Takim me Sanguinetin

J L

Moikom Zeqo

 

Pjesa e parë

 

– Në verën e vitit 2000 e takova Eduardo Sanguinetin në festivalin ndërkombëtar “Netët poetike të Strugës” në brigje te liqenit të Ohrit, i thashë Makabe Zaharias.

– Sanguinetin? Bukur!

– Kishte ardhur me gruan e tij të thinjur dhe vajzën, më e gjatë dhe gjithashtu e brishtë. Sanguineti qe një burrë i dobët, gati thatanik.

Fytyra fisnike zotëronte tërë qenien e tij. Fliste me zë rinor, me gjeste si të gjithë mesdhetarët.

Ishim në të njëjtin hotel pranë urës ku del lumi Drin nga liqeni i Ohri

U takuam disa herë në restorantin e poshtëm me xhama të mëdha të hotelit. I thashë që isha nga Shqipëria. Ah, nga Shqipëria? Sanguineti tundi kokën. S’kam qenë asnjëherë në Shqipëri. S’është larg. Mund të vini. Ke të drejtë. Mund të vij. Në Shqipëri e njohin krijimtarinë tuaj. Ashtu? Sigurisht. Po ju dini diçka për letërsinë shqipe? Pak. Fatkeqësisht nuk kam një ide të qartë. Sigurisht di diçka më shumë për komunizmin surrealist shqiptar. Një eksperiment i skajshëm shoqëror. I kushtueshëm. Shumë i kushtueshëm. Unë vetë jam një italian marksist. Ende jam. Filozofikisht kuptohet. Por dështimi i diktaturave komuniste qe i pashmangshëm. E vërtetoi historia. Letërsia është ndryshe. Ajo ka indin e humanizmit, pra përherë është një lloj utopie iluminuese. Sanguineti fliste qetë, por shumë seriozisht. Para se të vija edhe unë në Ohër i kisha shfletuar librat e Sanguinetit. Kisha mbajtur shënime lakonike. Profili i tij qe i qartë për mua. Eduardo Sanguineti: mjeshtëri, me xhaketë dhe kravatë dhe me fytyrë të imët. Këto janë disa nga tiparet e tij të dukshme që e kanë dalluar dhe bërë tashmë të njohur në hapësirën letrare italiane, edhe pse vitet mbi supet e tij të brishta janë plot 80të. Nga viti 1951, vit kur në një revistë të Firences shfaqeshin poezitë e tij të para, ka kaluar shumë kohë. Ishte vetëm 20 vjeçar atëherë, por auditori i tij u zgjerua, siç e pranon edhe vetë në deklaratën e tij “Shenjtët anarkiste”: “Në fillim komunikon me një rreth tepër të ngushtë bashkëpunëtorësh. Më pas kur ndodh, nëse ndodh, auditori zgjerohet dhe horizonti i tyre, do të ishte më e saktë të thuhej dëgjues, përhapet dhe bëhet një publik i vërtetë. Por ka lënë gjurmë përjetë, në një farë mase, nga lexuesit e parë, jo tolerantë dhe intrazigjentë, që formojnë një mikroshoqëri favorizuesish dhe bashkëfajtorë pa faj. Sepse kush shkruan, shkruan kryesisht për arsyen e thjeshtë që nuk gjen, të gatshme dhe parafabrikate, sado që të shohësh përreth, poezi shkrime, që do të dëshironte t’i lexonte, por duhet t’i krijojë vetë. Poezia është një punë origjinale vetjake që gjen një vlerësim fillestar, nëse je me fat, në një rreth të kufizuar konsumatorësh, po aq të pakënaqur nga mallrat letrare që qarkullojnë në tregun e vargjeve dhe të librave

Një figurë letrari 360 gradësh, jashtë dhe brenda botës akademike. Poet intelektual, profesor letërsie në Universitetin e Torinos, Salernos, Gjenovës, autor pjesësh teatrore, kritik, eseist, veprimtaria e tij pushoi së rrahuri bashkë me zemrën e tij në këto ditë maji 2010, veprimtari e impenjuar në një betejë kulturore të filluar me përvojën Avangardiste të viteve ’60. Bashkë me Gulielmin ishte teoricieni më i famshëm i grupit 63, aq sa miku i tij shkruan për të: “Besoj se Sanguineti karakterizohet nga përdorimi intelektual i mendimeve dhe nga fakti se diti me madhështi të racionalizojë gjuhën e pajetë të Avangardës europiane në këtë gjysmë shekulli.” Kur doli antologjia e poezisë “Të rejat”, kritikët italianë vunë re menjëherë se format e poezisë eksperimentale ishin provuar edhe nga të tjerët. Sanguineti ishte nxënës i Poundit dhe Surrealizmit, por ai grup dhe me Sanguinetin poetët e rinj të Neoavangardës, regjistrohej tek plotfuqishmëria e kapitalit, në botën kapitaliste të shfaqur me Marksin, ku ecja e shkrimtarit ishte drejt një orientimi refuzimi dhe ndaj një letërsie revolucionare. Edhe pse çdo mbiemër pranë fjalës poezi duket se mbyll dhe ngushton botën, duhet thënë se poezia e tij ishte një poezi politike, e botës, e polisit, e ngjarjeve njerëzore e bazuar në lidhjen e ngushtë në çelësin marksist mes ideologjisë dhe gjuhës. Përmbledhjet e para poetike të Sanguinetit Laborintus 1956, Opus metricum 1961 mbajnë fuqishëm këtë gjurmë ideologjike. Palus putredinis i Laborintus-it duhet kapërcyer që t’i lejosh poetit të dalë, për t’i hapur një rrugë të re, një drejtim të ri; labirinti modern është metafora e një orientimi të ri, i kaosit si kontradiktë e nevojshme ku të lëvizësh, nga ku rrjedh edhe plurilinguizmi i poezisë së tij, është një zgjedhje politike, pasi në kërkimet, në një poezi ku gjuha nuk është e izoluar, dialogu do të lindë nga ndotja. Një Weltliteratur që nuk dorëzohet ndaj asgjësimit, por e organizon: ta bësh Avangardën një art muzeal, duke kaluar në një vizion dantesk, nga çrregullsia. Një gjuhë që regjistron krizën historike të një ideologjie borgjeze, një shpërbërje të gjuhës si shpërbërje të intelektualit të shndërruar në subjekt shoqëror. Duhet të kesh memorie për traditën, për ta harruar, për ta shkatërruar. Në vitet ’70 vepra e tij është më e orientuar ndaj lojërave gjuhësore, përdorimit ironik të fjalës. Mbetet ideja e ftohjes së subjektit që doza ironike nxjerr në pah heqjen dorë nga fjalimet dhe fjalët tash të konsumuara. Refuzimi i sintaksës me shkatërrimin e çdo ideje sublime dhe aristokratike të poezisë qëndron në bazë të poezisë së rastit, me një regjistër ditar apo kartolinash udhëtimi. Raste jete të përditshme që rikuperojnë komunikimin e folur, multietnik, në një optikë globale dhe ndërkombëtare të ekzistencës. Gjejmë këtu fillin e kuq të atëhershëm në arsyet e atij marksizmi edhe në përmbledhjet e mëvonshme Faqetreguesi 1982, Bisbidis 1987, Kurora e vogël 1997 dhe Sende 1999, shumë prej tyre të përmbledhura në veprën e tij të fundit Macja ujkonjë. Edhe në romanet Kapriço italiane 1963 dhe Loja e patës 1967 Sanguineti vazhdon me përdorimin e fjalës duke luajtur, duke çmontuar format e tregimit tradicional, duke shkatërruar përdorimin e shenjave të pikësimit dhe duke ndërprerë vazhdimisht rrjedhën tregimtare të kujtimeve dhe ëndrrave. Kapriço italiane është shembulli me 111 kapituj të shkurtër për të paraqitur krizën mes unit tregimtar, të thyer dhe ndarë nga alternimi i vazhdueshëm mes ëndrrës dhe realitetit.

Prezanton një përdorim të gjuhës me regjistër të ulët dhe bisedor sikur t’i bënte të kapshme për të gjithë përvojat e Neovangardës. I shohim të paraqitura përvojat erotike të tregimtarit, dyshimet e tradhtisë, sëmundjen, atësinë, trupin, por mbi të gjitha lojën e letrave, karrigeve që është loja e romanit. Në prodhimtarinë artistike të Sanguinetit veprat tregimtare sigurisht kanë paraqitur një tentativë eksplorimi të gjuhës, por ishte ushtrimi poetik ai që u përshtat më mirë me vizionin e “ngjarjeve njerëzore” të shkrimtarit, për vlerën e rasteve të pashtershme që e kanë përfaqësuar menjëherë. Edhe prodhimtaria eseiste nxjerr në pah vizionin therrës të jetës së shkrimtarit dhe figurën e re të intelektualit. Duke u kthyer në kohë kemi: Kleriku organik. Shkrime dhe intelektualë 2000, përmbledhja e fundit që në mënyrë koherente me studime të mëparshme, përfaqëson veprimtarinë letrare në 50 vjet të historisë përmes figurave përfaqësuese si Bokaço, Foskolo, Leopardi, Montale, Kalvini deri tek plurilinguizmi në shkrimet e ‘900-s. Misioni i kritikut 1987 është një përmbledhje esesh ku autori, me një shpirt akrobati, përshkon në mënyrë kritike emrat të tjerë të mëdhenj të letërsisë. Por libri i parë përfaqëson intelektualin.

Në rrugën e Gramshit pohon se intelektuali është organik në një grup shoqëror për të cilin akti artistik është një akt shoqëror, edhe pse e përfaqëson pjesërisht dhe relativisht atë. Intelektualët, moderli Sanguinet, janë të impenjuar deri në rrënjët në realitetet ku kanë vepruar. Në pjesën e tretë janë Tekste mbi manifestin ku del në pah profecia e “kohëve të globalizmit imperialist. Të njëjtën frymë ka edhe Ideologjia dhe gjuha ku shikimi i Sanguinetit bie në mënyrë kritike mbi përvojat letrare, përfshirë dhe ato avangardiste poetike: Arsyet e avangardës, për ne, do të ristrukturohen, duke filluar nga një kritikë e pamëshirshme e arsyes poetike të vetë Avangardës, pasi janë ende të hapura të dyja çështjet së cilës i jep formë të saktë avangarda më e fundit historike… Në krijimtarinë eseiste bëjnë pjesë studimet e Sanguinetit për Danten: Tre studime Danteske 1961, Interpretimi i Malebolges 1961 dhe Realizmi i Dantes 1965 deri tek Danteja reaksionar 1992. Por Sanguineti është edhe autor veprash për teatër me veprën K dhe sende të tjera 1962 dhe Teatër 1962. Veprat teatrore janë Histori natyrore 1971 dhe Fausti. Një maskim 1985. Ndoshta e gjithë vepra e tij ishte disi teatrore, ai teatër i jetës i bërë me akrobatë, ngërdheshje dhe kaos, mistere dhe enigma që janë të nevojshëm për të interpretuar historinë. Është autor i Antologjisë së Poezisë italiane të ‘900, në vitin 1969 si dhe gazetar i gazetave Vendi në mbrëmje, Uniteti, Puna që janë përmbledhur në Gazetëzë 1973-75 në vitin 1976, Gazetëzë e dytë 1979.

