Takaj në Austri për rinovimin me Osmanin dhe Radasin

redaktor

Ardian Takaj ndodhet në Austri, pranë skuadrës së tij. Kreu i klubit pesë herë radhazi kampion në Shqipëri ka vajtur atje për të përcjellë nga afër miqësoren e radhës me Universitatea Craiova. Po ashtu, synon të njihet nga afër me situatën dhe përgatitjet e Skënderbeut në prag të përfaqësimit në Kupat e Europës, por edhe t’u mbushë mendjen dy lojtarëve titullarë që të rinovojnë. Më saktësisht, Tefik Osmani dhe Marko Radas janë me kuqebardhët në stërvitje, por nuk kanë rinovuar akoma për sezonin e ri futbollistik.

Titullarët e tjerë e kanë hedhur firmën mbi kontratë para se të iknin në Austri, një kërkesë edhe e trajnerit Mirel Josa kjo, ndërsa dy mbrojtësit në fjalë nuk kanë gjetur akordin e nevojshëm. Mësohet se janë të joshur financiarisht nga dy skuadra të tjera shqiptare, Tirana dhe Flamurtari, ndaj kanë hezituar për momentin. Kroati nuk ka marrë akoma premion e fitimit të titullit, ndaj kërkon të shlyhet në këtë drejtim e pastaj të ulet për të rinovuar.

Gjasat janë që të dy të mbeten pjesë e Skënderbeut, çka e ka konfirmuar edhe vetë presidenti Takaj: “Jam këtu në Austri për të folur me Radasin dhe Osmanin për kontratën. Ata janë të vetmit që nuk kanë rinovuar, por mendoj se do të kemi akordin përkatës. Skënderbeu është i kompletuar tashmë dhe po stërvitet në kushte optimale. Nuk përjashtoj ndonjë lëvizje tjetër, por këtë le t’ia lëmë kohës”.

Shorti – I pyetur për shortin e së hënës në Nion të Zvicrës, ku vetë ka munguar, Ardjan Takaj shprehet optimist, por kërkon përqendrim e asnjë shenjë nënvlerësimi te të tijtë: “Sikurse e ka thënë edhe trajneri Josa, shorti ishte i favorshëm për ne. Të dy kundërshtarët e mundshëm në turin e dytë kualifikues të Ligës së Kampioneve janë më të dobët se ne në letër. Entuziazmin e justifikoj te tifozët tanë, por aspak nuk dua ta konstatoj te skuadra. Nëse nënvlerëson cilëndo skuadër në një kompeticion të tillë, atëherë ke gabuar rëndë. Do t’i vëzhgojmë në ndeshjen direkte mes tyre kundërshtarët tanë të mundshëm, për të pasur njohje të mjaftueshme dhe për t’iu kundërvënë si duhet”.

Share This Article
1 Comment
  • Me Krajoven u pa puna. Hengrem kater e shenuam nje. Epo miqesore ishte-mund te thote ndonjeri-, por edhe me Francen miqesore ishte, madje edhe eksperimentale, por lojtaret tane luftuan si luane. Kjo ndeshje na la nje shije shume te keqe prandaj skuadra duhet te mbledhe mendjen e te justifikoje titullin. Kemi besim. Perpara Skenderbe!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *