneri Lulzim Bojku thotë se ambiciet e klubit, kryesisë dhe vetë lojtarëve, janë që këtë vit të stabilizohen në këtë kategori. “Pastaj do të synojmë që brenda një afati të shkurtër të ngjitemi në ligën e tretë. Ndaj edhe që të gjithë po punojnë maksimalisht për të arritur këtë objektiv”.
ju lumte