Ka qenë këshilltar i Bashkisë së Gjenovës dhe në vitin 1979 deputet i PKI në Parlament. Një intervistë e gjatë me titull Bisedë me Eduardo Sanguinetin. 40 vjet kulturë italiane përmes kujtimeve të një poeti intelektual 1993, është një rast për të patur disa përgjigje nga kjo figurë poetike, disa vështrime për botën që prej kohësh po e kapërcente.

– Edhe unë kam lexuar diçka nga Sanguineti, tha Makabe Zaharia. Jo kaq sa ti. Poetë si Kuazimodo, Ungareti dhe Pagolini më pëlqejnë më shumë se Sanguineti.

– Natyrisht. Po Sanguineti është në tharmin e letërsisë së madhe italiane të shekullit XX.

– Kam idenë se italianët me Danten në shekullin XIII hapën portën e krejt letërsisë europiane. Mos harrojmë edhe Bokaçion. Spanjollët e patën Servantesin dhe anglezët Shekspirin katër shekuj më vonë.

– Ah, Dantja nervoz dhe i madhërishëm. Me një karrocë teologjie augustiane të plasaritur në trupin e së ardhmes. Fundi dhe apokalipsi i mesjetës. Në shekullin e shën Franceskut që rebelohet dhe kërkon kthimin e kishës së feudalizuar në krishterimin e hershëm. Mos të harrojmë dhe sintaksën revolucionare të imazheve të Xhotos. Deri tek Leonardo Da Vinçi dhe Mikelanxhelo. Në Kapelën Sikstina ka shumë sharm dhe frymëzime danteske.

– Le të kujtojmë edhe Savonarolën, Galileun dhe Brunon.

– Zhvillimi i artit dhe shkencës moderne u parapri letrarisht nga Dantja. Këtë s’e mohon askush.

– Ah, Dantja! Deri tek poeti i çuditshëm dhe melankolik Leopardi ose krijuesi i Pinokut Colodi. Kthimi i kukullës prej druri në fëmi njerëzor të vërtetë. Ja sekreti i mbijetesës. E kundërta e njeriut në robot. Po, po, krejt e kundërta.

– Kështu rikthehemi në pikën inkandeshente, Makabe, në shqetësimin për fatin për letërsinë e sotme, që s’di pse e quajnë (apo e quajmë) post-moderne. E ke lexuar “Qytetet e padukshëm” të Calvin-it?

– Një tjetër udhëtim i kujtesës, kinse i Marko Polos, ku poezia e stimulon prozën dhe imazhet e qyteteve të mëdha të ëndërruara (ah, “Qyteti i Zotit” Augustinit, apo “Qyteti i Diellit” Companellas) e ruajnë strukturën futurologjike. Këtë hulli e kanë dhe librat e Sashas dhe Eco-s.

– Çfarë diskutove me Sanguinetin?

– Gjatë pesë ditëve në Strugë e takova, por asnjëherë nuk ndenjëm gjatë. Atë e shoqëronte një poet i shquar nga Maqedonia, Ante Popovski, që unë e kisha mik. Popvski po përkthente një librin tim, por s’arriti ta përfundonte se vdiq mbas ca nga kanceri. E hëngrëm një darkë sëbashku duke pirë verë Bordoje (dikush i kishte dhënë Popovskit tri shishe).

Sanguinetit i bënë ceremoni në katedralen e shën Sofisë së Ohrit si laurat i Kurorës Poetike 2000. Sanguineti falënderoi. Dukej i prekur dhe mirënjohës.

Në ceremoni kishte poetë nga shumë vende të botës. Patetikë dhe përzemërt ata takoheshin dhe dilnin në fotografi me Sanguineti

Dy ditë më pas festivali poetik mbaroi.

Para se të ndahesha me Sanguinetin biseduam përsëri. Ma dhuroi një poezi të tij në dorëshkrim.

– Një poezi? Të pabotuar?

– Nuk e di. Ndoshta edhe të pabotuar.

Ja poezia e Sanguinetit në shqip Makabe.

Quhet “Politikanë dhe kafshë”:

 

Jemi të gjithë politikanë (dhe kafshë).

I urrej politikanët e urryer –

Kështu e shpëtoj skicën e një parku,

A një katalog të ilustruar me ëndërra

Jemi të gjithë politikanë (dhe kafshë)

I urrej politikanët e urryer –

Mund t’u zgjedhësh vetëm mbiemrat

Me një farë koleksioni të ndotur

Dhe t’u përgjigjesh përseve, rast pas rasti,

Për t’i thjeshtësuar gjërat

Shtoj se është e vërtetë për mua

(Dhe kjo është politika ime)

Se politika në botë nuk është gjithçka.

Kjo më përcakton

Kështu di pse politikanët

Janë të urryer për përsenë time.

