Jo më kot, gjuha është ndër përçuesit më adapt të psikologjisë së një populli, gjuha e komunikimit të përditshëm, ajo e cila përmban nuanca sociale e që përbën një lloj çelësi për të hapur dyert e neurozave të një shoqërie. Ndër më të përdorshmet fjalë të përditshmërisë, të atyre frazave rutinore, parazite e bajate, është folja ta ‘shtysh’, e zgjedhuar në të gjitha vetat e kohët: unë e shtyj / ti e shtyn // ai, ajo e shtyjnë; ne e shtyjmë / ju e shtyni / ata, ato e shtyjnë.
– Ç`po bën? – Hiç! E shtyj ashtu? – Ç`po bëni? – Ja, e shtyjmë! ‘Shtyrja’ është amullia jonë, nëpërkëmbja me veten, mungesa e çdo sensi të së tashmes e së ardhmes. Në rrafshin individual, është e pranishme në një masë të madhe njerëzish, që vjen hem nga papunësia e hem nga rënia në kotësi, si dhe nga zvenitja e çdo gjëje të bukur e plot kuptim në atë që quhet jetë komunitare; e në rrafshin shoqëror, të ngjan se është mallkim nga mënyra se si është kthyer në ves kombëtar. Po çfarë shtyjmë ne?! Ne shtyjmë orët, ditët, jetët tona, në një lloj pajtimi me të keqen, ku secili bën sa mundet për të pasmet e veta, për barkun dhe instiktet e veta, keq dhe shumë keq, mbi të gjitha duke tentuar t`ia fus tjetrit (përse shqiptarët ku ndodhen në stadium nuk ngrihen të këndojnë në korr himnin e flamurit – pyeste dikur Teodor Keko, ndjesë pastë, tek ‘Made in Albania’ – sepse o kanë frikë se mos u zë vendin kush o se mos tjetri në krah u fut gishtin! – përgjigjej).
Por një përmasë tjetër, më e trishtë dhe e dhimbshme e foljes ‘shtyje’, haset tek filmi ‘Tela për violinë’, tek një prej dialogjeve me brilante, ai mes Muços dhe Koçit, kur ky i fundit i kërkon si nder çuarjen në shkollën e lartë të djalit të Kozma Ledhit, kur thotë: “Po pati talent, thotë. Po dhe po nuk pati, shtyje se nuk u bë qameti. Kur të mbarrojë shkollën, atje në tufë me shokët do jetë. Kur i bijnë bashkë 20 violina, kiu-fiu, merret vesh kush e bëri gabimin unë apo ti?!”
Kjo pra është ajo ‘shtyrja’ tjetër, ajo e rrënimit të personalitetit, të vlerave, e të rregullave më elementare mbi bazë të të cilave duhet të funksionojë një shoqëri normale. Ndaj jemi katandisur në një “muzikë të çjerë” si vend, sepse nuk jetojmë, por bëjmë sikur jetojmë duke e shtyrë ç`mund të shtyhet!
Email në adresën
