Ka një sindromë prej Robinson Kruzo te shqiptarët,e cila përgjithësisht ndahet në dy momente psikologjike. E para është një ndjenjë izolimi e ardhur kjo jo vetëm prej izolimit politik të së shkuarës dhe mbi të gjitha të së tashmes,por dhe si një mentalitet që rrallë herë e kapërcen pragun e shtëpisë si kufi angazhues social dhe politik,e kjo prodhon dhe aspektin e dytë,i cili është keqinterpretim i politikave jo vetëm në vendet e Ballkanit por dhe politikën globale në tërësi.
Kjo cektësi në analizë vihet re sidomos kur fjala bie tek Greqia,ku shumica e atyre që janë në një mënyrë vetshpallur si ekspertë të politikës ndërkombëtare,në shumicën e rasteve duan thjesht të jenë brenda koordinatave të paragjykimit kolektiv që “greku është i keq gjenetikisht”dhe prodhojnë papushim analiza të cilat s’kanë kurrfare lidhje me realitetin politik atje dhe me ndikimin që kriza greke do ketë në Europë por mbi të gjitha në vendet përreth saj në Ballkan.
SYRIZA,është shpesh herë subjekti i kësaj kritike,duke përdorur logon e saj si një forcë radikale e majtë,”ekspertët” tanë e kanë paragjykuar që në fillim duke e lidhur kësisoj në mënyrë perverse ekzistencën e saj me komunizmin shqiptar,e me një rregull kryekëput jo logjik,kanë ndërtuar logjikën e diçkaje të keqe,jo vetëm për Grekët por mbi të gjitha edhe për ne shqiptarët.
Për këtë lind domosdoshmëria të shohim përtej mureve të paragjykimit e të analizojmë influencen që sot SYRIZA ka në Greqi dhe politikat për të cilat ajo qëndron,e sidomos në kushtet kur pritet që në zgjedhjet e ardhshme sipas të gjitha sondazheve serioze,ajo do drejtojë shtetin fqinj,në rrugën e vështirë të krizës.E sidomos ndikimin që mund të ketë kjo qeverisje në raportet që do ndërtoje me Europën,si një universalitet i politikës së ardhshme të Ballkanit.
SYRIZA është një parti që është krijuar nga bashkimi I dhjetra partive të vogla,grupeve studentore,punëtore dhe fshatare të cilat vinë nga një legjitimitet I fortë anti-fashist në Greqi.Traditë kjo që daton në betejën 30 vjeçare që majtistët grekë kanë bërë kundra udhëheqjes së gjeneralëve.Kjo është dhe arsyeja pse universiteti në Greqi është qendër e prodhimit të politikave antiautoritare, pikërisht se prej universitetit dhe studentëve në vitet ‘70,filloi vala e ndryshimit të Greqisë nga një vend fashist në një vend demokratik. Me mijëra numërohen njerëzit e vrarë,burgosur,torturuar nga regjimi Grek,një prej tyre dhe babai i udhëheqësit të SYRIZA,Aleksis Tsipras. Momenti i dytë i ngjizjes së këtyre grupeve përparimtare në një parti politike është dhe pamjaftueshmëria e hapësirës në partinë komuniste greke (KKE),e cila ruan dhe sot një politikë të vjetër Staliniste që nuk është aspak në koherencë me zhvillimet e reja politike dhe ekonomike të Europës.Kështu që cilido që e lidh SYRIZA me konceptin e vjetër Stalinist e ka huqur komplet situatën dhe zhvillimet atje,e kjo bëhet ose për të spekuluar ose si prodhim i injorancës,te dyja këto faje të rënda për këdo që do të kontribuojë në informimin e publikut.
Ka qënë pikërisht koherenca e qëndrimeve politike në favor të të varfërve dhe kundër spekulantëve të biznes-politikës Greke,e cila e ka udhëhequr vendin deri më tani si mbretëri duke e qarkulluar pushtetin vetëm në pak familje,e mbi të gjitha modernizmi absolut i një hapësire totalisht demokratike të brendshme ka bërë që SYRIZA në harkun e pak viteve të kalonte nga një parti me një përqindje të pallogaritshme, në një forcë që sot ka 71 deputete në parlamentin Grek,e që në 2013 pritet të marrë pushtetin.Koherencë e bazuar pikërisht në dy prej shtyllave ku bazohet programi i saj, i cili në mënyrë sistematike është sulmuar sidomos nga MERKEL e shumë lidera të PPE,si rezultat i ruajtjes së legjitimitetit neo-liberal në Greqi e në Ballkan.
Lle të dekonstruktojmë fillimisht dy prej kritikave kryesore që i bëjnë të djathtët programit të kësaj force.Borxhit të jashtëm pra mospagimit të tij dhe së dyti anti-europianizmit. Së pari kjo parti,nuk është kundra pagimit të borxhit,por kjo duhet bërë me një analize se si është marë borxhi? Kujt I ka shërbyer? A ka qenë ky borxh i marrë me një konsensus të gjerë demokratik apo vetëm nga një grusht personash të interesuar për të?
Rezulton që në shumicën e rasteve borxhet janë marrë për të ndërtuar vepra të mëdha publike,të cilat në po aq raste janë ndërtuar nga kompani europiane apo amerikane,pra këto para kanë riqarkulluar sërish në duart e atyre që e kanë dhënë këtë kredi.Borxhi është marrë shpesh herë pa konsensus e në disa raste është bërë dhe në mënyrë të fshehtë.Kësisoj ky borxh nuk i përket shoqërisë por është një akt kriminal i atyre që e kanë marrë këtë vendim.Për ta bërë argumentin më të prekshëm,le të shohim rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë.Sali Berisha e ka hequr kufirin e borxhit në mënyre kriminale.Këtë PD nuk e ka pasur në premtimet e saj elektorale,pra populli si vendimarrës dhe si pagues i këtij borxhi nuk e ka sjellë këtë forcë politike në pushtet me këtë premisë,kjo bën që ky veprim të jetë një çmenduri e një grushti njerëzish të veshur me pushtet që bën një veprim abzuiv,pra ky veprim në tërësinë e tij është abuziv dhe kjo bën që borxhi në vetvete të jetë abuziv dhe të vihet në dyshim pagesa e tij si pasojë e mekanizmave që janë përdorur për ta marrë këtë borxh. E njëjta gjë po ndodh sot me Gruevskin në Maqedoni e këtë gjë ka bërë dhe kryministri Bullgar,pa u çuditur të gjithë personazhet e lartpërmendur janë të djathtë,kjo dhe si tregues i vizionit shkatërrimtar që ky mentalitet po ndërton në gjithë hapesirën ballkanike.
SYRIZA nuk ka një qëndrim anti-europian e aq më pak është kjo forcë për daljen nga euro apo Europa.Këto janë spekulime që ndikohen nga sponsorizimet që “dora e fshehtë e tregut” bën në mediumet publike globale.E kundërta është e vërtetë,këto janë në fakt,kërcënime që BE nën udhëheqjen e Gjermanisë i ka bërë popullit Grek nëse nuk paguan borxhin.Pra në një mënyrë perverse kërcënimet e tyre i kanë propozuar si qëndrime të SYRIZA.Mungesa e reformimit të burokracise së BE nën udhëheqjen totalisht imperialiste të multinacionaleve që de facto sot udhëheqin BE,nuk është vetëm problem i Greqisë dhe i Ballkanit,por edhe i Europës.Këtë mund ta shohim fare mirë në nivelin ekonomik që po vuajnë gati të gjithë vendet e BE,hapësirë në të cilën pa ndonjë çudi të madhe shohim që përveç Gjermanisë që ka ulje të papunësisë dhe rritje të ekonomisë të tjerat po shkojnë drejt një gremine të sigurtë.Kjo pra është ajo që kërkon SYRIZA dhe gjithë grupet përparimtare në Europë,një rikthim te ideja origjinale e Europës si një hapësirë demokratike ku cilitdo antar i jepet mundësia të zhvillohet pa pasur hegjemoninë kolonialiste të vendeve më të zhvilluara.Europa për fat të keq sot i ngjan asaj ushtrisë franceze që kur në fillim të 1800 shkoj për të thyer revoltën e pavarsisë së Haitit,u trondit nga fakti që luftëtarët haitian përpara betejës me francezët këndonin “”MARSEJEZEN”.Për këtë establishmenti koorporatist europian nuk e do ardhjen në pushtet të SYRIZA se kjo i kujton idenë fillestare të ngjizjes së saj.Kjo pra e bën SYRIZA një parti më shumë pro Europës se vetë ata që sot e udhëheqin Europën.