Unë dashuroj

Politika e madhe jeton

Në gjestet e përditshme

Tek fjalët si “dashuri”, “tungjatjeta”,

« Bukë », « faleminderit »

A tek fjalët e gërvishtura

Tek kazanët e plehrave

Në grafitet e mureve,

Mes një slogani dhe një tjetri

Si « poshtë », « rroftë »

kështu e di, – ndonëse nuk thuhet

Pse i urrej politikanët e urryer.

Sidoqoftë të gjithë jemi politikanë (dhe kafshë).

 

I dhashë edhe unë Sanguinetit një librin tim poetik.

E pa, e shfletoi. S’di shqip, më tha. E di. Është si një vend që nuk e viziton dot. Ja ku është Shqipëria, i thashë duke i treguar me dorë liqenin. Mbas këtyre ujërave të kthjellët dhe magjike. Dua të vij në Shqipëri, tha Sanguineti. E besoj i thashë. Në fakt je në Shqipëri edhe pa ardhur.

Para ndarjes u përqafuam.

Riti mitik i të gjitha ndarjeve.

S’u pamë më. (Tiranë, 2011)

 

MEMORIALI I NIETZSCHE-S

 Makabe Zaharia më pyeti nëse kisha dëgjuar gjë për projektin e një Memoriali të Friedrich Nietzsche-

Një Memorial? Po, një Memorial. Kam parë piktura dhe skulptura kushtuar Nietzsche-s. Shumë libra janë botuar për Nietzsche-n. Fama e Nietzsche-s zotëron shekullin XX. Ai vdiq në 1900. Shëmbëlltyra e tij qe Zarathustra, krejt ndryshe nga Fausti i Gëtes. Nietzsche shpalli se “Zoti ka vdekur”. Në fakt vdiq vetë.

– Migjeni ka shkruar një poezi “Trajtat e Mbinjeriut” si ditiramb Nietzsche-an. E vetmja në tërë poezinë shqipe. Kjo poezi e Migjenit është Memoriali i tij për Nietzsche-n, i thashë unë Makabe Zaharias.

– Sigurisht. Por unë e kam fjalën për një vepër arkitektonike dhe skulpturore që u imagjinua, u skicua dhe u bë subjekti i përpjekjeve konkrete për ta realizuar.

Dijetari anglez Harry Kessler ka shkruar Ditaret e tij që përfshijnë vitet 1880-1918 ku flet hollësisht dhe me pezëm për këtë projekt. Kessler ka qenë edhe diplomat edhe agjent sekret. Për të W.H. Auden (mik i Kessler-it) ka thënë se “ishte ndoshta njeriu më kozmopolit që ka jetuar ndonjëherë.”

Kessler-i u trondit nga shkrimet e Nietzsche-s.

E adhuroi me ngulm, si askush.

U njoh me motrën e Nietzsche-s, Elisabeth. Kjo femër qe po aq e tmerrshme dhe e çuditshme sa i vëllai. Elisabeth qe melankolike dhe krenare. E donte të vëllain por edhe u grind ritualisht me të.

U njoh befas edhe me një djalosh të krisur Salome Lou që i propozoi që të tre Nietzsche, Elisabeth dhe ai të krijonin një “Familje filozofike” dmth platoniane. Por Nietzsche s’çan kokën për këtë ide delikate.

Në vitin 1881 një farë Bernard Foster e bëri një peticion si udhëheqës i lëvizjes antisemite në Gjermani që “qeveria t’i regjistronte të tërë hebrenjtë” Elisabeth ra në dashuri me Fosterin. Kurse Nietzsche e urrente antisemizimin.

E motra u martua me Fosterin. Të dy shkuan në Paraguaj për të themeluar një koloni « vetëm me gjermanë të pastër », një ide gjithashtu platonike dhe engjenetike. Ndërkohë Nietzsche, i sëmurë edhe nga sifilizi po çmendej. Çmenduria e tij i përsosi stilin e sentencave me rebele. Një shprehje e tij ngushëlluese qe “bota është e justifikueshme vetëm si fenomen estetik”. Kolonia “Nuova Germania” në Paraguaj dështoi. I shoqi i Elisabeth, Fosteri vrau veten. Elisabeth u kthye në Gjermani ku fama e të vëllait qe bërë marramendëse, tejet shqetësuese. Mbas vdekjes së Nietzsche-s Elisabeth u bë idhujtarja e kultit të tij.

Ajo i mblodhi dorëshkrimet e tij, arkivin, që edhe i botoi duke bërë shpesh falsifikime të frikshme. Sipas këtyre falsifikimeve ajo e paraqiti Nietzschen si antisemit. Kjo gënjeshtër funksionoi. Në Gjermani qe shfaqur Adolf Hitleri. Elisabeth u bë hitleriane. Hitleri e njihte personalisht. Kur Elisabeth vdiq në 1936 Hitleri shkoi në funeralin e saj.

– S’e dija këtë gjë Makabe.

– Emri i Nietzsche-s u manipulua si “filozofi i Rajhut të Tretë”. E vërteta qe ndryshe. Tani dua të flas për Memorialin. Në 1906 Harry Kessler-it i lindi mendimi për një Memorial kushtuar Nietzsche-s në Weimar. Ky Memorial do të ishte muzeu i modernizmit estetik. Miku i tij arkitekti belg Henry Van De Veldi qe drejtor i artit dhe arkitekturës i shkollës së Weimar-it, që në 1902. Ai bëri një projekt paraprak, por të pabesueshëm.

