Tahiri, Moxarti, e të tjerë….

redaktor

Si pyetje e fundit për Ministrin e Rendit Saimir Tahiri, drejtuar nga gazetari Roland Qafoku në intervistën e pak ditëve më parë, ishte ajo mbi Moxartin në sfond, që sipas kreut të Rendit, i shërben atij për të mbajtur gjallë entuziazmin në punë. Moxarti mbahet si kompozitor lirik. Lirika përcjell pozitivitet, e nga kjo mund të burojë një gjendje optimale me efekt entuziazmin në punë. Por Bethoveni, shpërthimet e tij, do ishin më të përputhshme për një njeri në krye të Rendit. Kohë më parë, Maks Velo thoshte pak a shumë se derisa në shfaqje operistike tek ne, nuk ndodh të shohësh ndonjë arkitekt në rolin e një spektatori, kjo çon më pas në ato punë të shëmtuara të dala prej duarve dhe mendjeve të tyre, me të cilat është mbushur ambienti urban tek ne. Sipas Velos pra, shpirtra të varfër e të pakultivuar, që nuk marrin ushqimin e duhur estetik, degjenerojnë veten e tyre e mjedisin ku jetojnë. Kështu që do marrë pozitivisht fakti që një ministër rendi, dëgjon Moxartin. Kategoria tjetër përballë, është ajo që nuk dëgjon asgjë, por që nuk janë arkitektë e ministra rendi, e që të qënit larg shijeve të këtilla, jo domosdo i bën të dështuar në punët e tyre. Eshtë dhe kategoria e mesit, që dhe pse në mes, ekuilibri i tyre nuk vlen aspak; më keq akoma, kjo kategori është më e dëmshmja, sepse pavarsisht shijeve dhe raporteve të afërta me artin, produkti i punës së tyre është një mizerabilitet. Elita jonë politike në dy dekada me ndonjë emër të përvetçëm, e kësollojshme ka qenë: e lexuar, e kënduar, adapte për të folur mbi libra, autorë, artistë e vepra arti; e nga ana tjetër e varfër, e egërt, e shëmtuar në realitetin që kanë prodhuar. Nëse Tahiri dëgjon Moxartin e vepron si të dëgjonte Mandin e Nishtullës, më mirë të dëgjohej vetëm zukatja e ndonjë mize në zyrën e tij e asgjë tjetër.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *