Drejtuesit e Grupit Parlamentar Socialist Gramoz Ruçi dhe Taulant Balla morën pjesë në mbledhjen e Grupit Socialist dhe Demokrat ne Parlamentin Europian.
Në këtë takim ishin të ftuar edhe drejtuesit të grupeve parlamentare të partive të majta nga të gjitha vendet e Ballkanit.
Presidenti i Grupit, Hannes Swoboda, në hapje të këtij takimi rajonal garantoi mbështetjen e vazhdueshme të socialistëve dhe demokratëve për zgjerimin e Bashkimit Europian edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor. “Në dallim nga e djathta evropiane, ne socialistët mendojmë se Bashkimi Europian duhet të vazhdojë zgjerimin edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Duke iu referuar Shqipërisë, presidenti i Grupit, Swoboda, u shpreh se Shqipëria ka nevojë për ndryshim të qeverisjes dhe se zgjedhjet e këtij viti kanë një rëndësi të madhe për ecurinë e procesit të integrimit.
Ndërsa eurodeputetja Tanja Fajon shprehu shqetësimin se disa vende anëtare të BE po kërkojnë rivendosjen e vizave për qytetarët e disa vendeve të Ballkanit. Në përgjigje të këtij shqetësimi, kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, u shpreh se qytetarët shqiptarë kanë respektuar në tërësi kushtet e lëvizjes së lirë dhe numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është i pakonsiderueshëm në krahasim me vendet e tjera. Ruçi kërkoi gjithashtu që eurodeputetët e majtë të vazhdojnë të mbështesin liberalizimin e vizave edhe për qytetarët e Kosovës.
Në përgjigje të shqetësimeve për rritjen e retorikës nacionaliste në Shqipëri, Gramoz Ruçi tha se në Shqipëri kryeministri Berisha po mundohet të kapet me dëshpërim pas fantazmës së nacionalizmit primitiv ballkanik, siç kapet pas fijes së barit ai që po mbytet.
“Pasi e zhyti Shqipërinë në një rrënim demokratik, ekonomik dhe social, kreu i kësaj qeverie, më e korruptuara në Europë, po rrezikon ta tjetërsoj rolin tradicional konstruktiv të Shqipërisë në rajon,” tha Ruçi.
Gjithashtu gjatë takimit zoti Ruçi i njohu eurodeputetët edhe me problematikat që lidhen me përgatitjen e procesit zgjedhor të 23 qershorit dhe përshëndeti angazhimin e Parlamentit Europian për monitorimin e këtyre zgjedhjeve.