Kessler-i takoi në 1905 në Paris edhe skulptorin Auguste Rodin dhe ju lut t’i bënte një bust të Nietzsche-s. Një skulpturë të llojit apoloniat do të bënte skulptori franko-katalanas Aristide Maillol. Për realizimin e memorialit morën pjesë edhe poeti Rainer Maria Rilke si dhe Jean Cocteau. Në 1911 projekti u plotësua. U mendua të ngrihej në Weimar në formën e një tempulli përbindësh.

Tempulli do të kishte nga jashtë vetë formën e Nietzsche-s të ulur. Pra një tempull antropomorf. Do të ishte plot basorelieve si arkitekturat budiste. Simbolet e ndryshme të kulturave dhe të qytetërimeve do të bënin një sintezë, ndonëse eklektike. Në këtë Memorial do të kryqëzohej koncepti i ashpër protestant me konceptin e harlisur surrealist. Asnjë gjurmë, apo ndikim nga krishterimi bizantin, sidomos nga ai katolik.

Një arkitekturë, njëkohësisht dhe skulpturë vigane.

– E çuditshme, shumë e çuditshme Makabe.

– Më tepër diçka e çmendur. Një idhujtari e lemeritshme. Ndonëse vetë Nietzsche ka shkruar për rrëzimin e idhujve.

– Po si shkoi më tej ky projekt Makabe?

– S’u realizua kurrë. Për fat të mirë Kessler-i s’gjeti dot fonde të përshtatshme. Por për këtë Memorial është shkruar dhe debatuar pambarimisht. Kur vdiq Nietzsche trupin ja vunë në një arkivol veshur në të bardhë me nuancë trëndafili. Fytyra e tij ishte me sytë gjysmë të hapur. Kjo krijonte një ndjesi të frikshme.

U bë një meshë, ku kori i grave këndoi një arie të Brahms-i

Një dëshmitar, arkitekt Fritz Schumacher shkruan për funeralin, se « nëse Nietzsche do të ishte ringjallur befas do të kishte shtyrë oratorin e kremtimit mortor, për ta hedhur nga dritarja dhe do t’i kishte dëbuar të gjithë nga kisha.

Nietzsche u varros në Rocken, pranë varreve të prindërve të tij. Kjo në kundërshtim me dëshirën e tij.

Ai donte të varrosej në Zvicër në Sils Maria ku e kishte përjetuar dikur në rini një vegim të madh, atë të Zarathustrës. Varrimi qe një banalitet rutinor. Ndoshta diçka e pashmangshme.

– Po, e pashmangshme. Kështu ndodh shpesh me njerëzit e mëdhenj Makabe.

– Kështu ndodh për fat të keq. Por imagjino që të realizohej dhe Memoriali i Nietzsche-s! Grotesku do të qe i shumëfishtë. Mendo sidomos sikur këtë Memorial ta ngrinte vetë Hitleri. Një Nietzsche si hyjnitë monumentale të mëdha të Egjiptit me zvastikën, kryqin e thyer në gjoks, ose në ballë.

– Sa histori burleske Makabe.

– E saktë. Jeta e një njeriu është tragjike, por vdekja mund të jetë komike. Një Memorial i munguar i Nietzsche-s është në fakt mbijetesa e tij.

Makabe Zaharia heshti.

Balli i tij kishte pika djerse.

Të folurit gati e kishte sfilitur. (Tiranë, 15 prill 2013)

 

Pjesa e dytë

Proza të shkurta

 

NEKROLOGJIA

 

Do të shkruaj me dorën time nekrologjinë.

Nekrologjinë me emrin tim. Çdo gjë do të jetë e imja në këtë tekst. Vetëm vdekja s’do të jetë e imja!

 

ZEMRA E MUNGUAR

 

Pse njeriu vë dorën në zemër e gjen aty diçka të shkulur?

 

ZGJIMI RINGJALLJE

 

Qelben tani në anarkinë e erërave ujërat me fekale të detit.

Ndoshta tek ky libër postum kam futur disa qytetërime të një njerëzimi tjetër.

Dhe kridhem në gjumë krejt i sigurtë se zgjimi është ringjallje!

 

SOKRATI ME BISHT DERRI HYJNOR

 

Migjen! E kam gjetur Sokratin e llapashitur në baltë me bisht derri hyjnor!

 

PULËBARDHAT, GISHTA SKULPTORI

 

Fluturojnë pulëbardhat si gishtat e një skulptori që bën plastikën e argjilit blu qiellor të erërave!

 

ARNIME TË FLAMURIT UTOPIK

 

Lexoj “Apokalipsin” duke ngrënë djathë dhe speca.

Si t’i afroj Bankës Botërore thesaret e mi të guaskave detare?

Do ta arnoj me psalme rebele flamurin utopik të rinisë time!

 

PESHKU, FILOZOFI ME SKAFANDËR

 

Peshku me akuarium është si një filozof me skafandër që sheh njerëzit, qeniet e toksikuara në smogun e përditshmërisë.

 

ENGJËJT E ONUFRIT

 

Engjëjt e Onufrit! Veshët e pikturuar prej ngjyrash i kanë, por s’mund të dëgjojnë abstraktërisht asgjë. As sytë e tyre s’shohin. As goja nuk u flet.

Ah, engjëjt e Onufrit!

 

HESHTJA, WEEKEND I VDEKJES

 

Heshtja është festa ku iluzionet s’janë.

