Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri thotë se progres-raporti i Komisionit Evropian vlerëson punën e policisë, por shton se sistemi i drejtësisë mbetet plaga që çalon.
Në një konferencë për shtyp, ministri deklaroi se është rritur ndjeshëm lufta kundër narkotikëve. “Viti 2014 ishte viti i parë kur hoqëm Shqipërinë nga lista e vendeve të zeza të origjinës për trafikimin e lëndëve narkotike. Gjetëm një situatë ku droga rritej nën hundën e policisë, madje ajo ndihmohej dhe mbështetej nga struktura të caktuara në shtet”, tha Tahiri.
Ministri Tahiri tha se në progres-raport theksohet si problematike drejtësia. “Shqetësimi i ripërsëritur nga Ministria e Brendshme lidhur me ndjekjet penale, që pasojnë pas operacioneve policore dhe kjo pjesë ka çaluar është paraqitur edhe në progres-raport. Sot situata është shqetësuese, pasi nga njëra anë policia zhvillon operacione të suksesshme, ku arrestohen personazhe të botës së krimit, dhe nga krahu tjetër, drejtësia i rikthen këta persona në shoqëri, duke komplikuar punën e policisë dhe duke zbehur atë në raste të caktuara”, vijoi ai. /Dita/