Ka dhe një aspekt tjetër që e bën SYRIZA një “ngjarje” siç do thoshte BADIOU. Ky është antinacionalizmi, i cili po përdoret sot nga liderat ballkanik për të forcuar pozitat e pushtetit të tyre.Termi i përdorur rëndom që nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve në Ballkan gjen mishërimin e një të vërtete të pakontestueshme,kjo sepse çuditërisht nacionalistët ballkanik nuk kanë asnjë problem me kolonializmin koorporatist,përkundrazi janë të gatshem të shesin të gjithë hapësirat publike për të fituar pak para të shpejtë. E ndërkohë që janë duke bërë aktet më anti atdhetare,shohim se papritur i qan zemra për atdheun. Samaras flet për përcaktimin e kufinjve, Berisha hedh bllofin për pashaportat e për Prevezën,në Maqedoni partitë që normalisht duhet të jenë kundërshtare se e mbajnë veten për përfaqesueset me të mëdha të nacionalizmit shqiptar dhe maqedonas përkatësisht BDI dhe VMRO-DMNE çuditërisht ndajnë të njëjtën qeveri dhe kur sulmet etnike janë buka e përditshme aty. Kjo na bën të kuptojmë që gjithë deklaratat publike janë vetëm një trushplarje që i bëhet popullatave përkatëse për të vazhduar pikërisht grabitjen konstante të xhepave të tyre.Fajtor për këtë janë dhe mediat të cilat i amplifikojnë sjellje të tilla pa analizë, madje duke shmangur me dashakeqësi dhe qëndrime përparimtare. Nuk kemi parë fjala bie asnjë media në Shqipëri të deklaroje se si aktivistët e SYRIZA kanë ndërtuar grupe që mbrojnë emigrantët fizikisht nga sulmet e Agimit të Artë.Përkundrazi deklaratat e Agimit të Arte dhe Aleancës Kuqezi marrin vëmendje maksimale. Kjo sjellje i shërben regjimeve djathtiste ballkanike për t’i hedhur mish të freskët imagjinar dhëmbëve të uritura të popullatës,e ti tregoj asaj që barkun nuk e mbushni dot jo se ne i jemi shitur e ju kemi shitur te tjetri më i fortë,po se po na sulmojnë Grek e Maqedonas.Ky është një truk i përsëritur me dhjetra herë në historinë e Ballkanit dhe po aq herë e kemi ngrënë sapunin për djathë me vetdije të plotë,por tani ka ardhur kohe që t’i themi MJAFT.
Efektet e fitores në zgjedhjet e ardhshme të SYRIZA do krijojnë dy premisa të rëndësishme për të ardhmen e kësaj hapësire.Së pari do i heqin këtyre matrapazeve që sot na udheheqin kartën e nacionalizmit.Nuk ka arsye që qendrimi pozitiv që sot kjo parti mban ndaj emigrantëve shqiptarë atje mos reflektohet dhe me shqiptarët këtu e me institucionet shtetërore.Qëndrimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së emrit me Maqedoninë dhe problemeve me Turqinë janë hapi i parë i një politike të re në Ballkan.
Premisa e dytë është dhe rinegocimi në terma ekonomik me Europën.Duhet të ndalet arrogance e shprehjeve “detyrat e shtëpisë”,e cila kryesisht deri më tani është shoqëruar gjithmonë me politika ekonomike aspak të favorshme që kanë shkatërruar pothuajse krejtësisht prodhimin vendas,duke e transformuar njeriun ballkanik në një konsumator të përjetshëm.Format i cili ka rritur depresionin kolektiv duke i ofruar si zgjidhje këtij subjekti ose krimin ose shkatërrimin individual.Gjithashtu është e rëndësishme që këto terma te rinegociohen për të shmangur rrëshkitje të forta në drejtime të pakontrollueshme siç mund të jetë rritja e radikalëve islamik a kristian apo katastrofave nacionaliste.Për fat të mirë ka një rritje proporcionale të partive të majta në Ballkan të cilat pas dy dekadave të humbjes totale të rrugës historike të së majtës e udhëtimeve çoroditëse tek e djathta liberale janë rikthyer në një kejnsianizëm modern.Tanimë është e qartë dhe për partine socialiste Shqiptare,atë Bullgare dhe lidhjen social-demokrate në Maqedoni,që nëse nuk rikthehen në vlerat e vërteta të së majtës që është zhvillimi i prodhimit që sjell punësimin e popullit,mbrojtja e shtresave në nevojë dhe përfaqësimi i tyre si një mision tipik i partive socialiste nuk janë një alternative ndaj regjimeve të kalbura djathtiste.
Për këtë arsye fitorja në vitin që sapo nisi i SYRIZA në Greqi,nuk është thjesht një çështje e brendshme e Greqisë ajo konstituon atë që Hegeli do e quante partikularitetin universal të politikës.Pra bën që efekti i saj të kalojë kufijtë politik të vendit ku ekziston.Kjo na detyron dhe ne shqiptarëve që të hedhim sytë përreth,të analizojmë më thellë situatën politike në vend dhe përtej,që mos të humbim trenin e historisë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm që do garantonte paqen dhe prosperitetin e domosdoshëm. Viti 2013 është një vit i rëndësishëm për të gjithë Ballkanin, i cili ose do çojë drejt një ndryshimi radikal,ose do na hedhë sërish në rrugën e rrezikshme të konflikteve ndëretnike.
I dashur Leart,
te uroj per shkrimin. Por nga ana tjeter do te sugjeroja te rrije larg, po shuuuuume laaaaaarg temave si borxhi publik per te cilet duhet te kesh njohuri te medha teknike per te folur me kompetencen qe merr persiper ti.
Ta siguroj qe te gjithe ate paragrafin qe ke shkruajtur mbi borxhi, po ta kishe konsultuar me dike qe merr vesh nga financat publike do te ta kishte ndryshuar komplet.
Ciao
Ndoshta ke te drejte,megjithate paragrafi nnuk kerkon te beje analizen teknike te borxhit,por psh eshte fakt,qe nese ne 2005 ne e kemi pasur borxhin per cdo njeri 150 dollare,sot e kemi 3 mije,dhe heqja e limitit ligjor eshte dicka qe s’ka nevoje per ndonje ekspertize per cfare arsye kerkohet qe te hiqet….gjithashtu dhe investimet te cilat kane rritur borxhin nuk kane ndonje fizibilitet ekonomik,pra nuk kane nderhyre ne ekonomi si psh rruga Durres-kukes fjala qe bie.Gjithsesi une e shoh me shume ne aspektin politik diskursin e borxheve ne kontekstin hegjemonik te BE.
Shtylla e politikes Ballkanike e SYRIZA’s shprehet ndaj problemeve shqiptare me qendrimin te rrepte per mosnjohjen e Kosoves. Edhe po te konsiderohet si qendrim ‘politikologjis’ situatave ose te lejohet si e ‘lehte’ per konjekturat ne favor te visionit e majtes, nuk perjashton realitetin po edhe aq te ashper te ideologve ne apparatin e kesaj partis si miq te ngusht, keshilltare edhe perkthyes te poesive edhe fjalimeve te milosevic-karadzic’ve ne ndehje nacionalismi qe akoma nuk dihet ku qendron midis aty serb, grek apo serenatave byzantine. Ajo qe njihet nga shqiptaret eshte kontributi i ketyre mbi fenomenit Aristidh Kollia.
Kaq eshte substanca anti-imperialiste ose me sakt sketo anti-americane.
Ne fushen ekonomike, dje ja mbylli syrin ne takim ministri ekonomis Germane z. Soible kryetarit syriza’s z. Tsipras ne Berlin. Neser shkon ne Washington.