Heshtja është një Week End për të gjithë që do të vdesin. Papërjashtim.

Heshtja!

 

SHKRONJAT MILINGONA DHE DINOSAURËT E KUJTESËS

 

Shkronjat e dorëshkrimeve të mia si milingona lëvizin.

Po ku shkojnë këto shkronja-milingona?

Ku shkojnë?

Për të ngrënë gjer në eshtra dinozaurët e Kujtesës!

 

 

 

 

HARTA MISTERIOZE

 

Letra ime e pashkruar është harta misterioze e një Terra  Incongito!

 

E KUQJA TOTEM

 

Nga atelietë e pikturës del, fluturon kafsha flakëruese e së Kuqes.

Dhe ne themi: “Ja, totemi ynë,i  mijëvjeçarëve!

 

MARTESA HIBRIDE

 

Kujtesa, martesa tiranike e së Mirës me të Keqen. Pa divorc.

Ç’fëmijë do të lindin përherë të hibridizuar? Dhe pse?

Ah, miti i kotë i Adamit dhe Evës!

 

ADRIATIKU, MAKINË SHKRIMI PËR SHEKSPIRIN

 

Deti Adriatik. E vështroj. Dallgët e bardha si tastet e germave.

Dikur Shekspiri ka shkruar për qytetin Epidamn dhe Ilirinë.

Ah, t’ia çoj këtë det Shekspirit si një makinë shkrimi!

 

DANTJA, SEKRETET E PILOTIT

 

Dantja udhëtimin e kishte vetëm ngritës, përpjetë.

A thua kështu ai i paraprinte sekreteve të pilotit të avionëve?

 

BLICI I ËNGJËJVE

 

Mes pemëve feks një rreze, blici i fshehtë i engjëjve, që s’i shoh, por më ndjekin.

 

KËPUCËT, DOREZA BOKSI TË HARRESËS

 

Në fundin e një rafti rrinë këpucët e hedhur në vetmi, këpucët me të cilat s’do të ec, (dikur kam lëvizur kaq shumë me to si pjesë e trupit dhe shpirtit tim!). Këpucët! Si doreza të vjetra boksi të harresës mbi fytyrën time të menduar!

 

KOPËSHTARI, SKLLAV DHE MBRET

 

Kopshtet ajrore të Babilonisë shfaqen, luhaten, purpurojnë, fluturojnë, më ftojnë të bëhem kopshtari skllav dhe mbret i amshimit të tyre.

 

BJESHKËT E NAMUNA

 

Bjeshkët e Namuna ngrihen para meje, të hajthme, të rënda, flurore, me peshën e tërë botës.

Bjeshkët e Namuna! Si mund të futem mes tyre? Gati e pamundur!

Si të hyjsh i gjallë mes ekranit të një filmi!

 

KUKULLA

 

Një kukull e fëmijërisë së vajzave të mia më plaket me shpejtësi në duar.

 

LUTJE ERËS

 

Erë, mos i ngre gjethet qepalla, lëri të mbyllur, mos i lëviz, mos të më shohin mijëra sy që më qortojnë në amshim.

Erë, mos i hap gjethet qepalla!

 

KOSTUME PLUHURI

 

Vdekja falas na dhuron veç kostume pluhuri.

 

IKONOGRAFI SHIU

 

Ky shi është Krishti që lan këmbët prej pemësh të apostujve të tij.

 

INSEKTI I THARË

 

Tek saksia e luleve e gjej një insekt të tharë.

Mos është vallë një lloj hyjnie pagane?

 

ORËT GAFORE

 

Shoh pullaze të lashtë mbi kryet tim si eshtra stërgjyshërish që s’i kam njohur.

Dua të iki, por ku vallë?

Iki, iki, por nuk shpëtoj dot nga ndjekja e orëve si miliona gafore bronzi dhe argjendi.

 

HIJA, E VJELLA IME

 

Ca hije ikin dhe vijnë në terr si pala flamuri të Hadit.

Në pikun e Diellit lëviz rrugëve i hutuar, i djersitur, duke menduar për vijën ndarëse (bashkuese) të Jetës dhe të Vdekjes.

Kam dilema, trazime në stomak.

Hija e trupit më rrëzohet mbi asfalt si e vjella ime e zezë.

 

A MUNDET ?

 

A mundet prej tingujve të Mozartit të bëj ca akuarele të kaltër dhe farfurit?

Po nga tingujt e Vagnerit ca grafika bardhë e zi të zotave dhe antizotave?

 

NUDOT E MATISIT

 

Shoh trupat e nudove të Matisit.

Befas prej tyre dalin degë të lulëzuara qershish!

 

CA PEMË

 

Ca pemë pezull në lartësi kanë zënë miqësi me engjëjt.

 

KORBI I GUERNIKËS

 

Korbi i Po-es krrokat mbi Guernikën e Pikasos.

Të tjerët s’e shohin, por unë e shoh.

 

GOSTIA SI MUNDËSI

 

Stravinski e studion polifoninë tek një ylber i rastësishëm, midis një pjate me mbeturina ushqimi dhe një pianoje me tastet e bardha si rafti me pjata që s’u përdorën kurrë në një gosti.

 

TESTAMENTI

 

S’kam prona.

Ahere si mund t’ju le në testament vetë planetin?

 

VIZATIMI I HESHTJES

 

Si ta vizatoj heshtjen?

Veçse me vizatime të pazëshme?

 

POPULLI I LIBRAVE

 

Zanoret femra janë shtatzënë nga bashkëtingëlloret meshkuj.

Ç’popull i çuditshëm e i panjohur më parë janë librat e mi !

 

INDI I ËNDËRRËS

 

Ëndërra është indi i mëndafshit transparent të fantazisë që ç’thurret ngadalë dhe tretet. Ah, peizazhet brutale me indin e ëndrrës!

 

PYETJET, KANGJELLA HEKURI

 

Pyetje të mëdha më rrethojnë si kangjella hekuri.

Realiteti i kërkon ndihmë iluzionit.

 

ZOTI I BRAKTISUR

 

Diku Zoti i braktisur si eremit lakuriq bën një shtëpi me tulla të ëndërrave të të vdekurve.

 

VETULLAT VETËTIMA

 

Tani vetëtimat i shoh si vetulla në fytyrën e Homerit plak.

 

KOHËRAT NDËRRESA

 

Historia lan shpesh kohërat si ndërresat e ndyra, për t’i veshur sërish e për t’i bërë pis sërish.

 

TË DASHURUARIT SONAMBULË

 

Të dashuruarit janë somnambulët e njëri tjetrit.

Mos i zgjoni. Se do ta urrenin për vdekje realitetin dhe njëri tjetrin.

 

APOLONI, DIONISI, KRISHTI

 

Apoloni dhe Dionisi sëbashku nuk e rrëzuan dot Krishtin, por as s’e lejuan të ngrihej mbi vetë ata.

 

COPËTIMI I GJUHËS

 

Ovidi (Metamorfoza, IV, vargu 586): Kadmi i shndërruar në gjarpër deshi të fliste, por gjuha u copëtua në dy pjesë. Ligjërimi i tij u nda.

U gris siç griset një letër.

Jahovai gjuhën e Nembrotit e ndau në 72 pjesë. Amen !

 

MILINGONAT DHE YJET

 

Nëse dhe milingonat do të ëndërrojnë ahere yjet s’do të vdesin !

 

HËNA, ORA E VJEDHUR

 

Hëna ka ikur s’di se ku. Hëna si ora e vjedhur nga dora ime.

Ah, dora pa Hënë !

 

FRIGORIFERI, SHTAZË POLARE

 

Vapë e tmerrshme.

Dëgjoj hungërimën prej shtaze polare të frigoriferit të bardhë.

 

EPITAFI

 

Poeti i vjetër grek Kalimaku nga Kirenaika e ka bërë këtë epitaf :

 

Këtu fle në gjumë perëndie

Saoni nga Akatosi, i biri i Dokanit.

Mos thoni se s’vdesin dhe njerëzit e mirë !

 

MJELLMAT, ESKILI QIELLOR

 

Mjellmat ulen dhe mblidhen mbi ujërat e liqenit.

Ah, Zeusi i kthyer në mjellmë që u dashurua me Ledën !

Në lëvizjet e mjellmave ka një lloj rendi metaforik.

Mbase këto mjellma lëvizin si në rolet e shkruara nga një Eskil i padukshëm qiellor!

 

FAR XIXËLLONJASH

 

Veshur me një këmishë xixëllonjash jam fari i prillit mes muzgut jeshil të shekujve.

 

MUZGU, PUNISHTE VARAKU

 

Muzgu, një punishte varaku që mbështjell ngadalë gjithçka.

 

 

VIRUSI I DRAGOJVE

 

Nimfat e detit janë të gjitha lesbike.

S’mund ta mëkosh një trumcak me qumësht luaneshe!

Vdekjen time do ta mbaj mbas vdekjes si një hajmali të rremë.

I kapluar nga virusi i dragonjve nxjerr flakë nga goja!

 

KAFSHA E ZEZË

 

Një kafshë e zezë më gëlltit gjurmët që unë lë!

Kafsha e zezë! Bete noir!

Ushqehet me hije!

 

SENDET, JO QINGJA

 

Sendet i lëviz evolucioni, por qingja s’bëhen dot!

 

GJETHET PESHQ

 

A thua gjethet e rrushit janë peshqit e deteve buçitës të verës?

 

DRURËT, VAZO FUTURISTE

 

Mëngjes. Drurët ngjajnë mes habisë si vazo futuriste të vesës dhe rrezeve.

 

LOPËT E DIELLIT

 

Padyshim çdo ditë është qumështi i bardhë i mjelur nga lopët mitike të Diellit.

 

PA TITULL

 

Po u jap njëmijë aspra argjendi engjëjve, veç të mos më sjellin më lajme nga Parajsa!

 

SHEGËT, CA PËRJETËSIRA

 

Shegët mbi degët e stinëve si ca përjetësira të vogla lëkunden dhe purpurojnë me ankth!

 

PALËVIZSHMËRI ESTETIKE

 

Të dy, e dashur, kemi mbetur në një palëvizje estetike si dy drerë, a arabeska në një qilim persian të kohërave të Harresës!

 

TITANËT ME SHTATIN E LULEVE

 

Shekujt vijnë nga infiniti me hapat e Erinive.

Dhe titanët befas një ditë poshtë Olimpit zgjohen më të vegjël se sa shtati i luleve!

 

NGËTËRIM TRUSH

 

Sikur njeriu të kishte tru lejleku dhe lejleku tru njeriu, njeriu do të fluturonte, ndërsa lejleku do të mendonte për Luftën e Tretë Botërore.

 

KASANDRA MIOPE

 

Kasandra qe miope.

Shikimi i saj i vërtetë qenë profecitë.

 

SHËN MARIA, KUKUVAJKA E MINERVËS

 

Mbi supet e shën Marisë bizantine rri kukuvajka e diturakes Minerva.

Minerva lindi nga truri i Zeusit!Krishti jo !

 

HERONJTË, FARËT E SHUARA

 

Heronjtë janë faret tona, tashmë të shuara.

 

FJALA, KËSHTJELLA E MAGJEPSUR

 

Fjala është shpesh kështjella e magjepsur, ku njerëzit janë shndërruar në tryeza, shandanë, mace, gota, madje edhe në zjarr në oxhakun grotesk!

 

 

XHINDI I METAFORËS

 

Një xhindi im i metaforës është fshehur dikur në xhepin e Marinetit.

 

KUJA E ERËS

 

Kuja e erës ka mbetur në fytin e luleve.

 

HOMERI I ZHVESHUR

 

Homeri u zhvesh para shkuarjes në Had dhe u la pasardhësve tek amshimi pelerinën plot fjalë!

 

REFUZIMI I KUAJVE

 

Kuajt refuzojnë të thonë fjalë njeriu.

Kështu askush s’i detyron të lexojnë librat tanë.

 

HULUMTOJ DETIN

 

Rri dhe hulumtoj detin, trurin e gjallë të një hyu të rrëzuar.

 

POETËT, MINIERA ARI

 

Poetët janë miniera ari.

Prej tyre kritikët bëjnë argjendarira që ua shesin të tjerëve, për të fituar vetë.

Share This Article
4 Comments
  • Dhe Zeqo shkruan me lart:
    Pyeta Sanguinetin:
    ´´Po ju dini per letersine shqip?
    Pak-pergjigjet ai´´
    Nuk e di kush eshte e verteta, ne kete pergjigje,snobizmi meskin i Sanguinetit,apo xhelozia e vogel prek provinciali mesjetar e Zeqos .
    Vec poet i shquar,si intelektual perendimor,ne vitin 2000 dhe shume para tij,Sanguineti duhet te kete pasur dhe nje informacion sado dhe te ngushte,per talentet e ralla dhe te spikatura te kontinentit europian,sic eshte pena e vecante e shkrimtarit dhe poetit tone Kadare.
    Por ta zeme se eshte e vertete absurdi i mungeses se ketij informacioni.Ahere jo vetem Zeqo,si letrar,por dhe nje shqiptar i thjeshte,ne ate tavoline,do te ndjehesh krenar ti paraqeste mikut,gjeniun e letrave shqiptarin Kadare.
    Dhe me tej,ju siguroj se duke mos mbartur fjale te nje kritike te semure dhe jam i sinqerte me vehten time(pamvaresisht se Zeqo,si karakter nuk e pelqej,ku ne kohe te ndryshme eshte cfaqur ndyshe)ndjej qe ne vargjet e poetit Zeqo,montimi i fjaleve ka efektin me teper show,se te ndjerit te brendshem te vecante te tyre.qe eshte arritja e nje poezie te vertete.
    Dhe se fundi shtoj,jam i gezuar qe shendeti i tij ka filluar te funksionoj si me pare,per vet ate dhe familjen e tij se pari.

  • Pershendetje Moikom!Larmi temash qe poezia i shndron ne art dhe kete e arrijne ta bejne poetet ,keta dashnore te pozise!!
    Te pergezoi per kete freski pranvere qe na sjell nepermjet penes tende ne faqet e kesaj “Dite”qe mbetet drite per ne !
    Fatmiri

    • Nje pyetje zoti Zeqo po ke nderin te me pergjigjesh,po nuk e bere tregon se cfare fytyre ke.
      A kishte Shqipetare ne kohen e Ismail Beut?
      Po te kishte nuk do shkonte ne Stamboll te behej Deputete apo Governatore dhe te luftonte per Turqine.
      Nuk e dinte turku ne Ndergjegje,Identitet,Emer,Bese Ismail Beu,Frashellinjte qe rreth 50 vjet me pare pikerisht ne 1825 Arvanitasit Greke luftuan per Epir,Ilyri,Greqi?
      Pse amerikanet dhe Evropianet ndihmuan Ataturkun pushtues dhe kriminel kur Arvanitasit cliruan Asine e vogel me Venizellosin dhe bombarduan me te drejte Milloshevicin?
      Mos jane popull “martire” sterniperit e Ismail Beut te Kosoves nga Greket dhe Arvanitasit Epirote te Azise se Vogel?
      Pirron e beni “héroïn tuaj” atehere pse nuk pretendoni per Magna Grecian dhe Kostandinopolin por luftoni ata qe jane Epirote te Pirros,Kastriotit,Venizellosit?
      Nuk e dime ne qe ju “qan” zemra per ameriken,cifutet,turqine,italine?
      Mos eshte genjeshter historike lufta e turkut Ismail kunder Epirit?
      Cfare perfaqesoni ju te ashtuquajturit Al-banians?

  • Falemindeit i ndeuar Pr Poet-shkrimtar- artist i falës Atdhetar- I madhërishmi Moikom Zeqo, për sa na paraqiasni,
    Sa për dashakeqët -*qentë le te lehin karvani shkon përpara* .
    Shëndeti ruani Profesor- Poet-shkrmtar atdhetar i nderuar.
    Nga tej oqeanit- Guri Naimit D.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *